NORAD asgjëson një objekt fluturues mbi hapësirën ajrore të Kanadasë
- Published in Kanada

NORAD, Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut, ka njoftuar sot (11.02.) se kishte konstatuar në një lartësi të madhe mbi territoret e veriut të Kanadasë prezencën e një objekti fluturues të panjohur. Pak çaste më vonë pas këtij lajmi, ka qenë kryeministri kanadez Justin Trudeau i cila ka bërë publik lajmin se objekti u asgjësua dhe u rrëzua mbi territorin e Yukon-it.
Në disa mesazhe të njëpasnjëshme të postuar në Twitter pas orës 17:00 pasdite, kreu i qeverisë federale kanadeze deklaroi se kishte urdhëruar shkatërrimin e objektit të panjohur fluturues, i treti që hyn në hapësirën ajrore të Amerikës së Veriut brenda një kohe të shkurtër.
Sipas Trudeau, “avionët luftarakë kanadezë dhe amerikanë u aktivizuan menjëherë dhe një avion F-22 i Forcave Ajrore të SHBA e goditi me sukses objektivin. Tashmë pritet që forcat kanadeze të gjejnë mbetjet e objektit të rrëzuar dhe t’i analizojnë ato”. Trudeau ka pohuar gjithashtu se gjatë pasdites së sotme ka komunikuar edhe me presidentin amerikan Joe Biden.
Nga ana e saj, ministrja kanadeze e Mbrojtjes, Anita Anand, gjithashtu njoftoi në Twitter se kishte biseduar drejtpërdrejt me homologun e saj amerikan, Sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe riafirmoi se të dy fqinjët do ta mbrojnë gjithmonë sovranitetin së bashku.
Ngjarja e sotme ndodhi një ditë pas një operacioni amerikan gjatë të cilit një avion luftarak rrëzoi një objekt fluturues në lartësi rreth 12,000 metra mbi Alaskë. Objekti, i cili kishte madhësinë e një veture të vogël, u konsiderua kërcënim për sigurinë e trafikut ajror. Gjatë ditëve të fundit u rrëzua gjithashtu nga forcat ajrore amerikane mbi bregun lindor të SHBA një ballon kinez që dyshohet se kryente një mision spiunazhi.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada