Java kanadeze - Lajme shkurt 12.02.2023
- Published in Kanada

Yukon
-Yukon, kryeministri Trudeau viziton territorin ku u asgjësua objekti fluturues i dyshimtë
-British Columbia, sindikalizohen avokatët e të Drejtës civile që punojnë për qeverinë
-Alberta, shifra e papunësisë në province gjatë janarit 2023 arriti 6 përqind
-Saskatchewan, pas tërmetit një refugjat sirian 10-vjeçar shpreson të bashkohet me prindërit
-Nova Scotia, dëmtohen rëndë nga i ftohti ekstrem vreshtat e varietetit vinifera
-Ontario, Doug Ford justifikon pjesëmarrjen e disa bosëve të ndërtimit në dasmën e vajzë së tij
Yukon - “Siguria e qytetarëve është prioriteti ynë kryesor. Kjo është arsyeja pse mora vendimin për të rrëzuar objektin e paidentifikuar”, tha kryeministri Justin Trudeau në një deklaratë të shkurtër për mediat sot (12.02) në mëngjes në Ottawa, para nisjes drejt Whitehorse, kryeqytetit të territorit Yukon, në kufi me Alaskën, ku një objekt fluturues i dyshimtë pa persona në bord u rrëzua nga një avion luftarak i NORAD gjatë pasdites së djeshme për shkak se shkeli hapësirën ajrore kanadeze. Nëse kjo vizitë në kryeqytetin e Yukon ishte planifikuar tashmë në kuadrin e festimeve të 50-vjetorit të Këshillit të Komuniteteve Autoktonë të Yukon, kryeministrit pa dyshim do t'i duhet t'u përgjigjet pyetjeve në lidhje me këtë ngjarje. Sot në mbrëmje ai do të takohet me liderë autoktonë, përfshirë liderë të zonave ku mund të kenë rënë mbetjet e objektit cilindrik, ndërsa nesër në mëngjes ai do të takohet dhe do të diskutojë ndër të tjera edhe për këtë temë me kryeministrin e Yukon, Ranj Pillai.
British Columbia - BC Government Lawyers Association (BCGLA), shoqata e avokatëve të specializuar në të Drejtën Civile të cilët punojnë për qeverinë e provincës, po kundërshton projekt-ligjin 5, sipas të cilit parashikohet që ata mund të anëtarësohen pranë sindikatës Professional Employees Association (PEA), por nuk lejohen të krijojnë sindikatën e tyre. Për Gareth Morley, përfaqësues i shoqatës në fjalë, nuk është punëdhënësi apo qeveria që e vendos këtë, por është e drejta e punonjësve të zgjedhin se në cilën sindikatë duan të anëtarësohen. Ndërkohë, 70% e anëtareve të shoqatës janë në favor të krijimit të sindikatës së tyre. Projektligji, i prezantuar të enjten (09.10) nga ministrja e Financave Katrine Conroy, amendon një ligj (Akti i Marrëdhënieve të Punës së Shërbimit Publik) për të përfshirë avokatët civilë që hartojnë legjislacionin, këshillojnë provincën dhe përfaqësojnë qeverinë në rastet e mbrojtjes së fëmijëve. Ky ligj përcakton të drejtat e negociatave të punonjësve me qeverinë, duke përfshirë personelin e qeverisë dhe profesionistët shëndetësorë. Pa amendamentin e propozuar, avokatët civilë të qeverisë nuk mund të anëtarësohen në një sindikatë. Nëse miratohet, 300 avokatë të BCGLA mund t'i bashkohen PEA-së, një sindikatë që përfaqëson veçanërisht administratën e pyjeve, inxhinierët dhe profesionistët e mësimdhënies. BCGLA e cila dëshiron të njihet nga qeveria si subjekt ekskluziv, ka aplikuar për çertifikim sindikal pranë Bordit për Marrëdhëniet e Punës (Labour Relations Board) nëntorin e kaluar dhe është në pritje të vendimit që do marrë ky institucion.
Alberta - Sipas Satistics Canada, shifra e fuqisë punëtore që kërkon punë në provincën Alberta arriti 6% në janar dhe tregut të punës iu shtuan 20,000 vende pune po në të njëjtin muaj. Nga ana tjetër, sipas raportit Labor Force Survey të agjencisë federale të statistikave, Calgary kishte normën më të lartë të papunësisë, 6.6% në janar, krahasuar me metropolet e tjerë të Kanadasë, ndërsa në Edmonton shifra e papunësisë ishte 5.6%. Ndërkohë, shkalla e rritjes së popullsisë të Alberta-s prej 0.3% është përqindja më e lartë që nga viti 2006 për këtë provincë. Marc Desormeaux, specialist i ekonomisë kanadeze pranë Desjardins, i cituar nga Radio-Canada, ka shpjeguar se kjo rritje mbështetet nga imigrimi, migrimi nga provincat e tjera dhe ardhja e banorëve jo të përhershëm. Të gjithë këta faktorë duket se kontribuojnë në pjesëmarrjen më të lartë të fuqisë punëtore në tregun e punës, sepse këta njerëz vijnë në një kohë kur ka shumë vende të lira për t’u plotësuar”, për rrjedhojë kontribuojnë edhe në rritjen ekonomike dhe atë të punësimit. Megjithatë, sipas ekonomistit të Desjardins, të sapoardhurit në Alberta nuk punësohen domosdoshmërisht menjëherë pas mbërritjes. Ndonjëherë duhen disa javë, madje edhe muaj që ata të gjejnë një punë. Kjo mospërputhje luan një rol të rëndësishëm gjatë mbledhjes dhe përpilimit të të dhënave ekonomike.
Saskatchewan - Një organizatë që ndihmon refugjatët në Saskatoon, shpreson që Ottawa do përshpejtojë aplikimet e imigracionin për viktimat e tërmetit në Siri e Turqi. Moms for Refugees po ndihmon të ribashkojë refugjatin sirian 10-vjeçar Adnan Kharsa me familjen e tij, larg të cilës ai ndodhet prej 5 vjetësh. Të mërkurën (08.02), ministri i Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë i Kanadasë, Sean Fraser, deklaroi se aplikimet për të hyrë në Kanada për viktimat e tërmeteve të fundit në Turqi dhe Siri mund të përshpejtohen. Një perspektivë inkurajuese kjo, sipas drejtueses së Moms for Refugees, Kyla Avis. Ajo shpreson që familja e Adnan Kharsa tashmë do të vijë më shpejt në Kanada. Prindërit dhe motra e tij arritën të gjenin strehim në Mersin të Turqisë, shumë afër zonës së prekur nga fatkeqësia. Kharsa ka jetuar me gjyshen dhe xhaxhain e tij në Saskatoon për më shumë se një vit. Ai u nda nga prindërit e tij nga konflikti në Siri në vitin 2017. Që atëherë, babai, Mohammed Kharsa dhe nëna, Yasmine Sheikho, janë mbajtur në Turqi me motrën e tij trevjeçare, Sham dhe ata e shohin njëri-tjetrin vetëm me videokonferencë. Aplikimet e tyre për të emigruar në Kanada u pranuan në korrik 2022 dhe u miratuan në tetor 2022. Pas tërmeteve, drejtuesja e Moms for Refugees i dërgoi email zyrës së ministrit Fraser, duke i kërkuar atij që të përshpejtonte procedurën finale të imigrimit të familjes së refugjatit 10-vjeçar.
Nova Scotia - Steve Ells, kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve të provincës Nova Scotia ka deklaruar për Radio-Canada se do të duhen vite që disa lloj vreshtash të rigjenerohen pas dëmtimeve që pësuan për shkak të të ftohtit ekstrem të ditëve fundit. Sipas tij, 95% deri në 100% e vreshtave vinifera që kultivohen në Nova Scotia - varietet i përdorur për Chardonnay, Pinot Noir dhe Riesling - dolën jashtë përdorimit. Ky është dëmi më i madh që ka pësuar në 12 vitet e fundit ky lloj biznesi, për shkak të temperaturave të fundjavës së kaluar, të cilat u ulën nën -25 gradë Celsius. I ftohti ekstrem mbërriti në mes të një dimri jashtëzakonisht të butë dhe hardhitë janë veçanërisht të ndjeshme në këto raste.
Ontario - Doug Ford, kryeministri i Ontarios, pas konfirmimit se disa promotorë të biznesit të ndërtimit kanë marrë pjesë në dasmën e një prej vajzave të tij disa muaj më parë, është përpjekur të mbrohet për këtë temë para gazetarëve të premten e kaluar (10.02.). Ford deklaroi që Komisioneri i Integritetit e ka shqyrtuar çështjen dhe nuk ka konstatuar shkelje të dispozitave ligjore nga ana e tij. “Kjo është qesharake”, tha Doug Ford dhe gjatë konferencës për mediat ai ka përsëritur disa herë se vajza dhe dhëndri i tij janë qytetarë të thjeshtë dhe se bëhet fjalë për një event privat. “Familja ime ka mbi 30 vjet që merret me politikë. Ne njohim dhjetëra mijëra njerëz. Kur organizojmë një aktivitet, unë nuk kërkoj një listë me emra”, ka shtuar ai. Në fund të janarit, disa muaj pas dasmës dhe pas një artikulli të publikuar nga një media për këtë çështje, kryeministri dhe kabineti i tij iu drejtuan Komisionerit të Integritetit për këshillim. Komisioneri J. David Wake mori informacion në lidhje me disa nga të ftuarit e pranishëm, të përshkruar si miq të familjes Ford dhe sipas përgjigjes së tij, meqenëse Doug Ford nuk kishte dijeni për dhuratat e ofruara ndaj vajzës dhe dhëndrit dhe meqenëse nuk u diskutua për punët e qeverisë gjatë ceremonisë martesore, ai vendosi se nuk kishte shkelje të rregullave. Historia e raportuar fillimisht nga Global News ka ngjallur reagime tek deputetët e opozitës, të cilët konsiderojnë se aparenca e miqësisë me promotorë të ndërtimit vë në dyshim integritetin e kryeministrit.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada/The Canadian Press