Kanada

Dorëhiqet dhe del në pension Shefja e Policisë Federale Kanadeze Brenda Lucki

  • Published in Kanada

Pas 5 vitesh në krye të Policisë Federale Kanadeze (RCMP) dhe e kritikuar veçanërisht muajt e fundit, Komisionerja Brenda Lucki, ka njoftuar dje (15.02) dorëheqjen e saj nga detyra dhe vendimin për të dalë në pension duke filluar nga data 17 mars 2023. Ajo e pat bërë betimin si drejtuese e RCMP më 16 prill 2018 dhe ka qenë e para grua që ka ushtruar këtë funksion në mënyrë permanente.

Në deklaratën e saj për mediat, shefja e RCMP ka shpjeguar se nuk ishte një vendim i lehtë, për faktin se ia ka kushtuar gjithë karrierën kësaj trupe policore dhe e ka konsideruar nder të veçantë ushtrimin e detyrës më të lartë në krye të saj.

“Si drejtuese, më pat qenë kërkuar të modernizoj dhe adresoj sfidat e brendshme të RCMP. Ishte një mandat i rëndësishëm dhe me mbështetjen e ekipit tim drejtues dhe angazhimin e të gjithë punonjësve të RCMP, ne kemi arritur shumë. Jam krenare për hapat që ndërmorëm për të rritur llogaridhënien, për të luftuar racizmin sistemik, për të krijuar një mjedis pune të sigurt e me shanse të barabarta si dhe për të avancuar në procesin e pajtimin me popujt autoktonë. Po largohem me ndjenjën se kam bërë më të mirën që kam mundur dhe kam besim në të ardhmen e policisë federale që sot është në kushtet më të mira për të performuar pas150 vitesh ekzistencë”, është shprehur Brenda Lucki.

Në llogarinë e tij në Twitter, Ministri federal i Sigurisë Publike, Marco Mendicino, e ka falenderuar Breda Lucki-n për përkushtimin e saj në krye të RCMP gjatë një periudhe jo të lehtë, përfshi dhe pandeminë” si dhe ka konfirmuar që procesi për përzgjedhjen dhe emërimin e Komisionerit të ri të RCMP ka nisur menjëherë.

Në fakt viti i fundit ka qenë jo i lehtë për Brenda Lucki, e akuzuar për ndërhyrje politike apo dhe e kritikuar për performancat e saj para komisioneve hetimore parlamentare dhe publike. Ajo e mbylli vitin 2022 duke u përballur me thirrje për dorëheqjen e saj nga disa drejtime, duke përfshirë Konservatorët e opozitës federale dhe ministrin e Drejtësisë të Alberta-s, Tyler Shandro, sipas të cilit, përgjigja e Lucki-t ndaj vendimit të qeverisë federale për të aplikuar Aktin e Masave Urgjente kundër protestës së “Freedom Convoy” ishte një arsye për ta shkarkuar atë. “Ajo nuk arriti të informojë kabinetin federal për të gjitha opsionet ligjore në dispozicion përpara vendimit për të aplikuar Aktin e e Masave Urgjente”, pat deklaruar Shandro nëntorin e kaluar.

Ndërkohë, pas disa ditësh pritet dhe publikimi i Raportit të Komisionit Hetimor Rouleau për Gjendjen e Jashtëzakonshme, komision para të cilit Brenda Lucki u mor në pyetje gjithashtu. Raporti do të analizojë ndër të tjera edhe komunikimet mes qeverisë federale dhe forcave të policisë, përfshirë RCMP, përpara se të merrej vendimi për aplikimin e ligjit të lartpërmendur për herë të parë që nga miratimi i tij. Një tjetër raport voluminoz pritet të publikohet në fund të marsit, në lidhje me ngjarjen e vrasjes së 22 personave me disa lloje armësh zjarri nga Gabriel Wortman (i cili lëvizi me një automjet të maskuar me simbolet e policisë) më 18-19 prill 2020 në Nova Scotia, e konsideruar si maskra me madhe në historinë moderne të Kanadasë. Një komision i posaçëm ka hetuar imtësisht veprimet e RCMP në kundërpërgjigje të kësaj ngjarjeje dhe më pas.

Brenda Lucki është e datëlindjes 1966 dhe është rritur në Edmonton, Alberta, ku ka kryer dhe studimet universitare. Në vitin 1986 ajo hyri në radhët e RCMP dhe gjatë gjithë karrierës së saj ka punuar në disa provinca të Kanadasë, duke përfshirë Québec, Ontario, Manitoba, Saskatchewan dhe Alberta. Në vitet 1993-1994, ajo shërbeu në Forcën Mbrojtëse të Kombeve të Bashkuara në ish-Jugosllavi. Më pas, nga viti 1995 ajo drejtoi programin paqeruajtës të RCMP në Ottawa, si dhe Akademinë e Trainimit të RCMP nga 2017 deri në kohën kur u emërua Komisionere e RCMP në prill 2018 nga qeveria e Justin Trudeau, pas daljes në pension të paraardhësit të saj, Komisionerit Bob Paulson.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Justin Tang/Spencer Colby