Freedom Convoy dhe gjendja e jashtëzakonshme - Komisioni hetimor “shfajëson” Trudeau dhe qorton policinë
- Published in Kanada
Është publikuar dje (17.01) raporti i shumëpritur i Komisionit Publik Hetimor të drejtuar nga gjyqtari Paul Rouleau mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga qeveria e Justin Trudeau pas manifestimeve kundër masave sanitare të organizuara në fund të janarit 2022 nga Freedom Convoy. Manifestimet e zhvilluara veçanërisht në Ottawa, Windsor dhe Alberta (Coutts) paralizuan për disa javë qendrën e kryeqytetit federal si dhe dy pika nevralgjike kufitare për transportin e mallrave mes Kanadasë dhe SHBA.
Konkluzioni kryesor i raportit voluminoz me mbi 2000 faqe dhe të paktën 56 rekomandime, e ka konsideruar si të arsyetuar vendimin e qeverisë për dekretimin e gjendjes së jashtëzakonshme. “Me njëfarë hezitimi arrij në këtë përfundim,” deklaroi në konferencën për mediat gjyqtari franko-ontarian Rouleau, sipas të cilit situata “mund të ishte shmangur” dhe ngjarjet u karakterizuan nga “një sërë dështimesh të vogla apo domethënëse në drejtim të ruajtjes së rendit që së bashku kontribuan në një situatë që doli jashtë kontrollit”.
Komisioneri Rouleau gjithashtu ka arritur në përfundimin e rëndësishëm se ngjarjet e janarit dhe shkurtit 2022 mund të konsiderohen si “një dështim i federalizmit”, sepse “përballë situatave emergjente në një sistem federal, është e nevojshme që të gjitha nivelet e qeverisë dhe ata që drejtojnë t’i kapërcejnë konsideratat politike për të punuar së bashku për të mirën e përbashkët. Fatkeqësisht, nuk ka ndodhur gjithmonë kështu…”
Bashkëpunimi më i madh në nivel politik qysh në fillim të ngjarjeve, “mund të kishte ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve të komunikimit, juridiksionit dhe burimeve që penguan në dhënien e një zgjidhjeje më të shpejtë në raport me situatën e krijuar nga protestat”, shkruhet gjithashtu në raportin që i adresohet Parlamentit Federal, siç e parashikon dhe procedura e Aktit për Masat Urgjente që u aplikuar për herë të parë qysh nga miratimi në vitin 1985.
Ndërsa me hezitim i ka dhënë të drejtë vendimit të qeverisë Trudeau, në analizën e tij gjyqtari Rouleau qorton rëndë Shërbimin Policor të kryeqytetit federal, sepse sipas tij, “pjesa më e madhe e trazirave në Ottawa ishte rezultat i vlerësimit të gabuar të kësaj trupe policore për kohëzgjatjen e protestave. Ai nuk ka kursyer gjithashtu edhe kryministrit e Ontarios Doug Ford (thuajse inekzistent gjatë protestave, veçanërisht asaj në Ottawa) që “shkëlqeu” me refuzimin për të dëshmuar para komisionit duke përdorur imunitetit parlamentar, ndërkohë që dy manifestimet më të mëdha në janar-shkurtin e kaluar, në Ottawa dhe Windsor, ndodhën pikërisht në terrritorin e provincës që ai drejton.
Nga ana e tij kryeministri kanadez Justin Trudeau i ka vlerësuar konstatimet dhe rekomandimet e raportit të Komisionit Rouleau duke deklaruar se prej këtij dokumenti duhet të nxjerrë mësime çdo qeveri, aktuale apo e ardhshme.
Ndër rekomandimet kryesore që ka dhënë ky komision në raportin e djeshëm mund të përmenden:
-Të hartohen protokolle për shkëmbimin e informacionit si dhe mbledhjen dhe shpërndarjen e të dhënave;
-Të caktohet një koordinator i vetëm kombëtar mbi informacionet lidhur me ngjarjet kryesore të dimensionit kombëtar, ndërprovincial ose ndërterritorial;
-Të hartohen protokolle mbi kërkesat për burime shtesë policore;
-Të vendosen standarde kombëtare për ruajtjen e rendit në kontekstin e ngjarjeve madhore;
-Të identifikohen sa më shpejt infrastrukturat dhe korridoret kritike të transportit tregtar dhe të hartohen protokolle për t'i mbrojtur ato;
-Të suprimohet nga Akti për Masat Urgjente referenca tek Ligjit i Shërbimit Inteligjent mbi interpretimin e nocionit “kërcënim për sigurinë e Kanadasë”’;
-Të shtohet në Aktin për Masat Urgjente detyrimi për t'u konsultuar me provincat dhe territoret.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio Canada
Fotot: The Canadian Press/Adrian Wyld