Takim virtual Trudeau-Erdogan: Kanadaja do transportojë ndihmën humanitare të NATO-s drejt Turqisë
- Published in Kanada
Kabineti i kryeministrit Justin Trudeau ka njoftuar zhvillimin e një takimi virtual gjatë paradites së djeshme (18.02.) mes kreut të qeverise kanadeze dhe presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, ndërkohë që operacionet e shpëtimit vazhdojnë ende në Turqi dhe në Siri për gjetjen e të mbijetuarve nga tërmeti shkatërrimtar i 6 shkurtit. Me mbi 43,000 viktima, ky tërmet ishte katastrofa natyrore më vdekjeprurëse në këtë rajon qysh prej disa shekujsh.
“Kryeministri Trudeau shprehu ngushëllimet e tij për presidentin Erdogan dhe për popullin turk dhe njëkohësisht rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Kanadasë në përpjekjet e rimëkëmbjes pas tërmetit, duke deklaruar gjithashtu se Kanadaja është e gatshme të transportojë furnizimet humanitare të NATO-s drejt Turqisë dhe se Forcat e Armatosura Kanadeze janë të gatshme për të ofruar çdo mbështetje shtesë ndaj autoriteteve turke, nëse kërkohet”, thuhet në përmbledhjen zyrtare të bisedës, të publikuar nga Kabineti i kreut të qeverisë kanadeze.
Kujtojmë se menjëhërë pas tërmetit të 6 shkurtit, Kanadaja dërgoi 10 milionë dollarë ndihmë humanitare për të përmbushur nevojat imediate dhe më urgjente në zonat e dëmtuara. Qeveria federale pat njoftuar gjithashtu se do t’i dyfishonte të gjitha donacionet e bëra nga individë për Kryqin e Kuq Kanadez në ndihmë të Turqisë dhe Sirisë, nga 6 deri më 22 shkurt, në një maksimum prej 10 milionë dollarësh.
Kanadaja dhe Turqia kanë marrëdhënie diplomatike prej një periudhe të gjatë. Në vitin 1944, Turqia hapi ambasadën e saj në Ottawa, ndërsa në vitin 1947 Kanadaja emëroi ambasadorin e saj të parë në Turqi. Vitet e fundit, Kanadaja dhe Turqia kanë thelluar marrëdhëniet dypalëshe si partnerë strategjikë në fushën politike, tregtare dhe të sigurisë. Në Kanada jetojnë rreth 65,000 shtetas ose rezidentë të përhershëm me origjinë turke, shumica e të cilëve janë të përqendruar në Toronto, Montréal, Vancouver, Ottawa, Hamilton, Calgary, Edmonton dhe Halifax.
Turqia është një treg në zhvillim me interes të madh për Kanadanë. Ky vend është gjithashtu një treg prioritar i synuar nga strategjitë ndërkombëtare të arsimit dhe infrastrukturës të qeverisë kanadeze. Në vitin 2020, tregtia e dyanshme e mallrave midis Kanadasë dhe Turqisë tejkaloi 3 miliardë dollarë, ndërsa investimi direkt nga investitorët kanadezë në Turqi ishte 2 miliardë dollarë. Nga 31 dhjetori 2020, në Kanada janë regjistruar 3,550 studentë turq, çka e bën Turqinë një nga 11 tregjet prioritare të Strategjisë Ndërkombëtare të Arsimit të Qeverisë së Kanadasë.
© Flasshqip.ca me informacion nga Zyra e Kryeministrit të Kanadasë
Foto (arkiv): The Canadian Press/Sean Kilpatrick