Kanada

Auditorja e Përgjithshme e Kanadasë do hetojë kontratat e qeverisë me firmën McKinsey

  • Published in Kanada

Sipas zëdhënësit të saj Vincent Frigon, Auditorja e Përgjithshme e Kanadasë, Karen Hogan, ka njoftuar tashmë Parlamentin Federal se do të nisë hetimin mbi kontratat e dhëna firmës së konsulencës McKinsey nga qeveria e kryeministrit Justin Trudeau. Frigon ka saktësuar megjithatë se ende nuk është detajuar qëllimi i këtij auditimi dhe data e publikimit të raportit përfundimtar

Kujtojmë që prej disa javësh, opozita zyrtare, Partia Konservatore e drejtuar nga Pierre Poilievre, ka kërkuar me insistim që të hidhet dritë mbi këto kontrata të cilat janë shumëfishuar qysh nga viti 2015, viti i ardhjes në pushtet të qeverisë liberale Trudeau. Prej atij momenti, qeveria e Justin Trudeau i ka dhënë më shumë se 116 milionë dollarë kontrata firmës McKinsey. Kjo shumë është rreth 45 herë më e madhe se vlera totale e kontratave të dhëna nga qeveria e mëparshme konservatore e kryeministrit Stephen Harper, në pushtet për nëntë vjet, nga 2006 deri në 2015. Opozita konservatore ka kërkuar gjithashtu të verifikohen dhe sqarohen lidhjet mes Justin Trudeau dhe ish-shefit të McKinsey, Dominic Barton, të cilët ajo i ka cilësuar si miq të ngushtë.

Dominic Barton

Barton e ka drejtuar McKinsey nga viti 2009 deri më 2018, ndërsa më pas shërbeu si ambasador i Kanadasë në Kinë nga 2019 deri në 2021. Në veçanti, ai u angazhua në zbutjen e krizës diplomatike midis dy vendeve, krizë e krijuar pas arrestimit nga Kanadaja, me kërkesë të Shtetet e Bashkuara, të drejtoreshës financiare të kompanisë Huawei, Meng Wanzhou, në 2018, si dhe negocioi lirimin e Michael Spavor dhe Michael Kovrig, dy shtetas kanadezë të mbajtur në burgjet kinezë për tre vjet me radhë, pas arrestimit në Wanzhou.

I thirrur për të dëshmuar së fundmi para një komisioni parlamentar, Dominic Barton u mor në pyetje për rolin e McKinsey, kontratat e lidhura me qeverinë kanadeze dhe lidhjet e tij me Justin Trudeau. “Unë nuk jam mik i ngushtë personal i kryeministrit dhe nuk kam pasur ndonjë përfshirje në dhënien e kontratave të paguara nga qeveria federale për McKinsey qysh kur u transferova në Azi në 1996”, pat deklaruar ai.

Firma McKinsey dyshohet gjithashtu se ka ndikuar në përcaktimin e pragjeve të imigracionit të shpallura në vjeshtë nga qeveria Trudeau. Para të njëjtit komision parlamentar, ministri federal i Imigracionit, Sean Fraser, e ka mohuar këtë akuzë.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Sean Kilpatrick/Adrian Wyld