Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 26.02.2023

  • Published in Kanada

 

-British Columbia, në Vancouver prodhohet birrë përmes inteligjencës artificiale

-Alberta, bashkia Edmonton aprovon një gjobë 1000 dollarë për zhurmat e forta të automjeteve

-Saskatchewan, Olivia dhe Noah emrat më popullorë për foshnjat e lindura gjatë 2022

-Ontario, manifestim kundër programit të qeverisë së Doug Ford

-New Brunswick, rrezikohet nga dëmtimet një far i ndërtuar qysh më 1860

-Newfoundland, diskutohet e ardhmja e kontratës hidroelektrike me Quebéc

 

British Columbia - Përdorimi i inteligjencës artificiale për të realizuar përshkrime të produkteve ka nxitur një fabrikë birre në Vancouver të provojë një recetë të re birre të elaboruar nga software. “Duke futur të dhëna në ChatGPT, na lindi ideja t'i kërkonim të na përgatiste një recetë birre”, ka shpjeguar Isaiah Archer, një nga pronarët e fabrikës Whistle Buoy, në Victoria. Prodhuesit e birrës i kërkuan software një birrë të butë me shije tropikale, gjë që ChatGPT e realizoi. Receta e marrë nuk ishte perfekte, sidomos për sa i përket sasive dhe atyre vetë iu desh të bënin disa ndërhyrje. Pas disa modifikimeve, prodhuesit vendosën ta promovonin recetën dhe e quajtën produktin e tyre të ri Robo Beer. Sipas Archer, reagimi i konsumatorëve ka qenë kryesisht pozitiv, por fakti që në realizimin e produktit ka ndërhyrë inteligjenca artificiale, i ka shtyrë disa të pyesin nëse është ende e mundur të flitet për birrë artizanale.

Isaiah Archer

Alberta - Këshilli bashkiak i Edmonton miratoi unanimisht të premten (24.02.) modifikimin e Rregullores për trafikun dhe autorizimin që agjentët e bashkisë të gjobisin deri në 1000 dollarë drejtuesit e automjeteve që bëjnë zhurmë të tepërt, duke përfshirë edhe rastet e muzikës me volum të lartë ose rënien e borisë. Ndryshimi i rregullores së bashkisë hyri në fuqi menjëherë dhe ata që do marrin këtë lloj gjobe mund ta kundërshtojnë atë në gjykatë. Dispozita e amenduar që e rrit gjobën nga 250 në 1000 dollarë, deri tani aplikohej vetëm për motorët që shkaktonin zhurmë mbi 92 decibel. Këshilltarët bashkiakë e mbështetën unanimisht propozimin, që tashmë i kthyer në rregull, përfshin dhe personat që shkaktojnë zhurmë qëllimisht duke modifikuar silenciatorin ose duke i dhënë gaz më shumë se duhet automjetit të tyre, çka sidomos shkakton shqetësim te banorët gjatë natës.

Saskatchewan - Sipas listës së eHealth Saskatchewan të 20 emrave më popullorë të foshnjave të lindura në provincë për vitin 2022, Olivia dhe Noah zënë përkatësisht vendet e para. Olivia kryeson për të tetin vit radhazi për vajzat, ndërsa për të dytin vit radhazi Noah për djemtë, duke i marrë vendin emrit të preferuar prej kohësh, Liam. Të dhënat e publikuara më 13 shkurt, njoftojnë që gjatë viti 2022, 60 vajza u quajtën Olivia, ndjekur nga Amelia (44), Emma (43), Ava (41), Lily (39) dhe Sophia (37). 58 djemve iu dha emri Noah, ndjekur nga Liam (52) dhe Leo (47). Jack dhe Lucas barazuan për të katërtin (44) dhe Benjamin e Theodore për vendin e pestë (43). Gjatë vitit 2022, në provincën Saskatchewan u regjistruan gjithsej 12,802 lindje. Kjo është një rënie nga viti 2021, kur u regjistruan 14,559 lindje. Këto shifra nuk përfshijnë nënat nga Saskatchewan që kanë lindur jashtë provincës. Gjithsesi shifrat përfundimtare do të publikohen në fund të muajit mars.

Ontario - Ndërkohë që Asambleja Legjislative e Ontarios rifilloi punimet këtë javë, një koalicion organizatash që kundërshtojnë politikat e qeverisë së kryeministrit konservator Doug Ford kanë manifestuar dje (25.02) në Queen's Park (sheshi para Parlamentit provincial) për të denoncuar axhendën e saj “jodemokratike, anti-mjedisore dhe kundër punonjësve të sektorit publik”. Këto organizata që deklarohen se mbrojnë komunitetet autoktone, mjedisin, shëndetin publik dhe arsimin, pohojnë së që nga momenti që Doug Ford mori detyrën në vitin 2018, shërbimet publike thelbësore kanë pësuar regres. Sipas tyre, për të justifikuar privatizimet që propozon, kryeministri ka nënfinancuar qëllimisht sistemet e kujdesit shëndetësor dhe arsimit, duke krijuar mungesë personeli dhe mungesë aksesi në këto shërbime thelbësore për qytetarët.

New Brunswick - Pas konstatimit të disa dëmeve të konsiderueshme brenda ndërtesës, përfshi dhe tavanin një pjesë e të cilit po shembet, riparimet e domosdoshme urgjente në farin Swallowtail në ishullin Grand Manan të provincës New Brunswick kanë mbetur pezull për mungesë fondesh. Sipas shefit të farit, Ken Ingersoll, një garë me kohën ka nisur për ta shpëtuar atë, sepse pas një viti dëmtimet mund të bëhen të pariparueshme. I ndërtuar në vitin 1860, fari është shumë më tepër se një atraksion turistik, pasi është ende funksional. Është një pajisje sigurie thelbësore për marinarët dhe për peshkimin në bregdet. “Me të vërtetë mund t'ua shpëtojë jetën”, ka pohuar për Radio-Canada, Andrea Kelter, menaxhere e Qendrës së turistëve dhe dyqanit të dhuratave. Prej 16 vitesh janë bërë përpjekje për ta restauruar atë. Konkursi Beautiful Rescue i organizuar nga National Trust for Canada, që synon të ndihmojë në ruajtjen e objekteve të rëndësishme të trashëgimisë, së fundmi e vuri në qendër të vëmendjes situatën e farit. Fatkeqësisht, godina nuk e fitoi konkursin dhe çekun që i jepet fituesit. Kostot për riparimin e tij dhe të shtëpisë së rojtarit vlerësohen në 479,000 dollarë, pa përfshirë kostot shtesë që lidhen me dëmtimet e fundit. Vetëm 160,000 dollarë janë mbledhur deri tani. Ishulli ka nisur kohët e fundit një fushatë për të mbledhur më shumë fonde. Për Andrea Kelter, “humbja e këtij fari do të ishte një goditje e rëndë për komunitetin”.

Ken Ingersoll

Newfoundland - Të premten (24.02) kryeministrit i provincës Newfoundland & Labrador, Andrew Furey ka pritur në St. John’s homologun e tij nga Québec François Legault, për të diskutuar të ardhmen e kontratës hidroenergjitike mes dy provincave, e njohur ndryshe me emrin Churchill Falls, që do të jetë në fuqi deri në vitin 2041 dhe që është nënshkruar para 54 vjetësh. Të dy kryeministrat kanë rënë dakord për rinegocimin e saj para përfundimit të afatit. Ata kanë diskutuar gjithashtu mundësinë e projekteve të përbashkëta në ketë fushë. Për herë të parë një kryeministër nga Québec ka pranuar që marrëveshja në fjalë është shumë e disfavorshme për Newfoundland. “Nuk mund ta rishkruajmë historinë, por së bashku mund të rivendosim për të ardhmen”, është shprehur Legault. Të dy kryeministrat kanë rënë dakord që negocimi dhe konsultimet do të zhvillohen në bashkëpunim me komunitetet autoktone. Marrëveshja historike e nënshkruar në vitin 1969 midis dy provincave, e cila parashikon shitjen në Québec të prodhimit hidroelektrik nga hidrocentrali Churchill Falls në Labrador, për 65 vjet, pa mundësinë e indeksimit të tarifave, ka qenë një problem i madh në marrëdhëniet midis dy provincave për dekada. Kontrata e Churchill Falls është me të vërtetë një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave për strategjinë energjetike të Québec. Hydro-Québec, i cili blen 90% të prodhimit të hidrocentralit Churchill Falls, i paguan Newfoundland 0.2 cent për kilovat orë dhe e rishet këtë energji rreth 8.2 cent për kilovat orë (sipas shifrave për tremujorin e tretë të 2022 të Hydro-Québec). Përafërsisht 15% e energjisë elektrike të disponueshme çdo vit në Québec, ose 31 teravat orë (TWh) energji, vjen nga Churchill Falls me një çmim shumë të ulët. Provinca Newfoundland pat tentuar pa sukses ta anulonte këtë marrëveshje deri në Gjykatën Supreme të Kanadasë.

Andrew Furey dhe François Legault

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada

* Në foton kryesore lart, fari Swallowtail në Grand-Manan-Island (New Brunswick)