Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen do vizitojë Kanadanë
- Published in Kanada
Kabineti i kryeministrit kanadez Justin Trudeau ka njoftuar dje (02.03) që presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen do vizitojë zyrtarisht Kanadanë nga 6 deri më 8 mars. Trudeau dhe von der Leyen do diskutojnë të gjitha temat e rëndësishme dhe prioritetet e përbashkëta të partneritetit transatlantik mes Kanadasë dhe Bashkimit Europian (BE), përfshi promovimin e energjive dhe teknologjive të pastra, stimulimin e rritjes ekonomike, ndër të tjera përmes Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Tregtisë (CETA) dhe Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik (SPA). Subjekt diskutimi do jetë gjithashtu bashkëpunimin në kuadrin e mbështetjes ndaj Ukrainës.
Kryeministri kanadez dhe presidentja e KE do të kenë një takim dypalësh në Kingston më 7 mars ku gjithashtu do të vizitojnë bazën e Forcave të Armatosura Kanadeze dhe do takohen me një pjesë të personelit të përfshirë në Operacionin REASSURANCE që mbështet dhënien e ndihmës humanitare ndaj refugjatëve ukrainas përmes Task-Force të vendosur në Poloni. Pas vizitës në Kingston, dy liderët do kthehen në Ottawa, ku presidentja von der Leyen do mbajë një fjalim në Dhomën e deputetëve të Parlamentit federal. Kryeministri Trudeau do të organizojë gjithashtu një pritje për drejtues europianë dhe kanadezë të biznesit dhe industrisë. Ndërkohë, të mërkurën 8 mars, në ora 9:30, Ursula von der Leyen do të takohet zyrtarisht në Rideau Hall me Guvernatoren e Përgjithshme të Kanadasë, Mary Simon.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Ursula von der Leyen në Kanada. Takimi i fundit mes saj dhe kryeministrit kanadez është zhvilluar më 21 shtator 2022, gjatë sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në New York.
Marrëdhënia midis Kanadasë dhe Bashkimit Europian, daton që nga viti 1959 dhe është marrëdhënia formale më e vjetër e BE me një vend të industrializuar. Në vitin 2021, tregtia e dyanshme e mallrave midis Kanadasë dhe BE-së arriti në 100 miliardë dollarë (67.5 miliardë euro), që përfaqëson një rritje prej më shumë se 33% që nga aplikimi i përkohshëm i CETA-s më 2017.
Pas vizitës në Kanada, presidentja e Komisionit Europian do të udhëtojë drejt SHBA, ku në datën 10 mars do takohet në Washington me presidentin Joe Biden.
© Flasshqip.ca me informacion dhe foto nga Zyra e Kryeministrit të Kanadasë
*Në foton lart Justin Trudeau dhe Ursula von der Leyen gjatë takimit të fundit më 21 shtator 2022 në New York.












