Kanada

Ndërhyrja e Kinës në zgjedhjet kanadeze: Opozita kërkon me insistim hetim publik

  • Published in Kanada

Dje (07.03.), në Dhomën e Deputetëve, kreu i opozitës zyrtare Pierre Poilievre kritikoi ashpër idenë e kryeministrit Justin Trudeau për emërimin e një raportuesi special për të hetuar ndërhyrjen e mundshme të Kinës në procesin zgjedhor kanadez: “Komision sekret, që do të kryeje një hetim sekret me informacione sekrete. Fake job… Çfarë ka për të fshehur kryeministri?”!

Debate të forta janë zhvilluar dje në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit federal kanadez gjatë seancës së pyetjeve, aq sa kryetarit Anthony Rota, iu desh të ndërhynte disa herë për të qetësuar gjendjen. Të gjitha partitë opozitare e kane refuzuar emërimin e pritshëm nga ana e kreut të qeverisë, Justin Trudeau, të një raportuesi special, të pavarur sipas këtij të fundit, për të hetuar ndërhyrjen e pretenduar të Kinës në dy zgjedhjet e fundit federale. Para dy ditësh, kryeministri kanadez pat deklaruar se do t’i takojë këtij raportuesi special të përcaktojë nëse duhet të krijohet apo jo një komision hetimor për ketë çështje, që ka tërhequr vëmendjen e mbarë opinionit publik në vend.

Nga ana e tij, kryetari i Partisë Konservatore Kanadeze, Pierre Poilievre, e ka cilësuar idenë e kryeministrit një “komisionit sekret që do të kryejë një hetim sekret me informacione sekrete. Një proces që ndjek rregullat e Vegas-it, çfarë thuhet në Vegas, mbetet në Vegas. Çfarë ka për të fshehur kryeministri?”, ka shigjetuar Poilievre. Ndërkohë, para seancës në Parlament, gjatë një konference për shtyp, kreu i Konservatorëve ngriti pikëpyetje për funksionet që do t'i ngarkohen këtij raportuesi special të pavarur: “Çfarë do të jetë konkretisht puna e ketij personi? Duket si një pseudoraportues, një fake job.”, ironizoi ai.

Lideri i opozitës ka insistuar edhe një herë që ndërhyrja e mundshme e Kinës ndaj demokracisë kanadeze duhet të bëhet objekt i një hetimi publik dhe të pavarur, një këndvështrim që mbështetet ky edhe nga Jagmeet Singh, kreu i NDP dhe Yves-François Blanchet, i Bllokut Québécois (BQ).

Presioni mbi qeverinë Trudeau rreth kësaj teme u rrit sidomos nga mesi i muajit shkurt, periudhë kur gazeta e përditshme The Globe and Mail, bazuar në dokumente të Shërbimit Informativ Kanadez të Sigurisë (CSIS), publikoi faktin se Pekini, gjatë periudhës së zgjedhjeve federale të vitit 2021, ka kryer fushata dezinformuese në mënyrë që të zgjidhej një qeveri liberale në minorancë dhe gjithashtu të humbisnin garën disa kandidatë konservatorë, që konsideroheshin si shumë kritikë ndaj Kinës. Ndërkohë, informacione të tjera, të zbuluara nga rrjeti Global News, pohuan ditët e fundit se ka patur ndërhyrje nga Kina edhe në zgjedhjet federale të vitit 2019 dhe prej atëherë është ngritur edhe një komision për të hetuar këtë çështje.

Kryeministri Trudeau ka munguar dje në Parlament, për shkak se ndodhej në Kingston së bashku me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, që po zhvillon vizitën e saj të parë zyrtare në Kanada. Ai do jetë prezent në seancën e sotme të pyetjeve (08.03.) në Dhomën e Deputetëve kur pritet sërish të ngrihet toni i debateve.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Justin Tang/Sean Kilpatrick