Presidenti amerikan Joe Biden do vizitojë Kanadanë më 23-24 mars
- Published in Kanada
Janë konfirmuar dje (09.03.) datat e vizitës së paralajmeruar zyrtare në Kanada të presidenti të SHBA. Joe Biden dhe bashkëshortja e tij, zonja e parë Jill Biden, do jenë mysafirë në Ottawa në datat 23 dhe 24 mars. Kjo është vizita e pare e Biden që nga marrja e e detyrës së presidentit. Përveç takimit zyrtar me kryeministrin Trudeau, kreu i shtetit amerikan do të mbajë edhe një fjalim në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit kanadez.
Sipas njoftimit për shtyp të publikuar nga zyra e kryeministrit të Kanadasë, të dy liderët do të përfitojnë nga rasti për të intensifikuar bashkëpunimin e tyre në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, ndryshimeve klimatike dhe imigracionit. Në njoftimin zyrtar, kryeministri Trudeau është shprehur se mezi pret të takohet me presidentin Biden në Ottawa dhe ka theksuar se “Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara janë aleatë, fqinjë dhe mbi të gjitha miq. Përballë pasigurisë globale, ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mbrojtur kontinentin tonë dhe vlerat tona të përbashkëta, për të krijuar më shumë mundësi për qytetarët dhe bizneset në të dy anët e kufirit”.
Joe Biden dhe Justin Trudeau pritet të diskutojnë në veçanti rreth çështjes së “nxehtë” të Roxham Road, migrimin e parregullt dhe Marrëveshjes për Vendin e Tretë të Sigurt. Në kuadrin e përgatitjeve për takimin Trudeau-Biden, të martën që kaloi (07.03) ministri federal i Imigracionit Sean Fraser udhëtoi në Washington për të diskutuar këtë temë me Sekretarin e Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas. Sipas Fraser, takimi ka qenë “shumë produktiv”.
Në lidhje me vizitën presidenciale, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se dëshirojnë të forcojnë lidhjet e tyre ekonomike, veçanërisht në fushën e ekonomisë së pastër. Ndërkohë njoftimin zyrtar për shtyp, qeveria Trudeau ka pohuar gjithashtu se dëshiron të forcojë konkurrencën dhe të krijojë zinxhirë furnizimi të qëndrueshëm, sidomos për sa i takon mineraleve kritike. Kanadaja aktualisht po tenton të pozicionohet si një lojtar kyç në zinxhirin e furnizimit të automjeteve elektrike për shkak të burimeve të saj strategjike minerale që përdoren në këtë industri. Temë diskutimi e takimit Trudeau-Biden do të jetë gjithashtu mbrojtja dhe bashkëpunimi në kuadrin e NORAD, bashkëpunimi kontinental në zonën e oqeanit Arktik si dhe mbështetja e Ukrainës.
Marrëdhëniet Kanada-SHBA
Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë kufirin tokësor më të gjatë në botë, gati 9,000 km.
Sipas statistikave, para pandemisë, afërsisht 400,000 vetë kalonin kufirin Kanada-SHBA çdo ditë, ndërsa në vitin 2021, 800,000 qytetarë kanadezë patën deklaruar se jetonin në Shtetet e Bashkuara.
Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë një volum marrëdhëniesh tregtare dypalëshe ndër më të mëdhenjtë në botë. Në vitin 2021, vlera e tregtisë së dyanshme të mallrave dhe shërbimeve midis dy vendeve ishte mbi 1 trilion dollarë, duke e bërë Kanadanë partnerin më të madh tregtar të Shteteve të Bashkuara në mallra dhe shërbime.
Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara janë burimet kryesore të importit të energjisë për njëri-tjetrin.
Gjatë vitit 2021, Kryeministri Trudeau dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara iniciuan Udhërrëfyesin për një Partneritet të Rinovuar SHBA-Kanada si dhe krijuan Task Forcën e Zinxhirit të Furnizimit Kanada-SHBA, mandati i së cilës është të forcojë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit në mënyrë dypalëshe dhe të thellojë marrëdhëniet ekonomike të ndërlidhura dhe reciprokisht.
Marrëveshja Kanada-SHBA-Meksikë (CUSMA) mbulon një nga rajonet më të mëdhenj të tregtisë së lirë në botë.
Kanadaja dhe SHBA bashkëpunojnë në forume shumëpalëshe si Këshilli i Arktikut, Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), G20, G7, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Organizata e Shteteve Amerikane (OAS), Organizata për Bashkëpunimi dhe Zhvillimi Ekonomik (OECD), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Organizata Organizata Botërore e Tregtisë (OBT).
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada dhe Zyra e kryeministrit të Kanadasë
*Në foton lart, Trudeau dhe Biden gjatë Samitit të liderëve të Amerikës së Veriut, 10 janar 2023, Mexico City (The Canadian Press/Adrian Wild).












