Java Kanadeze - Lajme shkurt 12 mars 2023
- Published in Kanada
Manitulin Island - Ontario
-British Columbia, qeveria shfuqizon vaksinimin e detyruar për funksionarët publikë
-Alberta, dy skiatorë cross-country përgatiten për një garë shumë të vështirë në Groenlandë
-Saskatchewan, 9.3 milionë dollarë humbje për shkak të mashtrimeve gjatë vitit 2022
-Nova Scotia, rreth 14% e popullsisë së provincës në listë pritje për mjek familjeje
-Newfoundland, shfaqen arinj polarë pranë zonave të banuara
-Québec, miliarderi Pierre Carle Péladeau blen ekipin e futbollit Alouettes të Montréal
-Ontario, ornganizohet turneu i hokejit mbi akull që bashkon komunitetet autoktone
British Columbia - Qeveria e provincës British Columbia vendosi anulimin e politikës që detyronte nëpunësit publikë provincialë të vaksinohen kundër COVID-19. Që nga 3 prilli i ardhshëm, kësaj kategorie nuk do t'i kërkohet më të paraqesin dëshminë e vaksinimit, ndërsa punonjësve të pezulluar për shkak të mosrespektimit të kërkesës së vaksinimit do t'u jepet mundësia të kthehen përsëri në punë. Sipas qeverisë provinciale, vendimi u mor për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit në radhët e shërbimit publik dhe gjendjes aktuale të pandemisë. Aktualisht 98% e punonjësve të shërbimit publik e kanë përmbushur kërkesën e vaksinimit. Detyrimi për vaksinim do të mbetet në fuqi vetëm për punonjësit e institucioneve të kujdesit shëndetësor.
Alberta - Dy albertanë, Andy Buchholtz dhe Alma Steyn, pritet të udhëtojnë drejt Groenlandës për të marrë pjesë në Garën e Rrethit Arktik (Arctic Circle Race), një garë skish cross-country, që konsiderohet si një nga më të vështirat në botë. Për t'u përgatitur për këtë garë, ata përpiqen të rikrijojnë kushtet në të cilat do të duhet të konkurrojnë. Stërvitjen e kryejnë në zonën e Canmore dhe çdo mëngjes gjatë ditëve që ushtrojnë përgatisin skitë, paketojnë çantat dhe përgatisin ushqimin. Për faktin që gara zhvillohet në temperatura shumë të ftohta, është i domosdoshëm furnizimi me ushqim, pajisjet e duhura si dhe simulimi i situatave me të cilat do t’u duhet të përballohen gjatë garës, përfshi dhe fjetjen jashtë në temperatura nën -20 gradë Celsius. Gara e Rrethit Arktik, e cila ka nisur që nga viti 1998, zhvillohet çdo vit në Groenlandën jugperëndimore, me përjashtim të tre viteve të fundit për shkak të COVID-19. Në një mjedis sa madhështor, aq edhe jomikpritës, garuesit duhet të përshkojnë 160 kilometra me ski. Dyshja e skiatorëve albertanë ka edhe tri javë për t'u përgatitur. Nisja e garës do të zhvillohet më 31 mars në Sisimiut të Groenlandës.
Saskatchewan - Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Kanadeze Kundër Mashtrimi Financiar, shuma e parave të humbura për shkak të mashtrimit vitin e kaluar pothuajse u dyfishua në provincën Saskatchewan, krahasuar me një vit më parë, edhe pse numri i viktimave pati një rritje relativisht të vogël. Sipas këtyre të dhënave, më shumë se 9.3 milionë dollarë iu vodhën 790 personave në provincë në vitin 2022, krahasuar me 4.8 milionë dollarë të humbur nga 643 persona në vitin 2021. Më shumë se një e treta e parave të humbura, ose rreth 3.3 milionë dollarë iu vodhën të moshuarve, përndryshe një në tre viktima është person i moshuar. Gjatë vitit 2022 mashtrimi dhe vjedhja u rrit në një shkallë të konsiderueshme në gjithë Kanadanë. Raportohen 529 milionë dollarë që iu janë marrë me mashtrim rreth 37,000 individëve. Ndërkohë, Ontario është provinca më e prekur me rreth 11,110 persona që kanë humbur më shumë se 213 milionë dollarë.
Nova Scotia - Sipas Autoritetit Shëndetësor provincial, lista e banorëve të Nova Scotia në pritje për të pasur një mjek familjeje ka arritur një rekord të ri prej 137,587 vetësh. Kjo shifër përfaqëson gati 14% të popullsisë së provincës dhe lista e të regjistruarve e pat kaluar pragun e 100 mijë emrave për herë të parë në verën e vitit 2022. Sipas Statistics Canada, gjatë vitit të kaluar popullsia e Nova Scotia u rrit 3.2% dhe 8.1% gjatë pesë viteve të fundit, për të arritur në gjithsej 1,030,953 banorë në tremujorin e fundit të 2022. Arsyeja e dhënë nga 35% e njerëzve që e shtuan emrin në listën e pritjes muajin e fundit ishte se ata ishin të rinj në rajonin ku banojnë, më shumë se 25% e tyre deklaruan se nuk kishin më mjek familje për shkak se ky i fundit ose kish mbyllur kabinetin e tij, ose ishte shpërngulur, më shumë se 15% deklaruan se mjeku i tyre kishte dalë në pension dhe 15% të tjerë se mjeku i tyre i kish njoftuar se do të dilte në pension së shpejti.
Newfoundland - Qeveria e Newfoundland dhe Labrador ka publikuar një paralajmërim për prezencë arinjsh polarë në zonat e Saint Anthony, në veri të ishullit të Newfoundland, si dhe Port Hope Simpson, Saint Lewis dhe Black Tickle, në Labradorin jugor. Kjo është hera e parë që një paralajmërim i tillë ndodh gjatë dimrit. Një banore e quajtur Sybil Rose dhe bashkëshorti i saj, të cilët jetojnë në St Carols, një komunitet prej 20 shtëpish në veri të St Anthony, e kanë parë një ari të tillë të martën e kaluar (07.03.). Ariu ishte duke notuar dhe më pas doli në breg. Ata madje kanë arritur ta fotografojnë teksa ka kaluar para shtëpisë së tyre. Edhe pse vëzhgimi i një ariu polar është një spektakël i bukur, provinca ka paralajmëruar se ai është një kafshë e egër dhe se nuk duhet t'i afrohesh. Arinjtë polarë në Newfoundland duhet të raportohen në numrin 709-457-2300, ose në linjën e urgjencës pas orarit të punës 709-457-7243, ndërsa në Labradorin jugor duhet të raportohen në 709-960-0400, ose në linjën e urgjencës pas orarit të punës 709-897-7116.
Québec - Liga Kanadeze e Futbollit (Canadian Football League) njoftoi të premten (10.03.) se biznesmeni miliarder Pierre Karl Péladeau bleu i vetëm ekipin e Montréal Alouettes. Lajmi u konfirmua gjatë një konference për mediat që u mbajt në Stadiumin Olimpik në Montréal, kur mori pjesë dhe komisari i Ligës, Randy Ambrosie. Ekipi Alouettes para kësaj blerjeje, ishte vënë për së dyti nën tutelën financiare të Canadian Football League. Në komunikatën zyrtare, pronari i ri, Péladeau, ka përmendur rrënjët e tij të origjinës nga Montréal si dhe ka theksuar rëndësinë që ka ekipi Alouettes për qytetin. Pierre Carles Péladeau, 61 vjeç, është drejtuesi i gjigandit mediatik dhe telekomunikimit Québecor, kompani e themeluar nga babai i tij. Për pak kohë ai është marrë edhe me politikë, kur në vitet 2014-2016 ishte deputet i Parti Québecois dhe për një viti kryetar i saj.
Ontario - Ka nisur sot (12.03.) në Mississauga, turneu i 49-të vjetor Little Native Hockey League, ku marrin pjesë më shumë se 2,400 të rinj autoktonë, që përfaqësojnë më shumë se 40 First Nations në të gjithë Ontario-n. Përtej performancës sportive të 184 ekipeve pjesëmarrëse, veprimtaria, e cila do të zgjasë deri të enjten e ardhshme, synon të promovojë e t’i bëjë jehonë unitetit të komuniteteve autoktonë të provincës, pavarësisht dallimeve midis tyre. “Ne kemi kultura të ndryshme dhe gjuhë të ndryshme nga një komunitet në tjetrin por e konsiderojmë veten si një familje e madhe që ka nevojë për unitet, sepse mbi të gjitha ne kemi të përbashkët faktin që të gjithë jemi autoktonë”, i ka deklaruara CBC shefi i Nipissing First Nation, Scott McLeod, komuniteti pritës këtë vit i aktivitetit. Turneu i pare i Little Native Hockey League u organizua me 200 lojtarë dhe 17 ekipe, në Little Current të Manitoulin Island, në vitin 1971.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada