Kanada

Ndikimi i Kinës në zgjedhjet kanadeze: Trudeau emëron David Johnston si raportues special

  • Published in Kanada

Sot gjatë pasdites (15.03) kabineti i kryeministrit kanadez Justin Trudeau ka njoftuar ëmërimin e ish-Guvernatorit të Përgjithshëm të Kanadasë, David Johnston, në rolin e raportuesit special të pavarur, i ngarkuar të përcaktojë nëse duhet krijuar ose jo një komision i posaçem hetimi publik mbi të dhënat e publikuara nga mediat që lejojnë të dyshohet se ka patur ndërhyrje për të ndikuar në rezultatin e dy zgjedhjeve të fundit federale nga ana e shtetit kinez, përmes përfaqësuesve të tij në territorin kanadez.

“Bëhet fjalë për një institucion ad hoc të ri që u krijua në kuadrin e një serie masash që synojnë të luftojnë ndërhyrjen e huaj dhe rritjen e besimit të publikut në raport me procesin elektoral federal dhe institucionet tona demokratike”, theksohet në komunikatën zyrtare të qeverisë. Në deklaratën e kabinetit kryeministror pretendohet gjithhashtu që ky vendim është marrë pas konsultimeve më të gjitha partitë e përfaqësuara në Dhomën e Deputetëve, ndërkohë që partitë e opozitës e kanë hedhur poshtë që në fillim idenë e një raportuesi special duke insistuar në domosdoshmërinë e një hetimi publik.

Nuk dihet ende data e saktë kur David Johnston do të nisë ushtrimin e funksionit të tij të ri, por sipas komunikatës, stafi i Trudeau “po bashkëpunon me të për definimin e plotë të objektit të mandatit, që më pas do të njoftohet publikisht dhe z. Johnston do të jetë përgjegjës për identifikimin e të gjitha boshllëqeve apo elementëve që kërkojnë një vëmendje të mëtejshme për të mbrojtur integritetin e demokracisë kanadeze”.

Kryeministri Trudeau e pat deklaruar qysh më 6 marsin e shkuar synimin e tij për të emëruar një personalitet të njohur në këtë detyrë. Ai u pat kërkuar gjithashtu krerëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës (CPSNR) dhe Zyrës Mbikqyrëse të Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës të ndërmerrnin hapa urgjente në lidhje me “Dosjen e ndërhyrjeve të huaja”.

Komisioni i sipërpërmendur parlamentar funksionon me dyer të mbyllura. Ai përbëhet nga deputetë të të gjitha partive parlamentare si dhe senatorë të pajisur me autorizim të kategorisë “tepër sekret” dhe që janë të detyruar të ruajnë sekretin përgjithmonë.

Ndërkohë, prej disa javësh, partitë e opozitës i kanë bërë thirrje me insistim kryeministrit Trudeau të nisë një hetim publik për këtë temë shumë të ndjeshme. Ish-këshilltari i kryeministrit, Gerald Butts, i deklaroi gjithashtu The Globe and Mail se ky hetim është i domosdoshëm. Të njëjtën gjë bëri edhe një ish-drejtor i përgjithshëm i zgjedhjeve federale. Nga ana tjetër, një seri raportimesh nga rrjeti Global dhe e përditshmja Globe and Mail vazhdojnë të përshkruajnë me detaje përpjekjet për ndërhyrje të orkestruara nga Kina gjatë dy fushatave të fundit zgjedhore federale.

Këto të dhëna, të siguruara nga burime për të cilat mediat kanë ruajtur anonimatin duke deklaruar vetëm faktin që ato vijnë nga agjencitë kanadeze të sigurisë, të lënë të besosh se Pekini synonte rizgjedhjen e Liberalëve të Justin Trudeau, në krye të një qeverie në minorancë, në dëm të Konservatorëve. Raportimet e mediave kanë theksuar se për realizimin e ketij synimi konsullatave kineze në territorin kanadez iu kërkua me insistim të mobilizonin anëtarët e komunitetit kino-kanadez.

Pas emërimit të sotëm, disa përfaqësues të opozitës kanë vlerësuar personalitetin e David Johnston, por në të njëjtën kohë e kanë drejtuar gishtin te kryeministri Trudeau duke theksuar që në këtë dosje atij i ka munguar totalisht lidershipi.

81 vjeçari David Lloyd Johnston, me origjinë nga Ontario dhe me profesion jurist, ka qenë për rreth 45 vjet profesor i së Drejtës, para se të emërohej Guvernatori i Përgjithshëm i 28-të i Kanadasë, funksion të cilin e kreu në vitet 2010-2017. Ai ka drejtuar për dy mandate Universitetin e Waterloo dhe për tre mandate ka qenë rektor i Universitetit McGill. Ai është shtetasi i parë jo-amerikan që u zgjodh kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Universitetit Harvard, ku u diplomua me vlërësimin Cum Laude në vitin 1963. Johnston është diplomuar gjithashtu në universitetet Cambridge dhe Queen's si dhe është autor ose bashkëautor i më shumë se 30 librave.

© Flasshqip me informacion nga The Canadian Press dhe Zyra e kryeministrit të Kanadasë

Foto: The Canadian Press/Sean Kilpatrick