Kanada

Kanada - Volkswagen do hapë një mega-uzinë baterish për automjetet elektrike

  • Published in Kanada

Prodhuesi gjerman i automjeteve Volkswagen, njoftoi para pak ditësh se filiali i tij PowerCo do të ndërtojë një uzinë gjigande të prodhimit të baterive për automjetet elektrike në St. Thomas, Ontario. Kjo është uzina e parë e baterive që Volswagen hap në Amerikën e Veriut dhe e treta uzinë afërsisht me të njejtën madhësi, pas atyre të ndërtuara në Salzgitter (RFGJ) dhe Valencia (Spanjë). Vlera e parashikuar e investimit arrin në rreth 20 miliardë dollarë.

Fabrika, që do vendoset në juglindje të London dhe e planifikuar të nisë punën në vitin 2027, do t'i mundësojë Volkswagen-it të ketë akses në subvencionet amerikane të cilat kanë si kusht që bateritë për automjetet elektrike të prodhohen me materiale të Amerikës së Veriut.

Gjashtë muaj para këtij njoftimi, Kanadaja dhe Volkswagen nënshkruan një memorandumi mirëkuptimi mbi furnizimin me lëndët e para të domosdoshme për prodhimin e baterive. Sipas këtij memorandumi, prodhuesi gjerman pat marrë përsipër ndërtimin e një objekti në territorin kanadez. Realizimi i projektit po bëhet gjithashtu i mundur pas miratimit të një ligji nga ana e provincës Ontario që modifikoi kufijtë administrative të një territori prej 1500 hektarësh në Ontario jugperëndimore.

Në një deklaratë të përbashkët, François-Philippe Champagne, Ministër Federal i Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë, dhe Vic Fedeli, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Punësimit dhe Tregtisë i Ontarios, përshëndetën vendimin e Volkswagen, që ata e konsideruan si “një votë besimi e rëndësishme për Kanadanë dhe Ontario-n, në përpjekjet e tyre të përbashkëta për t’u bërë liderë globalë në zinxhirin e furnizimit të automjeteve elektrike”.

Fabrika e Volkswagen do të jetë e dyta e këtij lloji në Ontario, pas asaj të konglomeratit LG Energy Solution Stellantis, që parashikohet të hapet në Windsor gjatë vitit 2025.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Photo: Reuters