Kanada

Shërbimi Sekret deklaron: “Ndërhyrja e Kinës kërcënimi më i madh për sigurinë kanadeze”

  • Published in Kanada

Përmes një deklarate bombë, Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë CSIS (Canadian Security Intelligence Service) ka pohuar dje (17.03.) se ndërhyrja e jashtme e Kinës përbën “kërcënimin më të madh strategjik për sigurinë kombëtare të Kanadasë”. Agjencia kanadeze e inteligjencës e bëri deklaratën në përgjigje të një kërkese për koment nga Radio-Canada, media shtetërore, një ditë pasi gazeta The Globe and Mail publikoi një artikull ku thuhej se Konsullata e Përgjithshme e Kinës në Vancouver ka ndërhyrë në procesin e zgjedhjeve bashkiake të vitit 2022.

Ndërkohë, deklarata e CSIS nënvizon se nuk mund të konfirmojë, por as të mohojë vërtetësinë e informacionit në artikullin Globe and Mail, por nga ana tjetër, në përgjigjen drejtuar Radio-Canada thuhet se strukturat e inteligjencës së Kanadasë “konstatojnë që organizata të sponsorizuara nga shtete të huaja, vazhdojnë të kryejnë aktivitet influencues, në mënyrë të vazhdueshme dhe të sofistikuar për të ndërhyrë në punët e institucioneve demokratike të Kanadasë dhe këto aktivitete janë gjithnjë e më të shpeshta” dhe për këtë arsye, “çështja po trajtohet dhe shqyrtohet me shumë seriozitet”.

Po ashtu, deklarata e CSIS thekson veçanërisht që edhe pse Kanadaja ka një sistem të konsoliduar zgjedhor, ndërhyrja e huaj mund ta dëmtojë integritetin e institucioneve të saj demokratike ndaj dhe po përdoren të gjitha kompetencat që jep ligji për të hetuar mbi këtë rrezik që vjen nga jashtë, për të këshilluar qeverinë dhe për të marrë masa për reduktimin e tij. CSIS saktëson gjithashtu se rreziku nuk vjen nga populli kinez, por nga Partia Komuniste e Kinës dhe qeveria kineze, që po zbatojnë një strategji që synon arritjen e përfitimeve gjeopolitike në të gjitha frontet dhe me çdo lloj mjeti.

Një deklaratë e pazakontë për CSIS sipas ekspertëve

Sipas Roromme Chantal, profesor në Shkollën e Lartë të Studimeve Publike pranë Universitetit të Moncton dhe specialist në fushën e politikës së Jashtme të Kinës, krahasuar me deklarimet e qeverisë dhe në veçanti pohimet e kryeministrit Trudeau, deklarata e Canadian Security Intelligence Service është shumë e fortë.

“Nëse Justin Trudeau nga njera anë, e ka pranuar ndërhyrjen e Kinës, por çdo herë vrapon të thotë se veprime të tilla, për momentin, nuk kanë asnjë ndikim në sistemin zgjedhor kanadez apo në rezultatin e zgjedhjeve, nga ana tjetër, këmbana e zyrtarëve të shërbimit inteligjent ka një tingull krejt të ndryshëm”, ka pohuar Chantal për Radio-Canada.

Michel Juneau-Katsuya

Ndërsa sipas ekspertit në fushën e sigurisë kombëtare dhe ish-drejtuesit të Zyrës së Azi-Paqësorit në CSIS, Michel Juneau-Katsuya, deklarata e shërbimeve sekrete kanadeze është plotësisht e saktë dhe përshkruan me përpikmëri kërcënimin me të cilin po përballet vendi.

“Ajo që duhet të kuptojmë është se, aktualisht, shteti kinez dhe shërbimet e inteligjencës kineze janë kthyer ndoshta në kundërshtarët më të rrezikshëm dhe më efektivë në këto përpjekje për të ndikuar dhe infiltruar brenda procesit të vendimmarrjes dhe administrimit të shtetit kanadez”, ka deklaruar ai, duke nënvizuar gjithashtu se kjo është hera e parë që CSIS pranon kaq qartë shkallën e rrezikut me të cilin përballet Kanadaja si shtet sovran.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Reuters/Fred Dufour; Radio-Canada/Olivier Lalande