Java Kanadeze - Lajme shkurt 19 mars 2023
- Published in Kanada

Parada e St. Patrick Day Toronto
-British Columbia, Greater Vancouver përforcon rezervuarët e ujit për përballimin e tërmeteve
-Alberta, qeveria u akordon nga 100 mijë dollarë familjeve të dy policëve që humbën jetën të enjten në Edmonton
-Saskatchewan, komunitetet autoktonë të angazhuar në tranzicionin energjitik
-Nova Scotia, qeveria konsultohet me infermierët për kushtet e punës
-Ontario, zhvillohet parada e madhe e St. Patrick Day në Toronto
British Columbia - Bashkitë e Greater Vancouver vazhdojnë zbatimin e programit të përforcimit të strukturave të 26 rezervuarëve të ujit të pijshëm në rajon për përballimin e tërmeteve të fortë. Qysh nga nga rishikimi i standardeve sizmike në vitet 1990, programi u krijua për riparimin dhe përditësimin e rezervuarëve për të garantuar furnizimin me ujë të pijshëm edhe në rast tërmeti. Ndër rezervuarët e prekur është ai i Pebble Hill, në Delta, ku puna e rehabilitimit filloi në vjeshtën e vitit 2021 dhe synon veçanërisht të përforcojë strukturën nëntokësore prej betoni të ndërtesës, të rrisë volumin e mureve dhe çatisë si dhe të shtojë elementë përforcues prej çeliku. Punime rehabilituese parashikohen gjithashtu në rezervuarët Sasamat, Greenwood, Maple Ridge dhe Glenmore, zona të cënueshme në rast të një tërmeti, sipas Marilyn Towill, drejtoreshë e përgjithshme e Ujësjellësit të Metro Vancouver. “Çdo rezervuar duhet të vlerësohet individualisht për të përcaktuar jetëgjatësinë e tij të përdorimit si dhe për të parë se mbi cilët komponentë duhet të punohet për të rritur jetëgjatësinë e tyre”, ka shpjeguar gjithashtu për Radio-Canada kryeinxhinieri Matthew Dybwad, duke shtuar se “jetëgjatësia mesatare e një rezervuari është 75 deri në 100 vjet”.
Alberta - Familjet e dy policëve të Bashkisë Edmonton që humbën jetën të enjten (16.03) do marrin secila nga 100,000 dollarë ndihmë prej Fondit Alberta Heroes. Lajmin e bëri të ditur kryeministrja e provincës, Danielle Smith, gjatë emisionit të saj të përjavshëm çdo të shtunë në radio, ku ajo foli edhe për vrasjen e dy policëve Brett Ryan dhe Travis Jordan, nga një adoleshent 16 vjeçar, i cili më pas kreu vetëvrasje, ndërkohë që Ryan dhe Jordan i ishin përgjigjur një thirrjeje për ndihmë në një rast dhune në familje. Kryeministrja Smith tha se Fondi Alberta Heroes u krijua në vitin 2020 dhe shumat e akorduara do t’i ndihmojnë familjet për të përballuar “kostot që lidhen me trajtimin e kësaj tragjedie të tmerrshme”. Sipas faqes së internetit të qeverisë, ky fond synon vlerësojë sakrificat e atyre që vdesin në krye të detyrës. Kryeministrja e Alberta-s inkurajoi gjithashtu qytetarët të dhurojnë për familjet e dy policëve përmes GoFundMe, në një fushatë mbledhje fondesh të organizuar nga Fondacioni i Policisë së Edmonton.
Saskatchewan - Në lëvizjen e tranzicionit drejt energjisë së gjelbër në Kanada rezulton që edhe komunitetet autoktonë janë të përfshirë në shumë projekte, mes të tjerash edhe në provincën Saskatchewan. Sipas një raporti të vitit 2020 të OJF Indigenous Clean Energy janë identifikuar deri tani 197 projekte të mesme dhe të mëdha të prodhimit të energjisë së rinovueshme që përfshijnë pjesëmarrjen autoktkone. Drejtori ekzekutiv i organizatës, Chris Henderson, pohon se pjesëmarrja e autoktonëve po rritet sepse Kanadaja synon të prodhojë energji të pastër për të përmbushur qëllimet e saj mjedisore dhe sepse sektori i energjisë, i dominuar nga kompanitë e mëdha naftënxjerrëse dhe të gazit, tashmë është dekolonizuar. Aktualisht llogaritet që komunitetet autoktonë janë pronarë, bashkëpronarë ose kanë marrëveshje përfitimi financiar në pothuajse 20% të infrastrukturës së prodhimit të energjisë elektrike në Kanada, pra janë pronarët më të mëdhenj të aseteve pas kompanive publike. Me vlerë 21 milionë dollarë, projekti i paneleve diellore Awasis i Cowessess First Nation është i lidhur me rrjetin elektrik të Saskatchewan dhe është i aftë të furnizojë mesatarisht 2500 banesa në vit. Jetëgjatësia e kompleksit e vlerësuar 35 vjet, pritet të reduktojë emetimet e gazrave në masën 350,000 ton, ekuivalent me emetimet e më shumë se 70,000 makinave me benzinë të përdorura gjatë një viti.
Nova Scotia - Kryeministri i Nova Scotia Tim Houston dhe ministrja e Shëndetësisë Michelle Thompson ftuan gjatë ditës së sotme (19.01.) në një takim konsultimi online infermierë nga e gjithë Nova Scotia. Një mesazh iu dërgua infermierëve përmes sindikatave të tyre përkatëse të premten (17.02.) ku thuhej se kryeministri dhe ministrja do organizojnë një takim për të dëgjuar idetë dhe komentet e tyre mbi kujdesin shëndetësor në Nova Scotia. Takimi zhvillohet në momentin kur qeveria po negocion kontratat e reja kolektive me sindikatat e infermierëve. Drejtuesit e Sindikatës së Infermierëve dhe Sindikata e Punonjësve të Qeverisë deklaruan nga ana e tyre se qeveria duhet të bëjë më shumë për të tërhequr dhe mbajtur infermierët në provincë. Njoftimi dërguar infermierëve thoshte se 1000 personat e parë që do të regjistrohen për takimin mund të bëjnë pyetje. Numri i vendeve të lira në stafet e spitaleleve të Nova Scotia sa vjen e po rritet dhe qeveria për të mbushur boshllëqet, po mbështetet gjithnjë e më shumë në shërbimet private të infermierisë me kosto të lartë.
Ontario - Dy ditë pas Ditës Kombëtare të Irlandës dhe për të kremtuar trashëgimine irlandeze, u zhvillua sot (19.03.) në Toronto parada e 34-t vjetore e St. Patrick Day, e cilësuar si një nga më të mëdhatë. Sipas shoqatës së paradës në fjalë, më shumë se 5,000 pjesëmarrës parakaluan sot dhe qindra mijëra të tjerë u rreshtuan në rrugë për të ndjekur festimet. Presidenti i shoqatës Shaun Ruddy deklaroi për Radio-Canada se ky eveniment është një mundësi që njerëzit nga kultura të tjera, të mësojnë rreth kulturës dhe historisë irlandeze, por gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për të promovuar qytetin e Torontos dhe diversitetin e tij. Parada e sotme nisi në mesditë në kryqëzimin e rrugëve St. George dhe Bloor West dhe më pas zbriti në rrugën Yonge për të mbërritur përpara Bashkisë.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada