Kanada

Përfundon vizita zyrtare e Joe Biden në Ottawa: Rikonfirmohet aleanca e ngushtë SHBA-Kanada

  • Published in Kanada

Gjatë fjalimin që mbajti dje (24.14.) para Dhomës së Deputetëve të Kanadasë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka përcjellë mesazhin e unitetit mes dy vendeve që ndajnë kufirin nderkombëtar më të gjatë në botë, plot 8,890 kilometra. Sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë, “amerikanët dhe kanadezët janë dy popuj dhe dy vende që ndajnë dhe të njëjtën zemër” dhe ky partneritet më shumë se nga imperativi i afërsisë gjeografike, është konsoliduar për shkak të një rrugë të përbashkët që të dy vendet kanë përzgjedhur prej kohësh. “SHBA janë të sigurt se Kanadaja mbetet partneri më i mirë, aleati më i mire dhe një vend mik konstant në miqësinë e tij”, ka thënë Biden.

Si kryeministri kanadez, ashtu edhe presidenti amerikan, në fjalimet e tyre theksuan rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes ndaj Ukrainës përballë pushtimit rus. Të dy ripërsëritën gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e ndryshimeve klimatike, veçanërisht investimeve në energjinë e pastër dhe prodhimit të automjeteve elektrike. Joe Biden konfirmoi dje zyrtarisht edhe dakordimin e arritur mës dy vendeve për zbatimin e Marrëveshjes së Vendit të Tretë të Sigurt me qëllim dekurajimin e imigracionit të paligjshëm. Si rezultat i këtij dakordimi, prej orës 24:00 të 24 marsit 2023, u mbyll përfundimisht dhe Roxham Road, pikë nga e cila prej vitesh futeshin nga territori amerikan në atë kanadez mijëra imigrantë të paligjshëm.

 

Kryministri kanadez dhe presidenti amerikan pubikuan dje edhe një deklaratë të përbashkët me shkrim, në të cilën thuhet se Kanadaja do të mirëpresë 15,000 emigrantë të tjerë nga hemisfera perëndimore gjatë vitit të ardhshëm, pa dhënë gjithsesi specifikime mbi kriteret përzgjedhëse që do të ndiqen.

Lidhur me Komandën e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD), deklarata ka konfirmuar se Kanadaja do të investojë 6.96 miliardë dollarë për modernizimin e sistemit të mbikqyrjes në Veri si dhe do të shpenzojë 7.3 miliardë dollarë për përmirësimet e domosdoshme infrastrukturore në parapërgatitje të mbërritjes së 88 avionëve të rinj luftarakë F-35, kontrata për blerjen e të cilëve nga kompania amerikane Lockheed Martin u nënshkrua përfundimisht në fillim të këtij viti.

Po kështu, në deklaratën e tyre dy liderët kanë lajmëruar krijimin e Grupit të punës për energjinë, që do të kryesohet nga Ministrja e Financave Chrystia Freeland dhe Koordinatori Special Presidencial i SHBA për Infrastrukturën Globale, grup që do të fokusohet në energjinë e rinovueshme, automjetet elektrike, mineralet kritike dhe energjinë bërthamore.

Në fushën e marrëdhënieve globale ndërkombëtare, përveç rikonfirmimit të qëndrimit të pandryshuar në raport me konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, Biden dhe Trudeau kanë theksuar faktin që Kina përbën një sfidë serioze afatgjatë për rendin ndërkombëtar, por ndryshe nga ç’pritej, nuk shpallën masa të reja për Haitin, pavarësisht se e pranuan përkeqësimin e situatës së përgjithshme të sigurisë në shtetin e vogël të Karaibeve, të përfshirë nga kaosi. Edhe pse dihet që SHBA i ka kërkuar Kanadasë marrjen përsipër të drejtimit të një kontigjenti ushtarak ndërkombëtar për stabilizimin e Haitit, kjo kërkesë nuk është pranuar nga qeveria kanadeze. Megjithatë, dje kryeministri kanadez ka njoftuar akordimin e një ndihmë prej 100 milion dollarësh për Policinë haitiane.

Vizita e parë zyrtare e Joe Biden në cilësinë e presidentit amerikan nisi të enjten (23.03) në mbrëmje dhe zgjati gjithsej 27 orë. Fillimisht ai dhe bashkëshortja e tij u takuan në aeroportin ndërkombëtar të Ottawa me Guvernatoren e Përgjithshme Mary Simon, ndërsa më pas çifti Biden e kaloi mbrëmjen në rezidencën zyrtare të kryeministrit, nën shoqërine e Justin Trudeau dhe bashkëshortes së tij.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri kanadez dhe presidenti amerikan kanë zhvilluar fillimisht një takim mes njeri-tjetrit, ndërsa më pas është zhvilluar edhe takimi mes dy delegacioneve që i shoqëronin ata, ku u konfirmuan prioritetet në fushat e bashkëpunimit dypalësh. Pas fjalimeve para Dhomës se deputetëve, Biden dhe Trudeau kanë patur dhe një komunikim me mediat.

Ndërkohë, në mbrëmje, para përfundimit të vizitës së presidentit amerikan u organizua dhe një darkë zyrtare gala në Muzeun Kanadez të Aviacionit dhe Hapësirës, ku kanë marrë pjesë rreth 350 të ftuar.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada dhe Zyra e kryeministrit kanadez.

Fotot: Radio-Canada