Java Kanadeze - Lajme shkurt 2 prill 2023
- Published in Kanada
Kopshti Botanik Montréal
-British Columbia, arrihet marrëveshja në parim mes provincës dhe mbi 51,000 infermierëve
-Alberta, manifestim në Calgary dhe paralajmërim greve nga pilotët e kompanisë WestJet
-Saskatchewan, qeveria dhe mjekët e familjes bien në ujdi për përmirësimin e aksesit të klientëve
-New Brunswick, miratohet rritja e tarifave të energjisë elektrike për banesat dhe bizneset
-Nova Scotia, publikohet raporti hetimor 3000 faqe mbi masakrën e prillit 2020 në Portapique
-Ontario, propozohet ligj që detyron parapagimin e karburantit në stacionet e furnizimit
British Columbia - Dje (01,04.) është njoftuar se sindikata që përfaqëson më shumë se 51,000 infermierë praktikantë të licencuar në British Columbia, Nurses' Bargaining Association, ka arritur të nënshkruajë një marrëveshje në parim me qeverinë provinciale. Madje kjo sindikatë e ka cilësuar marrëveshjen si një “groundbreaking”, arritje e paprecedent. Infermierët e përfshirë nga kjo marrëveshje punojnë në disa sektorë, duke përfshirë spitalet, shtëpitë e kujdesit afatgjatë, kujdesin në shtëpi dhe shëndetin publik. Health Employers Association, që përfaqëson provincën, nuk dha detaje mbi kushtet e marrëveshjes së re, por vetëm deklaroi se bazuar në këtë dokument do të optimizohet sistemi shëndetësor, do të rriten kapacitetet trajnuese dhe përmirësohet rekrutimi në mënyrë që kjo kategori punonjësish të mos largohet nga sektori publik. Sipas sindikatës, marrëveshja përfshin rritje pagash, një angazhim për të përmirësuar raportin infermier-pacient dhe masa për të mbajtur dhe rekrutuar punonjës të rinj. Procesi i ratifikimit të marrëveshjes do të nisë më 20 prill.
Alberta - Qindra pilotë të linjës ajrore WestJet manifestuan para selisë qendrore të kompanisë të premten (31.03.) në Calgary. Bernard Lewall, përfaqësuesi i pilotëve të WestJet pranë Shoqatës së Pilotëve të Linjave Ajrore (ALPA), i cituar nga Radio-Canada, ka deklaruar që “ky manifestim ishte një shprehje e zhgënjimit ndaj WestJet”, duke theksuar që pilotët janë të vendosur për të siguruar një kontratë në përputhje me standardet bashkëkohore të këtij sektori, kontratë që njeh vlerën e tyre dhe pasqyron realitetet e tregut të sotëm të punës. Sipas Lewall, pilotët kanë tre kërkesa kryesore: sigurinë e punësimit, rritje pagash dhe cilësi më të mire jetese. Ndërkohë parashikohet që votimi për të kaluar në grevë do të nisë nesër (03.04.). Nëse greva miratohet, ajo mund të fillojë që në fundjavën e gjatë të majit dhe të vazhdojë gjatë sezonit të verës. Nga ana e tij, drejtori i operacioneve të WestJet, Diederik Pen, ka pohuar se votimi për hyrjen në grevë është një praktikë e zakonshme gjatë negociatave të gjata dhe manifestimi i të premtes është një shenjë e mirë, që dëshmon se pilotët janë të përkushtuar dhe shprehin dëshirën për të qëndruar me kompaninë, e cila synon të arrijë një marrëveshje që korrespondon me objektivat e saj, që garanton stabilitet për ekuipazhin, kompaninë dhe klientët. Ndërkohë, mësohet se 240 pilotë janë larguar nga kompania WestJet gjatë vitit 2022, ndërsa 42 pilotë të tjerë u larguan prej saj në shkurt 2023.
Saskatchewan - Qeveria e Saskatchewan dhe Saskatchewan Medical Association njoftuan të premten (31.03.) arritjen e një marrëveshjeje në parim, e cila synon veçanërisht të përmirësojë shpërblimin e mjekëve të familjes, në mënyrë që t'i bëjë ata më të aksesueshëm për pacientët. Sipas njoftimit për shtyp të provincës, klinikat që do mund të përfitojnë nga këto fonde janë ato që zgjasin orarin e tyre të punës për urgjencat, shërbimet laboratorike dhe vizitat e paprogramuara. Mjekët do të marrin gjithashtu një shtesë prej 8 deri në 12 dollarë për vizitë gjatë orëve shtesë. Autoritetet provinciale besojnë se këto masa do ndihmojnë në uljen e numrit të pacientëve që i drejtohen shërbimit të urgjencës. “Aksesi i pacientëve tek mjekët e familjes është një problem serioz dhe këto masa - edhe pse jo një zgjidhje e plotë - do të ndihmojnë në lehtësimin e këtij aksesi duke ulur presionin në repartet e urgjencës”, ka deklaruar presidenti i Saskatchewan Medical Association, John Gjevre, ndërsa për provincën, kjo marrëveshje në parim plotëson masat për financimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Saskatchewan që u paraqitën në buxhetin e fundit.
New Brunswick - Bordi i Energjisë dhe Shërbimeve Publike i provincës New Brunswick publikoi të premten (31.03.) vendimin e tij përfundimtar mbi rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Për individët norma e rritjes do jetë 4.8% dhe tarifa e re hyri në fuqi më datën 1 prill. Sipas NB Power, rritja e mesatare e pagesës për klientët rezidencialë do jetë 8,64 dollarë në muaj, ndërsa për pjesën tjetër të klientelës, tarifat u rritën në masën 5.7%. Bordi miratoi gjithashtu një rritje prej 1 dollar në muaj për tarifat e qirasë së ngrohësve të ujit dhe 11,11 dollarë për tarifat e shërbimeve që u faturohen klientëve. Nga ana e saj NB Power, korporata shtetërore e prodhimit të energjisë elektrike, kishte kërkuar një rritje prej 8.9% të tarifave, si për klientët rezidencialë ashtu edhe për bizneset.
Nova Scotia - Të enjten e kaluar (30.03.) në prezencë të kryeministrit federal Justin Trudeau dhe kryeministrit provincial Tim Huston, u paraqit para publikut në Truro të provincës Nova Scotia, raporti i shumëpritur hetimor mbi masakrën që ndodhi në datat 18-19 prill të vitit 2020 në Portapique dhe zonat përreth. Masakra, e konsideruar si më e madhja në historinë e Kanadasë moderne, ngjarje në të cilën humbën jetën 22 vetë, mes të cilëve dhe një grua shtatzënë, pati për autor Gabriel Wortman. Dokumenti voluminoz prej 3000 faqesh përmban gjithsej 130 rekomandime, ndër të cilët si më të rëndësishmit përmenden rifinancimi i shërbimeve në fushën e dhunës bashkëshortore si dhe rivlerësimi i rolit të policisë. Më shumë se gjysma e rekomandimeve i adresohen RCMP, Policisë Federale Kanadeze. Nga ana e saj, RCMP i ka paraqitur falje publike të afërmve të viktimave dhe sipas komisarit në detyrë të RCMP, Michael Duheme, institucioni ka krijuar një komision të posaçëm për shqyrtimin e rekomandimeve dhe marrjen e masave adekuate. Komisioni që hetoi mbi ngjarjen dhe hartoi raportin u drejtua nga ish-kreu i Gjykatës së Apelit të Nova Scotia, Michael MacDonald.
Ontario - Sipas një projektligji të ri të propozuar nga deputeti Progresist-Konservator i zonës Mississauga-Milton, Deepak Anand, pagesa për karburantin para se përdoret pompa e furnizimit mund të bëhet e detyrueshme në provincën Ontario. “Qëllimi im është të shpëtoj jetë. Qëllimi im është të mundësoj që ne të kemi përdorim më të mirë të burimeve tona policore”, ka pohuar ai për Radio-Canada. Rritja e çmimeve të karburantit vitin e kaluar çoi në një rritje të vjedhjeve, sipas shifrave nga policia dhe aktorëve të industrisë, ndërsa sipas hulumtimeve të deputetit Anand, rreth 38,000 vjedhje benzine u raportuan në Ontario vitin e kaluar, pra mesatarisht rreth 100 vjedhje në ditë. Shoqatat e bizneseve të këtij tipi në Ontario e kanë shifruar humbjen nga vjedhjet e karburantit në pikat e karburantit gjatë vitit 2022 në të gjithë provincën në 3.75 milionë dollarë. Kjo shumë është trefishi i asaj që është regjistruar për vitin 2020. Policia Rajonale e York-ut ka raportuar një rritje prej 66% të incidenteve të vjedhjes së karburantit gjatë vitit të kaluar, ndërsa Policia Rajonale e Peel një rritje prej 44%. Projektligji propozon një sistem parapagimi në pikat e karburantit në Greater Toronto Area dhe inkurajon edhe bashkitë e tjera të provincës të miratojnë të njëjtin rregull. Megjithatë, nëse miratohet, ky detyrim do të zbatohet gradualisht. Fillimisht vetëm nga ora 21:00 deri në orën 6 të mëngjesit gjatë vitit të parë, përpara se të aplikohet 24 orë në ditë më pas. Ontario nuk do të jetë provinca e vetme që aplikon këtë model. British Columbia e ka miratuar një rregull të tillë që nga viti 2008, ndërsa Alberta që nga viti 2018. Nga ana e saj, Shoqata e Shefave të Policisë së Ontarios i ka kërkuar qeverisë së Doug Ford të miratojë propozimin e deputetit Deepak Anand.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada