Astronauti Jeremy Hansen, kanadezi i parë që do fluturojë në orbitë rreth Hënës
- Published in Kanada
Më në fund është bërë i ditur emri i astronautit kanadez që do të fluturojë për herë të parë në orbitë rreth Hënës. Ai quhet Jeremy Hansen dhe do të jetë pjestar i ekuipazhit të misionit hënor Artemis II. Njoftimin zyrtar e dha sot (03.04.) gjatë paradites Agjencia Amerikane e Hapësirës (NASA) gjatë një konference shtypi në Qendrën Hapësinore Johnson në Hjuston, Teksas. “Është një nder për mua të përfaqësoj vendin tim në këtë mision historik”, deklaroi menjëherë pas publikimit të lajmit, ish-piloti me gradën kolonel, i avionëve CF-18 të Forcave Ajrore Kanadeze.

Jeremy Hansen në vitin 2012 - Baza ajrore Cold Lake Alberta
47-vjeçari Hansen, me origjinë nga London-Ontario dhe i diplomuar në shkenca hapësinore e Fizikë pranë Kolegjit Ushtarak Mbrëtëror në Kingston, do të jetë inxhinier fluturimi në misionin me katër anëtarë, gjatë të cilit kapsula Orion do arrijë në orbitën e Hënës, mision që nuk parashikon zbritjen e asnjërit prej anëtareve të ekuipazhit mbi sipërfaqen e saj. Tre kolegët e tjerë të Jeremy Hansen janë astronautët amerikanët Reid Wiseman, 47 vjeç, komandant, Victor Glover, 46 vjeç, pilot dhe Christina Koch, 44 vjeç, specialiste e misionit. Tre amerikanët tashmë kanë fluturuar në hapësirë, ndërsa ky do të jetë fluturimi i parë hapësinor për austronautin kanadez. Ndërkohë, Christina Koch është gruaja e parë dhe Victor Glover i pari afrikano-amerikan që do të marrin pjesë në një mision hënor.
NASA dhe CSA (Canadian Space Agency) aktualisht kanë në përbërje të tyre 41 astronautë aktivë. Astronautët që nuk u përzgjodhën për misionin Artemis II mund të shpresojnë të caktohen në misionin Artemis III, në të cilin parashikohet që ata të zbresin mbi sipërfaqen hënore për herë të parë pas më shumë se 50 vjetësh. Ndër kanadezët, David Saint-Jacques ka qenë i fundit që fluturoi në kozmos në vitin 2018, gjatë një misioni 204-ditor pranë Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).

Ekuipazhi i misionit Artemis II
Prezenca kanadeze në kapsulën Orion vjen si rezultat i faktit që Kanadaja është duke projektuar sistemin inteligjent robotik Canadarm3 i cili do të instalohet në stacionin hapësinor të ardhshëm Gateway. Ky angazhim në programin Artemis, i jep të drejtën Kanadasë të marrë pjesë në dy fluturime drejt Hënës dhe në eksperimente të mundshme shkencore në bordin e Gateway. Pas Jeremy Hansen, një austronaut tjetër kanadez parashikohet të përfshihet në një mision të mëvonshëm të programit.
Programi Artemis ka tre komponentë. I pari, i cili u realizua në fund të vitit 2022, testoi raketën SLS dhe anijen kozmike Orion pa një astronaut në bord. Përveç kësaj, Artemis I ishte një mundësi për të testuar me sukses mburojën e nxehtësisë së Orionit, më e madhja e ndërtuar ndonjëherë me diametër 5 metra.
Komponenti i dytë, Artemis II, do nisë të realizohet nga nëntori 2024. Orion do të kryejë të njëjtin itinerar, por këtë herë me ekuipazh. Inxhinierët e NASA-s do të analizojnë të dhënat e mbledhura për të gjitha sistemet dhe instrumentet e fluturimit, për të garantuar suksesin e komponentit të tretë, i cili do të arrijë një nivel më të lartë kompleksiteti.

Ilustrim artistik i Canadarm3 (NASA)
Sipas planeve aktuale të programit, dy nga katër astronautët e ekuipazhit të misionit Artemis III do të arrijnë në sipërfaqen hënore në vitin 2025. Përveç kësaj, NASA planifikon të ndërtojë Gateway, një stacion orbital hënor, modulet e para të të cilit do të fillojnë të montohen që në vitin 2026. Në planin afatgjatë, agjencia hapësinore shpreson të ndërtojë një bazë të përhershme direkt mbi sipërfaqen e Hënës.
Të gjitha këto misione të NASA-s janë pjesë e një objektivi afatgjatë për të dërguar misione të drejtuara në hapësirën e largët. NASA pat njoftuar gjithashtu javën e kaluar më 30 mars, krijimin e një programi, objektivi i të cilit është të përgatisë një prani hënore afatgjatë, e nevojshme për sfidën tjetër të madhe të njerëzimit: arritjen e sipërfaqes së Marsit.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: Reuters / Go Nakamura; NASA / Josh Valcarcel; NASA / ESA; MCPL / Kimberly Gosse












