Kanada: Raportohet rritje shumë e lartë e shpenzimeve federale në dy vitet e fundit
- Published in Kanada
Media shtetërore kanadeze CBC/Radio-Canada ka publikuar dje (05.04.) të dhënat e raportit të Drejtorit Parlamentar të Buxhetit në Ottawa, Yves Giroux, sipas të cilit, gjatë dy viteve të fundit shpenzimet e administratës federale kanë pësuar rritje si asnjëherë më parë, kryesisht për shkak të shtimit të numrit të personelit në administratën civile, rritjes së pagave dhe kontratave me firmat private të konsulencës.
Sipas raporti në fjalë, i titulluar “Shqyrtimi i shpenzimeve të personelit”, vitin e kaluar, qeveria Trudeau ka shpenzuar 115.9 miliardë dollarë dhe i ka kushtuar takspaguesve kanadezë 28.4 miliardë dollarë më shumë sesa dy vjet më pare, në vitin fiskal 2019-2020, shifër kjo që përbën një rritje prej 32.5% të shpenzimeve dhe një rritje mesatare vjetore prej 15.2%, që është dukshëm më e lartë se norma mesatare historike e rritjes prej 3.6% e regjistruar gjatë periudhës 2007-2008 deri në 2019-2020.
Më shumë se gjysma e kostove operative përfshijnë shpenzimet për personelin, ndërkohë që shpenzimet për rekrutimin dhe punësimin e nëpunësve publikë janë rritur 30.9% që nga viti 2019, nga 46.3 miliardë dollarë në 2019-2020 në 60.7 miliardë dollarë në 2021-2022. Nga ana tjetër, “gjatë të njëjtës periudhë, pagat janë rritur mesatarisht me 6.6%, ndërsa pagesat për kohë suplementare dhe bonuset u rritën me një mesatare prej 7.4%, që është dukshëm më e lartë se rritja mesatare historike prej 2.0%”, thekson gjithashtu raporti i Drejtorit Parlamentar të Buxhetit.

Yves Giroux
Në dokument përmendet qartë dhe fakti se qeveria federale po u drejtohet gjithnjë e më shumë kontraktimeve, gjë që e konfirmon fakti se shpenzimet për shërbimet profesionale dhe të specizuara janë rritur me afro 15%. Këto shërbimet janë një kategori mjaft e gjerë që përfshin nga njera anë konsulentë, përfshirë firma si McKinsey dhe firmat e mëdha të kontabilitetit, por edhe shërbime kompjuterike që qeveria nuk mund t'i ofrojë nga brenda administratës së vet. Më konkretisht, rritja e shpenzimeve për shërbimet profesionale dhe të specializuara gjatë dy viteve të fundit përfaqëson 14.7% të rritjes së totalit të shpenzimeve operative të qeverisë.
Kujtojmë faktin se në janar të këtij viti, mediat publikuan lajmin se qeveria Trudeau i ka dhënë më shumë se 100 milionë dollarë kontrata firmës konsulente McKinsey, ish-kreu i të cilës, Dominic Barton, pat qenë emëruar dhe ambasador i Kanadasë në Kinë. Pas insistimit të opozitës, një komision parlamentar po e shqyrton gjithashtu dhënien e këtyre kontratave nga qeveria federale.
Paraqitja e raportit të Drejtorit Parlamentar të Buxhetit Yves Giroux vjen në një kohë kur shumë sektorë të shërbimit publik po negociojnë marrëveshje të reja kolektive me qeverinë federale. Në krye të listës së kërkesave të Aleancës së Shërbimit Publik të Kanadasë është rritja e pagave në masën 4,5%. “Një rritje e tillë do të rezultonte një kosto shtesë për qeverinë prej 16.2 miliardë dollarësh gjatë periudhës 2023-2024 deri në 2027-2028”, vlerëson raporti në seksionin “Skenar i risqeve në shpenzimet për personelin”.
Sipas Yves Giroux, të cituar nga Radio-Canada, edhe pse ka paralajmëruar shkurtime, qeveria planifikon të shpenzojë rreth 500 miliardë dollarë çdo vit duke filluar nga viti i ardhshëm, çka mund të nënkuptojë që vetëm shpenzimet për paga dhe shërbime konsulence do arrijnë shifrën rreth 100 miliardë dollarë në vit brenda pesë viteve.
Në Kanada roli i Drejtorit Parlamentar të Buxhetit është të sigurojë informacion dhe analizë të pavarur, jopartiake, për deputetët dhe senatorët. Ky funksionar është i pavarur nga qeveria dhe studimet dhe raportet që ai publikon kanë për qëllim të ndihmojnë parlamentarët në procesin e vendimmarrjes për financat publike.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Adrian Wyld












