Justin Trudeau takohet në Toronto me homologun ukrainas Denys Shmyhal
- Published in Kanada
Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka takuar dje (11.04.) në Toronto kyeministrin ukrainas Denys Shmyhal i cili po kryen një vizitë zyrtare në vend. Takimi u zhvillua gjatë paraditës dhe përveç kreut të qeverisë kanadeze, prezent ishin edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Financave Chrystia Freeland, ministrja e Jashtme Mélanie Joly dhe ajo e Mbrojtjes Anita Anand. Më pas, rreth mesditës, dy kryeministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi përfundimin e negociatave për modernizimin e Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë mes Kanadasë dhe Ukrainës si dhe një marrëveshje mbi lëvizjen e të rinjve në të dy shtetet, që do të zbatohet pas përfundimit të luftës.
Gjatë komunikimit me mediat, kryeministri Trudeau njoftoi se Kanadaja do t'i japë Ukrainës një ndihmë ushtarake shtesë përmes kompanisë Colt Canada. Colt Canada është divizioni kanadez i prodhuesit amerikan të armëve të zjarrit Colt, që operon në Kitchener, Ontario. Colt prodhon armë të vogla për Forcat e Armatosura Kanadeze, agjencitë kanadeze të zbatimit të ligjit si dhe eksporton armë zjarri. Ndihma shtesë parashikon 21,000 pushkë ofensive, 38 mitralozë dhe më shumë se 2.4 milionë municione.
Kryeministri kanadez njoftoi gjithashtu se Kanadaja i ka akorduar qeverisë ukrainase një hua prej 2.4 miliardë dollarësh për të mbështetur shërbimet thelbësore si pagimi i pensioneve, blerja e karburantit dhe riparimet e infrastrukturës së dëmtuar të energjisë. Ky financim, i shpallur në Buxhetin 2023, e çon angazhimin total të Kanadasë ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës në mbi 8 miliardë dollarë.
Gjatë vizitës së kryeministrit ukrainas Shmyhal në Kanada, kompania Cameco me qendër në Saskatoon dhe kompania shtetërore e Ukrainës Energoatom nënshkruan gjithashtu një kontratë të rëndësishme, sipas të cilës, Cameco do të furnizojë uraniumin e nevojshëm për të plotësuar nevojat e Ukrainës me karburant bërthamor deri në vitin 2035. Kjo kontratë furnizimi, e cila bazohet në marrëveshjen e partneritetit të nënshkruar në fillim të këtij viti, do të ndihmojë Ukrainën të garantojë furnizimin e saj me energji elektrike duke krijuar njëkohësisht dhe vende pune të mirëpaguar në Kanada.
Pas takimit zyrtar dhe nënshkrimit të marrëveshjeve, dy kryeministrat kanë diskutuar edhe për rindërtimin e Ukrainës pas luftës me drejtues kanadezë të biznesit, për të shqyrtuar mundësitë se si mund të kontribuojë sektori privat në këtë drejtim. Për kryeministrin Shmyhal, rindërtimi i Ukrainës do të marrë kohë dhe mbi të gjitha ka nevojë për shumë mbështetje me fonde. Sipas tij, ky është projekti më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërkohë që për Kievin zyrtar shifra e deritanishme e dëmit të shkaktuar nga Rusia arrin në 411 miliardë dollarë.
Fakte për t’u nënvizuar
Që nga pushtimi rus dhe tentativa për aneksimin e Krimesë në vitin 2014, Kanadaja ka vendosur sanksione kundër më shumë se 2,400 individëve dhe subjekteve në Rusi, Bjellorusi dhe Ukrainë. Shumë nga këto sanksione u morën në koordinim me aleatët dhe partnerët.
Që nga janari 2022, Kanadaja ka dhënë më shumë se 8 miliardë dollarë për të mbështetur Ukrainën, duke përfshirë ndihmën financiare, ushtarake, humanitare, të zhvillimit dhe imigracionit.
Kjo mbështetje përfshin: mbi 5 miliardë dollarë ndihmë financiare; më shumë se 1 miliard dollarë mbështetje ushtarake; 352.5 milionë dollarë ndihmë humanitare; asistencë zhvillimore prej 127 milionë dollarësh; asistencë për sigurinë dhe stabilizimin mbi 102 milionë dollarë.
Ndihma e re ushtarake konsiston në dërgesën e 21,000 pushkëve ofensive të kalibrit 5,56 mm, 38 mitralozë të kalibrit 7,62 mm dhe më shumë se 2,4 milionë municione për këto armë, si dhe për armët e lehta tashmë në përdorim nga Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Forcat e Armatosura Kanadeze po mbështesin Forcat e Armatosura të Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar dhe Poloni si pjesë e Operacionit UNIFIER, duke ofruar trajnime për të zhvillimin e kapaciteteve ushtarake. Nga viti 2015 deri në vitin 2023, Kanadaja ka trajnuar më shumë se 36,000 anëtarë të forcave të sigurisë së Ukrainës si pjesë e Operacionit UNIFIER.
Forcat e Armatosura Kanadeze ndihmojnë në ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën nga brenda Kanadasë dhe në emër të aleatëve. Në veçanti, ato kanë transportuar më shumë se tetë milionë paund donacione ushtarake që nga marsi 2022.
Që nga shkurti i vitit 2022, Kanadaja ka ofruar mbi 1 miliard dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Deri më sot, kjo ndihmë përfshin, ndër të tjera, tetë tanke luftarake Leopard 2, një sistem të avancuar të raketave tokë-ajër (NASAMS) dhe municione, 39 automjete të blinduara mbështetëse luftarake, armë antitank, topa M777 bashkë me municionin përkatës, dronë të pajisur me kamera me rezolucion të lartë si dhe veshje dimërore.
Kanadaja ka mirëpritur deri tani në territorin e vet më shumë se 139,000 ukrainas duke u ofruar shërbimet përkatëse të integrimit të financuar nga qeveria federale.
Në vitin 2022, tregtia dypalëshe midis Kanadasë dhe Ukrainës arriti në 421.6 milionë dollarë, çka përfaqëson një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2021, kur ishte 447.3 milionë dollarë. Kjo rënie i atribuohet kryesisht pushtimit rus. Në vitin 2022, eksportet e mallrave të Kanadasë në Ukrainë arritën shifrën 150.2 milionë dollarë ndërsa importet e mallrave nga Ukraina arritën në 271.3 milionë dollarë.
©Flasshqip.ca me informacion nga Zyra e kryeministrit kanadez
Fotot: The Canadian Press/Frank Gunn; AFP/Cole Burston