Kanada

Kanada - Administrata publike federale paralajmëron grevë të përgjithshme

  • Published in Kanada

Pas një votimi të zhvilluar në një hark kohor 5 javor, rreth 120,000 nëpunësit publikë federalë të përfaqësuar nga Aleanca e Shërbimit Publik të Kanadasë (Public Service Alliance of Canada-PSAC) janë shprehur me shumicë dërrmuese në favor të zhvillimit të një greve të përgjithshmë, nëse negociatat me qeverinë për kontratën e re kolektive nuk rezultojnë më një zgjidhje të pranuar nga të dyja palët. Njoftimin e bëri publik sot (12.04.) gjatë paradites në një konferencë për mediat presidenti i këtij organizmi sindikal Chris Aylward. Dy kërkesat kryesore të punonjësve federalë janë rritja e pagave në përputhje me inflacionin, si dhe aplikimi i një politike që kombinon punën në distancë me punën në zyrë.

Rezultati i votimit nuk do të thotë që nëpunësit civilë federalë do të hyjnë automatikisht në grevë. Tashmë është sindikata që e ka marrë mandatin për një vendim të tillë, që mund të sjellë pasoja të ndjeshme për qytetarët kanadezë në disa sektorë. Ndërkohë të premtën e kaluar (07.04.) në favor të një mandati greve kanë votuar edhe shumica e 35,000 punonjësve të Agjencisë Federale të Taksave (Canada Revenue Agency).

Sipas Chris Aylward, objektivi sindikal mbetet i njëjtë, të arrihet një marrëveshje në tryezën e bisedimeve me qeverinë, ndaj dhe ekipet e negociatorëve do të takohen së shpejti më drejtuesit e Aleancës së Shërbimit Publik të Kanadasë për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm. Megjithatë, nuk përjashtohet fakti që greva të fillojë gjatë javës së ardhshme. Një drejtues tjetër sindikal, Yvon Barrière, Zëvendëspresident Ekzekutiv Rajonal i PSAC për Québec, është shprehur që “topi është tani në fushën e kryeministrit Trudeau. Qeveria e tij duhet të shfrytëzojë mundësinë - shansin e fundit - për të negociuar një marrëveshje të drejtë për nëpunësit publikë federalë, ose përndryshe do të përballet me një grevë historike kombëtare që askush nuk e dëshiron, por që mund të dëmtojë miliona qytetarë në të gjithë vendin.”

PSAC, sindikata më e madhe e nëpunësve civilë federalë u ka kërkuar prej dje (11.04.) të gjithë anëtarëve të saj të regjistrohen për transfertat me Interac në mënyrë që të marrin kompensimin financiar në rast greve, ndërsa qeveria federale, për të parandaluar që pasojat e një greve të mundshme të jenë shumë të ndjeshme, miratoi në fund të marsit, planin emergjent për të siguruar funksionimin e shërbimeve thelbësore, në pikun e sezonit të deklarimit të taksave. Sipas këtij plani, mijëra nëpunësve civilë mund të ndalohet të marrin pjesë në grevën e paralajmëruar të shërbimit civil, e cila nëse ndodh, mund të prekë sektorë të tillë si emetimi i pasaportave, shërbimet e imigracionit apo të pagesës së papunësisë. Lista e punonjësve thelbësorë është hartuar nga qeveria në bashkëpunim me sindikatat.

Në një komunikatë të publikuar dje (11.04.), PSAC deklaroi gjithashtu që dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare për bisedimet mes Sekretariatit të Bordit të Thesarit (Treasury Board of Canada Secretariat) dhe Canada Revenue Agency, pasi janë pikërisht këto bisedime që do të përcaktojnë suksesin ose dështimin e këtij raundi negociatash. Në reagim ndaj njoftimit të PSAC, Sekretariati i Bordit të Thesarit u shpreh se “dëshiron të arrijë një marrëveshje në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur”, duke vënë në dukje në të njëjtën kohë se negociatat po vazhdojnë gjatë kësaj jave me ndërmjetësim.

Gjatë muajve të fundit, negociatat mes PSAC, që përfaqëson rreth 120,000 nëpunës publikë dhe qeverisë federale kanë qenë mjaft të vështira Negociatat rifilluan më 2 prill me ndërmjetës, pas sugjerimeve të Komisionit të Interesit Publik, i cili shkurtin e kaluar rekomandoi një rritje pagash prej 9% për 3 vjet.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press