Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 16 prill 2023

  • Published in Kanada

 

Batchawana lake - Ontario

 

-British Columbia, 800 milionë dollarë kompensim dhe kthim tokash për 5 komunitete autoktonë

-Alberta, hapet në Calgary ekspozita e trenave në miniaturë

-Manitoba, një çift nga Winnipeg fiton 60 milionë dollarë në Lotto Max

-Prince Edward Island, komuniteti autokton Abegweit arrin marrëveshje me Ottawa për peshkimin

-Newfoundland, përfundon projekti hidroenergjitik i Muskrat Falls

-Québec, Gjykata e Lartë e Kanadasë mban në fuqi ndalimin e kultivimit të kanabisit në banesat private

-Ontario, nis konsultimi publik me qytetarët e Torontos për projektin e rivitalizimit të Ontario Place

 

British Columbia - Qeveria e British Columbia dhe qeveria federale kanadeze deklaruan dje (15.04.) se do t'u kthejnë tokën 5 komuniteteve autoktonë në verilindje të provincës, të cilët patën nënshkruar Traktatin 8 në vitin 1899. Kjo marrëveshje mori më shumë se 25 vjet për t'u përfunduar dhe parashikon që 800 milionë dollarë dëmpshpërblim do të paguhen nga qeveria federale dhe më shumë se 440 km2 tokë do t’u kthehen nga provinca British Columbia komuniteteve Blueberry River, Doig River, Halfway River, Saulteau dhe West Moberly, që kanë rreth 3,300 anëtarë. Sipas ministrit federal të ngarkuar me Marrëdhëniet mes Kurorës dhe Autoktonëve, Marc Miller, Traktati 8 nuk u respektua nga Kanadaja gjatë 100 viteve të fundit. Kjo marrëveshje u arrit pas një vendimi të Gjykatës së Lartë të British Columbia në qershor 2021, sipas të cilit aktivitetet e lidhura me pylltarinë, naftën dhe gazin, të autorizuar nga provinca në territorin e komunitetit autokton Blueberry River nuk respektonin Traktatin 8. “Kjo marrëveshje nuk është një dhuratë, nuk janë para falas. Është një faturë që nuk është paguar për 100 vjet”, u shpreh ministri Miller. Nga ana e tij, në një konferencë shtypi me pamje dukshëm të emocionuar dje në Vancouver, shefi i komunitetit Blueberry River, George Desjarlais, deklaroi se “u desh një rrugë shumë e gjatë për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie historike një shekullore”.

George Desjarlais

Alberta - Nga dje (15.04.) dhe për dy ditë me radhë në Calgary është hapur Panairi i madh Supertrain me modele në miniaturë trenash. Eventi i organizuar në Qendrën Genesis, përmban të gjitha llojet e atraksioneve që lidhen me trenat, përfshirë hekurudhat në miniaturë, trenat Lego, ekspozita me fotografi dhe demonstrime të drejtpërdrejta. Kjo ështe hera e 26-të që Supertrain organizohet dhe e para që nga fillimi i pandemisë. Sipas Daniel Charest, president i Supertrain, në panair marrin pjesë rreth 100 ekspozues dhe gjatë dy ditëve priten të paktën 10,000 vizitorë, të pasionuar pas trenave dhe modelimit.

Manitoba - Janice dhe Randy Glays, një çift nga Winnipeg kanë fituar këtë javë 60 milionë dollarë në Lotto Max dhe tashmë po planifikojnë të ndërrojnë shtëpinë, të organizojnë udhëtime, por edhe të ndihmojnë familjen e tyre. Siç kish bërë për pesëmbëdhjetë vjet, çifti bleu një biletë Lotto Max, këtë herë në dyqanin Superstore në Kildonan Place në Winnipeg. Kur mori vesh se kishte biletën fituese, Randy Glays nuk u ka besuar syve. “Është një pikë kthese në jetë, jo vetëm për ne, por që do të ndryshojë jetën e familjes sonë për disa breza”, ka pohuar bashkëshortja e tij Janice. Sipas Manitoba Liquor and Lotteries Corporation, kjo shumë e fituar me një biletë të vetme në shortin e 31 marsit, është me e madhja në historinë e Manitoba.

Prince Edward Island - Qeveria federale njoftoi të premten e kaluar (14.03.) arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi për menaxhimin e peshkimit me komunitetin autokton Abegweit në Prince Edward Island. Kjo marrëveshje pesëvjeçare e rinovueshme njeh të drejtat autoktone dhe të Traktatit të komunitetit Mi'kmaq për të peshkuar dhe shitur peshk për qëllime jetese. Ajo gjithashtu siguron fonde për të mbështetur zbatimin dhe administrimin e aktiviteteve të peshkimit të komunitetit Abegweit. Sipas kësaj marrëveshjeje, një proces bashkëpunimi midis Departamentit Federal të Peshkimit dhe Oqeaneve dhe komunitetit Abegweit do të zhvillohet në kuadrin e një komiteti të përbashkët operacional dhe një komiteti ekzekutiv të mbikëqyrjes. Shefi i komunitetit Abegweit, Roddy Gould Jr deklaroi se ky dokument krijon bazën që brezi i ardhshëm të ketë më shumë mundësi sesa i tanishmi. Abegweit First Nation ndodhet në Scotchfort, Prince Edward Island dhe përfshin tre komunitete: Morrell, Rocky Point dhe Scotchfort. Sipas qeverisë federale, në dhjetor 2022,  Abegweit First Nation numëronte gjithsej 402 banorë.

Roddy Gould Jr

Newfoundland - Me lot në sy, CEO e Hydro Newfoundland dhe Labrador, Jennifer Williams, ka njoftuar të mërkurën (12.04.) se pas 10 vitesh punë dhe një fature që rriti ndjeshëm borxhin e provincës, kompleksi hidroelektrik Muskrat Falls më në fund ka përfunduar. “Ky është një moment historik, një moment që e gjithë provinca e ka pritur për një kohë shumë, shumë të gjatë”, pohoi Williams para gazetarëve nga selia e kompanisë shtetërore në Saint-John. Pas përfundimit me sukses të testeve, 1100 km linja energjetike që lidhin stacionin gjenerues të Muskrat Falls me Newfoundland-in lindor tani mund të transmetojnë më shumë se 675 megawat energji elektrike. Tashmë Hydro Newfoundland dhe Labrador do t’i duhet të finalizojë marrëveshjet me provincën dhe me Ottawa, që synojnë të reduktojnë ndikimin e tejkalimit të kostove mbi tarifat e energjisë elektrike që do duhet të paguajnë banorët e provincës. Qershorin e kaluar, fatura e Muskrat Falls u vlerësua 13.37 miliardë dollarë, gati dyfishi i parashikuar kur projekti u miratua nga qeveria provinciale në vitin 2012. Provinca Newfoundland dhe Labrador ka gjithsej 530,000 banorë.

Québec - “Provincat kanë të drejtë të ndalojnë posedimin dhe kultivimin e bimëve të kanabisit për përdorim personal në juridiksionet e tyre përkatëse”. Kështu vendosi të premten Gjykata e Lartë e Kanadasë. Në një vendim unanim, gjyqtarët e saj konfirmuan që ndalimi i qeverisë së Québec për posedimin dhe rritjen e bimëve të kanabisit për përdorim personal është kushtetues. Sipas gjykatës, qeveritë provinciale, në këtë rast ajo e Québec, “kanë juridiksionin për të vendosur një ndalim të tillë për arsye të shëndetit dhe sigurisë publike, edhe nëse ligji federal e autorizon atë”. Ndalimi i kultivimit të kanabisit në shtëpi në Québec u padit pranë gjykatave për herë të parë në vitin 2019 nga Janick Murray-Hall, i njohur gjithashtu për themelimin e website humoristik “Le Journal de Mourréal”. Sipas Murray-Hall, ligji i Québec që ndalon posedimin e bimëve të kanabisit ose kultivimin e tyre për përdorim personal, me gjoba që variojnë nga 250 deri në 750 dollarë, është antikushtetues për sa kohë është më kufizues se Ligji federal për legalizimin e kanabisit i miratuar në tetor 2018. Ky ligj i miratuar nga qeveria e Justin Trudeau lejon qytetarët të posedojnë deri në katër bimë kanabis për konsumin e tyre personal. Ndalimin e kultivimit në shtëpi e pat vendosur qeveria liberale e Phillippe Couillard në vitin 2019. Përveç Québec, një masë të tille e ka vendosur dhe provinca Manitoba.

Ontario - Dje (15.04.) në Toronto është zhvilluar konsultimi i parë publik me qytetarët rreth planit të zhvillimit të Ontario Place, plan në të cilin qeveria e Doug Ford parashtron vizionin e saj për të rigjallëruar këtë park provincial që ndodhet buzë liqenit Ontario në metropolin e Kanadasë. Plani i rivitalizimit përfshin transformimin e hapësirës, në partneritet me tre kompani private, për të ndërtuar një kompleks, që do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë vitit, duke përfshirë një park ujor, një park zbavitjeje dhe aventurash si dhe një sallë të re shfaqjesh. Plani provincial për zhvillimin e këtij parku prej 63 hektarësh nuk duket se ka miratim unanim nga qytetarët. Drejtoresha provinciale e Zhvillimit të Infrastrukturës, Heather Grey-Wolf, e cituar nga Radio-Canada, ka deklaruar se provinca dëshiron të dëgjojë mendimet e banorëve dhe se qeveria mund të bëjë ndryshime në të gjitha aspektet e projektit të saj bazuar në sugjerimet e paraqitura. Një tjetër konsultim publik virtual do të zhvillohet të martën e ardhshme më 18 prill.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada