Familja e Justin Trudeau, pushime të kushtueshme në Xhamaika me donatorët e Fondacionit Trudeau
- Published in Kanada
Sipas një artikulli të Radio-Canada, të publikuar dje (18.04), me autorë Daniel Leblanc dhe Louis Bluin, kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe familja e tij, e kanë festuar Vitin e Ri 2023 me pjestarët e një familjeje milionerësh (vëllezërit Alexander dhe Andrew Green), njëkohësisht dhe donatorë të Fondacionit Pierre-Elliott-Trudeau. Ky fondacion, që mban emrin e babait të kryeministrit aktual, është lakuar gjërë e gjatë javët e fundit në media, por edhe gjate debateve parlamentare në Ottawa, lidhur me skandalin e ndërhyrjes dhe influencës së prezumuar kineze në dy zgjedhjet e fundit federale. Dihet tashmë që Fondacioni Trudeau pat marrë edhe një donacion nga një manjat kinez, shumë e cila është rikthyer vetëm ditët e fundit pas shpërthimit të skandalit në fjalë dhe presionit të opozitës dhe opinionit publik.
Sipas artikullshkruesve, të cilët i referohen Kabinetit të kryeministrit, udhëtimi, që u ka kushtuar taksapaguesve kanadezë më shumë së 160,000 dollarë, është aprovuar para nisjes nga Komisioneri i Etikës, për faktin se marrëdhëniet midis familjes Trudeau dhe Peter Green, datojnë qysh në vitet 70-të. Familja Green posedon një resort me pesë vila luksoze në brigjet e Detit të Karaibeve.
“Në përputhje me praktikën standarde, ne jemi konsultuar me Zyrën e Komisionerit të Konfliktit të Interesit dhe Etikës për t’u siguruar që nuk ka shkelje të rregullave dhe që kryeministri të rimbursojë ekuivalentin e një bilete ajrore komerciale për udhëtimet e tij personale dhe të familjes së tij”. Kjo ka qenë përgjigja lakonike e Kabinetit të kryeministrit ndaj listës me pyetjeve të shumta që i ka adresuar Radio-Canada. Për më tepër, Zyra e Komisionerit të Etikës dhe Kabineti i kryeministrit kanë refuzuar të japin sqarimin nëse ishin në dijeni gjatë kohës së vlerësimit të udhëtimit, që familja Green kishte bërë së fundmi një donacion të rëndësishëm për Fondacionin Pierre-Elliott-Trudeau. Kabineti kryeministror nuk ka pranur gjithashtu të shpjegojë nëse Justin Trudeau ka paguar nga xhepi për akomodimin apo shpenzimet e tjera gjatë këtij udhëtimi, që është zhvilluar nga 26 dhjetori 2022 deri më 4 janar 2023.
Shkrimi citon gjithashtu disa burime që nuk kanë pranur të identifikohen për shkak të punësimit aktual, sipas të cilëve, në rrethin e afërt të kryeministrit ka shqetësim për “perceptimin” që mund të shkaktojnë udhëtime të tilla, në një kohë kur shumë qytetarë kanadezë po luftojnë financiarisht me rritjen e çmimeve dhe inflacionin. “Pyesim veten pse ai shkon në vende të tilla”, e ka përmbledhur me një fjali reagimin një nga burimet që u referohet Radio-Canada.
Tashmë prej disa muajsh kryeministri Trudeau është shndërruar në shënjestër kritikash nga ana e opozitës, që e akuzuar drejpërdrejt si një nga shkaktarët e inflacionit për shkak të shpenzimeve të qeverisë së tij duke neglizhuar krizën e kostos së jetesës. Udhëtimi luksoz i kryeministrit është kryer pikërisht në fund të një viti kur norma e inflacionit në Kanada arriti në 6.8% krahasuar me një vit më parë.
Një burim tjetër liberal ka pohuar që brenda kabinetit ka patur kundështime lidhur me udhëtimin dhe se Justin Trudeau duket se po e injoron rrezikun e vërtetë që po i vjen nga kampi konservator i Pierre Poilievre, që vazhdimisht shprehet se liberalët janë elitarë, snobë dhe pa kontakte me njerëzit. “Nuk arrij ta kuptoj pse i furnizon me municion dhe ushqen këto lloj sulmesh”, ka shtruar pyetjen burimi në fjalë. Ndërkohë, disa ditë para udhëtimit kabineti pat konfirmuar vetëm faktin se Trudeau do të shkonte në Xhamajka, pa dhënë detaje për destinacionin e saktë apo emrin e familjes që do ta priste.
Pushime të kushtueshme
Sipas artikullit, që Resortin Prospect të familjes Green e cilëson “një parajsë e vogël mbi tokë”, qëndrimi dhjetë ditor i familjes Trudeau u ka kushtuar taksapaguesve kanadezë të paktën 162,000 dollarë, referuar dokumenteve të paraqitura para Parlamentit në përgjigje të pyetjeve të deputetëve. Kjo shumë nuk përfshin kostot e përdorimit të avionit Challenger të Forcave Ajrore Kanadeze.
RCMP (Policia Federale Kanadeze) ka shpenzuar më shumë se 115,000 dollarë për të garantuar sigurinë e kryeministrit dhe familjes së tij. RCMP ka pohuar gjithashtu se mund të shtohen kosto të tjera që nuk janë llogaritur. Një shumë tjetër prej më shumë se 47,000 dollarë, ka mbuluar shpenzimet e anëtarëve të ekuipazhit të Forcave të Armatosura Kanadeze dhe punonjësve të Zyrës së Këshillit Privat. Sipas burimeve, disa punonjës të qeverisë u akomoduan në hotele “all inclusive” pranë Resortit Prospect gjatë qëndrimit të familjes Trudeau në Xhamajka.
Sipas rregullave, familja Trudeau duhej të udhëtonte me një avion qeveritar dhe ka rimbursuan ekuivalentin e biletave ajrore komerciale për këtë udhëtim vajtje-ardhje në Xhamajka. Ndërkohë, Zyra e Komisionerit të Konfliktit të Interesit dhe Etikës nuk ka pranuar të komentojë lidhur me këtë temë, sipas saj “për shkak të konfidencialitetit të procesit”.
Justin Trudeau dhe Aga Khan - Ottawa 2016
Nuk është hera e parë që pushimet e Justin Trudeau shndërrohen në tituj kryesorë për mediat, që nga koha kur ai erdhi në pushtet në vitin 2015. Pas udhëtimit të tij familjar në ishullin e Aga Khan në vitin 2016, që u kushtoi taksapaguesve kanadezë 215,000 dollarë, ai mori vërejtje zyrtarisht nga Komisioneri i Konfliktit të Interesit dhe Etikës. Justin Trudeau kërkoi gjithashtu falje në vitin 2021 për një qëndrim familjar në një rezidencë bregdetare në Tofino (British Columbia) në fillim të pushimeve të tij, pikërisht në Ditën Kombëtare të së Vërtetës dhe Pajtimit që celebrohej zyrtarisht për herë të parë në Kanada. Po kështu, kohët e fundit, kryeministri u kritikua ashpër për marrjen me qira të një suite luksoze me shpenzime të mëdha (6000 dollarë në natë) gjatë qëndrimit të tij në Londër kur mori pjesë në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II.
Resorti Prospect
Resorti luksoz ku ka pushuar për Vitin e Ri në Xhamajka familja Trudeau, është blerë në vitet 1930 nga vjehrri i Peter Green, një aristokrat i quajtur Sir Harold Mitchell, një ndër njerëzit më të pasur të asaj periudhe. Sipas faqes internet të kompanisë, për të qëndruar gjatë sezonit të lartë në një nga pesë rezidencat e këtij resorti që ndodhet pranë Ocho Rios, pagesa për një natë varion nga 1,100 deri në 7,000 dollarë amerikanë.
Resorti Prospect Estate konsiderohet si legjendar nga disa prej familjeve më të pasura dhe më të fuqishme në mbarë botën. Gjatë dekadave, personalitete si Winston Churchill, Henry Kissinger dhe Princi Philip kanë kaluar aty pushimet. Ish-kryeministri i Kanadasë dhe babai i Justin Trudeau, Pierre Elliott Trudeau ka qëndruar për herë të parë në Resortin Prospect në vitin 1975, gjatë një udhëtimi zyrtar në Xhamajka.
Ndër vite, familjet Green dhe Trudeau kanë udhëtuar së bashku në Xhamajka, Bermuda, Zermatt (Zvicër) dhe Kanada, ndërkohë që edhe Pierre Elliott Trudeau e pat mirëpritur familjen Green në rezidencën 24 Sussex Drive, Ottawa, ose në Rezidencën Zyrtare pranë Liqenit Harrington.
Pierre Elliott Trudeau ishte gjithashtu kumbari i djalit të Peter Green, Alexander, i lindur në vitin 1980. Ky i fundit pat mbajtur edhe një fjalim në funeralin e ish-kryeministrit. Nga ana e tij, Justin Trudeau ka vazhduar të takohet rregullisht me familjen Green para dhe pas hyrjes në politikë.
Një donacion për Fondacionin Pierre-Elliott-Trudeau
Në vitin 2021, Fondacioni Pierre-Elliott-Trudeau njoftoi me bujë të madhe krijimin e një burse të re përkujtimore, e para e këtij lloji. Një kontribut nga Alexander dhe Andrew Green, miq të kryeministrit, krijuan Bursën Mary-Jean Mitchell Green në kujtim të nënës së tyre. Bursat e lidershipit të Fondacionit Pierre-Elliott-Trudeau synojnë të promovojnë aktivitetin e studiuesve në nivelin e doktoraturës. Kështu, për shembull, aplikantët që përzgjidhen mund të marrin një maksimum prej 180,000 dollarësh për tre vjet për të mbuluar shpenzimet e shkollimit, kërkimit dhe udhëtimit. Vlera e saktë e donacionit të familjes Green nuk dihet. Ndërkohë pranë këtij fondacioni vazhdon të mbetet aktiv vëllai i kryeministrit Trudeau, Alexander Trudeau.
Alexander dhe Andrew Green
Përpjekjet e Radio-Canada për të kontaktuar këto ditët e fundit me anëtarë të familjes Green dhe për t’u marrë atyre komentet për udhëtimin e kryeministrit dhe donacionin e tyre për fondacionin kanë rezultuar të pasuksesshme.
Kritika të forta nga opozita
Në Dhomën e Komunave, opozita Konservatore e ka kritikuar ashpër kryeministrin Trudeau, duke e fajësuar atë për pushime luksoze në kurriz të taksapaguesve, ndërkohë që shumë qytetarë kanadezë do duhet të rishikojnë planet e tyre të pushimeve këtë verë për shkak të inflacionit. Sipas liderit konservator, Pierre Poilievre, vila e familjes Green ku ka qëndruar kryeministri, kushton 9 mijë dollarë nata. Prandaj ai e pyeti atë se sa kishte paguar nga xhepi për këtë akomodim. Në përgjigjet e tij, Justin Trudeau u justifikua para deputetëve me faktin që familja e tij dhe familja Green janë miq të vjetër. Lideri konservator u përgjigj se nuk i ofrohet dikujt strehim për 9,000 dollarë në natë pa kërkuar asgjë në këmbim. Sidomos kur bëhet fjalë për kryeministrin e Kanadasë dhe në fondacionin e babait të tij është derdhur një shumë e madhe parash.
Edhe lideri i Bloc Québécois, Yves-François Blanchet, e pyeti kryeministrin se sa kishte paguar nga xhepi për këto pushime. Justin Trudeau u justifikua sërish duke thënë se ishte konsultuar me Komisionerin e Etikës dhe se prej 10 vitesh nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me fondacionin që mban emrin e të atit. Ndërsa kreu i NDP, Jagmeet Singh, i kujtoi kryeministrit se jeta nuk është vetëm diell dhe plazhe, duke shtuar se në Kanada CEO-të e korporatave fitojnë mesatarisht 243 herë më shumë se punëtorët.
Mendimi i ekspertëve
“Kryeministri Justin Trudeau duhet të pranojë se sfera e jetës së tij private është më e vogël se ajo e kanadezëve të tjerë. Ti mund ta kalosh testin e Komisionerit të Etikës, par ka edhe diçka tjetër të rëndësishmë që ekziston dhe kjo është pikërisht perceptimi i qytetarëve”, ka deklaruar politologia Geneviève Tellier, profesoreshë e studimeve politike pranë Universitetit të Ottawa. Sipas saj, liberalët po ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj kritikave të mëtejshme nga opozita pas fakteve të reja rreth këtij udhëtimi. Ajo ka kujtuar gjithashtu që prej disa vitesh, Pierre Poilievre deklaron se Trudeau është një kryeministër që nuk ka lidhje me realitetin, që nuk ka të njëjtat shqetësime si shumica e qytetarëve kanadezë dhe nuk shqetësohet aspak për koston e jetesës së tyre.
Ndërsa Denis Saint-Martin, profesor i shkencave politike në Universitetin e Montréal-it, është shprehur se ndihet “i befasuar që kryeministri vazhdon të bëjë pushime me përfaqësues të oligarkisë ndërkombëtare”. Sipas tij, lidhjet mes klasës politike dhe më të pasurve të kësaj bote por shtohen gjithnjë e më tepër.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Sean Kilpatrick