Presidenti gjerman Steinmeier viziton zyrtarisht Kanadanë
- Published in Kanada

Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier ka nisur dje (23.04) vizitën e tij të parë zyrtare në Kanada, që do të përfundojë të mërkurën 26 prill. Vizita e tij pason vizitat e Kryeministrit Justin Trudeau në Berlin, në mars 2022 dhe të Kancelarit Olaf Scholz në Ottawa, gushtin e kaluar. Kreu i shtetit gjerman, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Elke Büdenbender, ka mbërritur në kryeqytetin federal kanadez në pasditen e së dielës dhe është takuar fillimisht në Rideau Hall me Guvernatoren e Përgjithshme kanadeze Mary Simon dhe bashkëshortin e kësaj të fundit, Whit Fraser. Më pas mbrëmja e çiftit presidencial ka vazhduar me një darkë private në Ambasadën e RFGJ në Ottawa.

Dita e dytë e vizitës se Steimeier ka vazhdur sot me takimet me Kryeministrin Trudeau dhe anëtarë të tjerë të qeverisë. Steinmeier dhe Trudeau janë takuar fillimisht kokë më kokë. Më pas me ta është bashkuar dhe Ministrja e Jashtme Mélanie Joly. Agjenda ka vazhduar me një takim mes Trudeau, Steinmeier, Ministrit kanadez të Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë, François-Philippe Champagne dhe Ministres federale gjermane të Arsimit dhe Kërkimit Shkencor, Bettina Stark-Watzinger, me një grup drejtuesish të kompanive të rëndësishmë gjermane. Ndërkohë kreu i shtetit gjerman dhe kryeministri kanadez, kanë kaluar gjithashtu dy orë në një bashkëbisedim me pyetje e përgjigje më studentë të Universitetit të Ottawa.
Në komunikatën zyrtare të shpërndarë për mediat pas takimit nga Zyra e Kryeministrit të Kanadasë nënvizohet ndër të tjera se “Kryeministri Trudeau dhe Presidenti Steinmeier, diskutuan objektivat e vizitës dhe ranë dakord, si aleatë, për rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit që konsolidon qëndrueshmërinë e ekonomive të të dy vendeve, demokracisë dhe angazhimeve në favor të mjedisit… Kryeministri Trudeau nga ana e tij ka vlerësuar gjithashtu ratifikimin nga Gjermania të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse Ekonomike dhe Tregtare (CETA) midis Kanadasë dhe Bashkimit Evropian për tregtinë dhe investimet dypalëshe. Trudeau dhe Steinmeier gjithashtu kane vlerësuar progresin e bërë në bashkëpunimin e përbashkët që nga vizita e kancelarit Scholz në gusht 2022, duke përfshirë dhe marrëveshjen për ndërtimit në Kanada të fabrikës së parë të baterive të automjeteve elektrike të Volkswagen jashtë Gjermanisë.”

Nesër (25.04) Presidenti i RFGJ do të vizitojë në West Vancouver një prodhues gjerman të fuel-cells si dhe do të marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët mes drejtuesve të biznesit gjerman dhe kanadez, ku do t’i prezantohet dhe një projekt pilot mbi sistemet inteligjente të energjisë që po zbatohet aktualisht nga Universiteti i British Columbia. Pas Vancouver, stacioni i fundit i vizitës së Presidentit Steinmeier do të jenë Northwest Territories. I shoqëruar nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, ai do të vizitojë Komandën Qëndrore të Joint Task Force North të Ushtrisë Kanadeze në Yellowknife dhe më pas do të takohet me përfaqësues të komunitetit Tuktoyaktuk buzë oqeanit Arktik.
Fakte për t’u nënvizuar
-Takimi i fundit midis Kryeministrit Trudeau dhe Presidentit Steinmeier daton kur Kryeministri zhvilloi një vizitë në Berlin në mars 2022, i ftuar nga Kancelari Olaf Scholz.
-Kanadaja dhe Gjermania kanë lidhje të forta kulturore dhe identitare. Rreth 10% e kanadezëve deklarojnë se janë të paktën pjesërisht me origjinë gjermane dhe çdo vit rreth 400,000 qytetarë kanadezë udhëtojnë drejt Gjermanisë. Një numër ekuivalent gjermanësh vizitojnë çdo vit Kanadanë.
-Çdo vit, disa mijëra studentë gjermanë kalojnë një semestër ose një vit të plotë në një kolegj, universitet ose shkollë të mesme kanadeze. Nëpërmjet programit International Experience Canada, mijëra të rinj gjermanë dhe kanadezë udhëtojnë në të dy drejtimet për studime, kërkime afatshkurtra ose për punë.
-Me më shumë se 820 filiale në Kanada që punësojnë afro 63,000 kanadezë, Gjermania është një nga burimet më të mëdha të investimeve në inovacion, kërkim dhe teknologji të avancuar në vend. Gjermania është burimi i 7-të i investimeve të huaja direkte në Kanada.

Ministri Federal për Inovacionin, Shkencën dhe Industrinë François-Philippe Champagne (majtas) dhe CEO i Volkswagen, Oliver Blume (djathtas).
-Në vitin 2022, Gjermania ishte tregu më i madh i eksportit të mallrave të Kanadasë në Bashkimin Evropian dhe partneri i saj i shtatë më i madh global, me tregti të dyanshme të mallrave në masën 30 miliardë dollarë.
-Në vitin 2022, eksportet kanadeze në Gjermani arritën shifrën 7.5 miliardë dollarë, ndërsa importet kanadeze nga Gjermania 22.5 miliardë dollarë. Sektorët me interes përfshijnë hapësirën ajrore, prodhimin e avancuar, automobilat, shkencat e jetës, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit si dhe agrobiznesin. Eksportet kryesore të mallrave të Kanadasë përfshijnë mallra të konsumit, produkte energjetike, produkte minerale metalike dhe jometalike, si dhe makineri dhe pajisje elektrike e elektronike.
-Partnerë afatgjatë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Kanadaja dhe Gjermania bashkëpunojnë ngushtë për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes dhe janë të dy anëtarë të G7 dhe G20, NATO-s, Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).
-Duhet veçuar gjithashtu fakti që ditët e fundit qeveria federale kanadeze ka nënshkruar një marrëveshje me gjigandin gjerman të prodhimit të automjeteve Volkswagen. Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, Kanadaja do t’i ofrojë Volkswagen grante deri në 13 miliardë dollarë për të mundësuar ngritjen e një fabrikë të prodhimit të baterive elektrike në St. Thomas të provincës Ontario. Ndërtimi i kësaj fabrike do të fillojë vitin e ardhshëm dhe do të përfundojë në vitin 2027. Sipas Volkswagen, territori i objekteve do të ketë madhësinë e 210 fushave të futbollit. Kjo është fabrika e parë e baterive elektrike të Volkswagen jashtë Evropës.
© Flasshqip.ca
Fotot: Zyra e Kryeministrit dhe Zyra e Guvernatorit të Përgjithshëm të Kanadasë












