Kanada

Zgjedhjet Ontario – Sondazhet nxjerrin NDP në vend të dytë, liberalët e Kathleen Wynne të tretët

  • Published in Kanada

Toronto - Pak më shumë se dy javë nga zgjedhjet provinciale të 7 qershorit, sondazhet e ditëve të fundit kanë nxjerrë në vend dytë NDP, ndërsa liberalët tashmë zbresin në vend të tretë.

Neo-Demokratët e Andrea Horwath kanë bërë progres të madh qysh nga fillimi i fushatës duke u afruar shumë pranë me Konservatorët e Doug Ford, të cilët gjithsesi vazhdojnë të kenë shanse më të mira për të  fituar.

Rritja në sondazhe e NDP ka provokuar sulme në adresë të Andrea Horwath, e cila është akuzuar nga kundërshtarët me pretendimin se po mbështet kandidatë “radikalë”.

Akuzë të drejperdrejtë ndaj saj ka bërë vetë Ford, i cili ka denoncuar planin e Horwath për mbylljen e Centralit bërthamor në Pickering, që sipas tij do shkaktojë reduktim të konsiderueshëm të vendeve të punës në Rajonin Durham.

Kundërpërgjigja e lideres Neo-Demokrate ka qenë e menjëhershme. Sipas saj, mbyllja e centralit ka qenë e parashikuar dhe nuk ka pse të shtyhet duke ja lënë përgjegjesinë gjeneratës tjetër. Madje sipas saj, një veprim i tillë do krijojë më shumë vende pune në Durham.

Nuk kanë mbetur pas konservatorëve as liberalët, të cilët kanë vënë në dyshim aftësinë për të qeverisur dhe administruar ekonominë e provincës nga Neo-Demokratët.

Duket se kundër-reagimet e NDP janë më shumë të fokusuara tek konservatorët. Partia e Andrea Horwat madje ka hapur edhe një Website CantAffordFord që synon të denoncojë dhe kritikojë premtimet e Doug Ford.

Nga ana e saj, Kathleen Wynne, tashmë e treta në sondazhe, ka deklaruar se do të luftojë me të gjitha forcat e saj deri në fund dhe se ende ka kohë që ajo të demontrojë që programi i propozuar prej liberalëve është më i përgjegjshmi dhe më realisti.

Burimi: Radio-Canada; Photo credit: La Presse Canadienne/Nathan Denette