Kanada

Kanada - Qeveria dërgon ushtrinë për evakuimin e shtetasve kanadezë nga Sudani

  • Published in Kanada

Ministrja e Mbrojtjes Kombëtare Anita Anand ka bërë publik dje (26.04) lajmin se mbi 200 ushtarakë dhe dy avionë C-130 Hercules të Forcave të Armatosura Kanadeze do të marrin pjesë në operacionet ndërkombëtare të evakuimit nga Sudani, ku luftimet e rinisura midis ushtrisë dhe paraushtarakëve e kanë vënë në pikëpyetje armëpushimin e brishtë të vendosur muaj më parë.

Po dje, gjatë një seance informimi teknik për mediat, zëvendësadmirali Bob Auchterlonie, kreu i Komandës së Operacioneve të Përbashkëta Kanadeze, konfirmoi faktin që tashmë ushtarakët kanadezë janë vendosur pranë zonës së konfliktit në Sudan dhe se forca të tjera mund të dërgohen sërish për të ndihmuar në operacionet e evakuimit. Përveç dy avionëve Hercules, Kanadaja ka dislokuar gjithashtu edhe dy anije pranë Port-Sudan, 850 km në lindje të Khartoum, për evakuime të mundshme nga deti, si një opsion rezervë.

Sipas komandantit Auchterlonie, duhet të plotësohen disa kushte sigurie në mënyrë që ushtarët kanadezë të mund të kryejnë fluturime evakuimi. “Ne duhet të koordinohemi me palët në konflikt për të siguruar uljen e sigurt të avionëve. Pista e përdorur nga aleatët u mbyll mëngjesin e sotëm… dhe disa fluturime, duke përfshirë edhe një fluturim kanadez, u anuluan”, shpjegoi ai. Ndërkohë, që nga fillimi i përleshjeve më 15 prill, rreth 150 shtetas kanadezë dhe rezidentë të përhershëm janë evakuuar falë ndërhyrjes së vendeve të tjera, duke përfshirë Gjermaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.

Bob Auchterlonie

Nga ana e saj, Ministrja e Punëve të Jashtme Mélanie Joly ka bërë të ditur se rreth 1,800 qytetarë kanadezë ose rezidentë të përhershëm kanë regjistruar praninë e tyre në Sudan në faqen përkatëse online të qeverisë dhe se 700 prej tyre kanë kërkuar ndihmë për t'u larguar nga vendi. Sipas Global Affairs Canada, për momentin prioriteti është evakuimi i kanadezëve nga Sudani në një vend të tretë të sigurt, por ata që më pas dëshirojnë të kthehen në Kanada do të duhet ta organizojnë vetë kthimin. Për rastet kur shtetasit nuk mund t’i përballojnë kostot për një fluturim kthimi në Kanada, mundësia është që me asistencën e stafeve konsullore të realizohet marrja e një kredie urgjente përmes programit federal për kanadezët në vështirësi të ndodhur jashtë shtetit. Dikasteri i Punëve të Jashtme po shqyrton edhe kërkesën e grupeve të diasporës sudaneze në Kanada që të afërmit e shtetasve kanadeze me origjinë nga Sudani të vijnë përkohësisht pranë tyre derisa gjendja të stabilizohet.

Në Sudan, pavarësisht shpalljes së një armëpushimi të arritur nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara, luftimet e përgjakshme mes paraushtarakëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të gjeneralit Mohamed Hamdan Daglo dhe ushtrisë së rregullt nën drejtimin e gjeneralit Abdel Fattah al-Burhane, kanë rinisur dhe kanë vazhduar pa ndërprerje gjatë 11 ditëve të fundit.

Abdel Fattah al-Burhane (majtas) dhe Mohamed Hamdane Daglo (djathtas)

Aleatë gjatë grushtit të shtetit të tetorit 2021, tashmë dy gjeneralët janë shndërruar në armiq për vdekje, në një koflikt që deri tani, sipas një raporti të publikuar dje (26.04) nga Ministria e Shëndetësisë sudaneze, ka shkaktuar 512 të vrarë dhe 4,193 të plagosur. Kujtojmë që puçi ushtarak i vitit 2021 i pat dhënë fund tranzicionit demokratik që pasoi rënien nga froni pas 30 vitesh në pushtet të diktatorit Omar El-Béchir në vitin 2019. Diktatori që u rrëzua nën presionin e manifestimeve popullore më pas u burgos.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; AFP;