Kanada

6 maj - Kryeministri kanadez Trudeau në Londër për kurorëzimin e mbretit Charles III

  • Published in Kanada

Kryeministri kanadez Justin Trudeau pritet të marrë pjesë në kurorëzimin e Mbretit Charles III në Londër javën e ardhshme, së bashku me personalitete të tjerë nga e gjithë bota. Zyra e Kryeministrit pritet të konfirmojë zyrtarisht së shpejti edhe itinerarin e tij të udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Kurorëzimi i monarkut 74-vjeçar do të bëhet në Westminster Abbey të shtunën që vjen, më 6 maj 2023, në një ceremoni fetare të kryesuar nga Kryepeshkopi i Canterbury-t, Justin Welby. Nga ana e tyre, qytetarët kanadezët do mund ta festojnë kurorëzimin e Kreut të Shtetit gjatë një ceremonie të veçantë në Ottawa, që do të zhvillohet në të njëjtën ditë.

Sipas Departamentit Federal të Trashëgimisë Kanadeze, për të festuar kurorëzimin e Charles III po përgatitet një program njëorësh, me muzikë, performanca artistike dhe poezi.

Westminster Abbey - Londër

Vizita e fundit e kryeministrit Trudeau në Londër është zhvilluar shtatorin e kaluar kur ai mori pjesë në funeralin shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II.

Konfirmimi i udhëtimit të kryeministrit kanadez në Londër erdhi menjëherë pas njoftimit të RCMP (Policia Mbretërore Kanadeze) se Mbreti Charles III ka pranuar titullin e Kryekomisarit të kësaj trupe policore federale. Nëna e tij, Mbretëresha Elizabeth II, ka qenë monarkja e parë që mori këtë titull në vitin 2012.

 

Vizita e fundit e Elizabeth II në Kanada (2010)

“Si Kryekomisare e RCMP, Madhëria e Saj luajti një rol të madh në njohjen e rëndësisë së RCMP brenda dhe jashtë vendit duke u fokusuar në historinë e pasur që e lidh RCMP me monarkinë, e cila daton që nga krijimi i RCMP më 1873, gjatë mbretërimit të Mbretëreshës Viktoria”, deklaroi policia federale në një njoftim për shtyp të publikuar dje (28.04). Njoftimi ka bërë të ditur gjithashtu që Komisari në detyrë Mike Duheme dhe Ralph Goodale, Komisioneri i Lartë i Kanadasë në Londër, i kanë dhuruar familjes mbretërore në Kështjellën Windsor një kalë të quajtur “Noble”, nga kontigjenti i Karuselit të famshëm, trupa ceremoniale me 32 kalorës e RCMP.

Karuseli i RCMP

Gjatë ceremonisë së kurorëzimit në Londër, oficerë të RCMP do të kalërojnë me “Noble” dhe kuaj të tjerë të dhuruar familjes mbretërore gjatë mbretërimit të Elizabeth II. RCMP i ka dhuruar gjithsej tetë kuaj familjes mbretërore gjatë këtij mbretërimi dhe tre prej tyre përdoren si kuaj trupash nga mbretëria.

Pallati Buckingham njoftoi gjithashtu dje përmes një deklaratë të veçantë se Mbretit Charles III iu dhurua edhe shpata përkujtimore e oficerëve të RCMP-së, e krijuar posaçërisht me rastin e 150 vjetorin të Policisë Federale që do të kremtohet 23 majin e ardhshëm.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Associated Press/Stefan Rousseau; Radio-Canada