Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 30 prill 2023

  • Published in Kanada

Vreshta në Okanagan - British Columbia

 

-British Columbia, një tempull Sikh në Kelowna ofron shërbime të shëndetit mendor

-Alberta, nis fushata për zgjedhjet provinciale të 29 majit ku garojnë Konservatorët me NDP

-Saskatchewan, ekspozitë fotografike në Regina mbi jetën e autoktonëve në vitet 1910-1960

-Québec, fillon sezoni turistik i kroçierave në Montréal

-Newfoundland, fotoja e një ajsbergu në Conception Bay çmend rrjetet sociale

-Ontario, koncert me buri dhe spektakël me fizhekzjarre në Toronto pas kualifikimit të Maple Leafs

 

British Columbia - Një tempull Sikh në Kelowna të provincës British Columbia, ka nisur qysh nga muaji shkurt të ofrojë shërbime këshillimi për të përmirësuar shëndetin mendor të pjestarëve të këtij komuniteti me origjinë nga Azia Jugore dhe për t'i inkurajuar ata që të kërkojnë ndihmë. Programi përfshin seanca mujore falas në tempullin Sikh, të quajtur Gurdwara, në Okanagan, të ofruara drejpërdrejt ose me videokonferencë. Gjatë seancave, edukatorë dhe punonjës socialë që zotërojnë njohuri të thelluara mbi shkrimet shenjta Sikh, moderojnë diskutime në gjuhët Punjabi dhe anglisht si dhe japin shpjegime si të trajtohen varësitë, traumat emocionale, dhuna apo dhe çështje të marrëdhënieve familjare. Ata, nëse është e nevojshme, mund t'i referojnë pjesëmarrësit te profesionistët e shëndetit mendor të cilët mund të ofrojnë shërbime të përshtatura me kulturën aziatike. Amarjit Singh Lalli, një sipërmarrës nga rajoni Okanagan i cili ka dhënë mësim liturgjinë Sikh për dy dekada, është personi që ka mbështetur nisjen e këtij programit. “Shumë Sikh në komunitetin tonë e kanë të vështirë të flasin për problemet e tyre apo të kërkojnë ndihmë për shëndetin e tyre mendor, për shkak të ndjenjës së turpit që asociohet me çështjet e shëndetit mendor në kulturën e Azisë Jugore” ka pohuar ai, ndërsa punonjësja sociale Gurmit Kaur Sandhu, e cila ofron shërbime sipas programit në tempull, beson se “shumë anëtarë të komunitetit janë mësuar të bëjnë sakrifica, por jo të gjejnë kohë për t'u ulur dhe për të diskutuar për problemet që përjetojnë”.

Amarjit Singh Lalli

Alberta - Stina e zgjedhjeve provinciale në Alberta ka nisur dje (29.04.) me dy manifestime të organizuar nga dy rivalët kryesorë, Partia e Bashkuar Konservatore dhe Partia e Re Demokratike, ndërsa fushata elektorale do të nisë zyrtarisht nesër, më 1 maj. Konservatorët e kanë zhvilluar manifestimin në Calgary, ku kryetarja dhe kryeministrja Danielle Smith mbajti një fjalim të shkurtër duke u fokusuar kryesisht në çështjet ekonomike. “Ne kemi një plan të përgjegjshëm për një të ardhme më të sigurt dhe më të përballueshme”, deklaroi ajo para manifestuesve. Nga ana e tyre, Neodemokratët e kanë zhvilluar takimin e tyre gjatë mbrëmjes në Edmonton, ku kryetarja e partisë Rachel Notley ka theksuar se nëse zgjidhet kryeministre do të punojë çdo ditë për të përmirësuar kujdesin shëndetësor, sistemin arsimor dhe për të krijuar më shumë vende pune e për të mbështetur një kosto jetese të përballueshme. Zgjedhjet provinciale në Alberta do të mbahen më 29 maj.

Danielle Smith

Saskatchewan - Shkrimtari autokton me origjinë nga komuniteti Cri, Paul Seesequasis, ka hapur në Regina të provincës Saskatchewan ekspozitën me foto nga jeta e autoktonëve që datojnë mes viteve 1910-1960. Ekspozita e titulluar Turning the Lens: Indigenous Archival Project, e cila mund të vizitohet në galerinë e artit MacKenzie, ka për synim të ofrojë një perspektivë të ndryshme për jetën e autoktonëve gjatë periudhës në fjalë. Paul Seesequasis, i cituar nga Radio-Canada, ka treguar se ka qenë nëna e tij që e frymëzoi t’i rishikonte fotot e vjetra ndryshe, sepse gjatë asaj periudhe perceptimi i përgjithshëm për autoktonët përqëndrohej tek tragjedia dhe trauma. “Ajo me të vërtetë më frymëzoi që ta ndryshoja atë perspektivë dhe të kërkoja imazhe pozitive, sepse pa forcën dhe qëndrueshmërinë e këtyre familjeve, kultura dhe gjuhët tona nuk do të kishin mbijetuar”, është shprehur ai. Megjithëse fotot janë bërë gjatë shekullit XX, disa nga personat e fotografuar dhe familjet e tyre nuk i kishin parë kurrë më parë. Kur Paul Seesequasis filloi t’i shpërndante ato në rrjetet sociale, disa ishin në gjendje të identifikonin veten ose persona që njihnin. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 27 gusht të këtij viti.

Québec - Zaandam, një anije kroçierash turistike 237 metra e gjatë, u ankorua dje (29.04) në portin e Montrealit, duke shënuar kesisoj fillimin e sezonit të lundrimit në metropolin frankofon, sezon që do të zgjasë deri në fund të tetorit. 51 vizita të tilla priten gjatë kësaj periudhe, për rreth 50,000 turistë të pasionuar pas kroçierave, shifër kjo përtej parashikimeve. Aktorët ekonomikë të qytetit, hotelierët, restorantet, muzeumet dhe shoferët e taksive e konsiderojnë këtë fakt si një lajm të mirë dhe mezi e presin ardhjen e turistëve. Sipas Mélanie Nadeau, Zv.presidente për marrëdhëniet publike dhe me komunitetin e Portit të Montrealit, përfitimet e parashikuara nga sezoni i lundrimit këtë vit për qytetin do jenë afërsisht 25 milionë dollarë, shifër kjo e ngjashme me atë të vitit 2019, para pandemisë. Duket se konteksti ekonomik inflacionist nuk e ka zbehur entuziazmin e turistëve.

Newfoundland - Një person nga qyteti i vogël i Dildo, në provincën Newfoundland dhe Labrador bëri bujë të madhe në rrjetet sociale kur postoi foton e një ajsbergu të marrë nga lart dhe që duket si një penis gjigand i drejtuar për nga qielli duke lundruar mbi dy testikuj të ngrirë. “Kam patur shumë komente për foton, për shkak të ngjashmërisë së saj me një pjesë të anatomisë mashkullore”, ka pohuar të premten e kaluar (28.04.) Ken Pretty, i cili e kishte fotografuar ajsbergun me dron. Fotoja është marrë nga Harbour Grace në Conception Bay. Postimi i imazhit shkaktoi një numër të madh shpërndarjesh dhe shakash të panumërta. Lëvizja e ajsbergëve është një atraksion turistik në Newfoundland në këtë periudhë të vitit. Sipas Shërbimit Kanadez të Akujve, sezoni 2023 premton të jetë i jashtëzakonshëm. Më shumë se 200 ajsbergë u numëruan në brigjet e Newfoundland javën e kaluar. Ka dhjetëra të tjerë në brigjet e Labradorit që lëvizin në jug drejt ishullit Newfoundland. Shërbimi Kanadez i Akujve është një agjenci qeveritare federale që monitoron akujt në ujërat e lundrueshme të Kanadasë për të siguruar operacione detare të sigurta dhe efikase dhe për të mbrojtur mjedisin. Për ata që do të donin të admironin personalisht ajsbergun që bëri bujë në internet, për fat të keq është tepër vonë, pasi koka i është shkëputur dhe ka rënë në ujë.

Ontario - Nëntëmbëdhjetë vjet dështime në playoff ishte shumë kohë e gjatë për një ekip hockey më shumë se një shekull histori si Toronto Maple Leafs. Prandaj dhe fitorja e parë që nga viti 2004 u festua dje në mbrëmje në rrugët e metropolit kanadez (29.04.) njëlloj sikur kjo skuadër sapo kishte fituar Kupën e saj të 14-të Stanley. Shoferët e taksive dhe automjeteve të tjera u bashkuan në një kor me bori. Fishekzjarre të shumta u hodhën gjithashtu nga godinat e larta të Entertainment District. Tifozët të shumtë u derdhën nëpër rrugë duke valëvitur flamujt e Maple Leafs pas fitores me Lightning të Tampa Bay. Një festë e madhe e improvizuar u zhvillua në qendër të Torontos, ku qindra njerëz u mblodhën duke kënduar Nightingale dhe You Make My Dreams Come True të Hall & Oates, himne fitoreje të njohura për fansat e Leafs. Mbrëmja nuk ishte pa probleme megjithatë. U deshën vetëm pak minuta që policia të zgjeronte perimetrin e saj dhe 30 minuta pas përfundimit të takimit Komisioni i Transportit të Torontos (TTC) u detyruar të postonte në mediat sociale njoftimin se shërbimet e autobusëve dhe tramvajit po përjetonin vonesa të mëdha në qendër të qytetit për shkak të fitores së Maple Leaf që ende nuk e di kush do jetë kundërshtari i radhës në raundin e dytë, Boston Bruins apo Florida Panthers. Fituesi i këtij dueli do të merret vesh sonte pas përfundimit të takimit në Boston.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; Kenneth Pretty