Kanada

Thellohet kriza diplomatike Kanada-Kinë: Diskutohet dëbim diplomatësh

  • Published in Kanada

Sërish Dhoma e Deputetëve në Ottawa është shndërruar dje (04.05.) në arenë debati mes qeverisë dhe opozitës lidhur me skandalin e ndërhyrjes së Kinës në punët e brendshme të Kanadasë. Kësaj radhe ka dalë në dritë me më shumë detaje edhe fakti që një nga figurat më të njohura të Partisë Konservatore, deputeti Michael Chong (ministri në hije i Punëve të Jashtme në kabinetin hije të Pierre Poilievre) si dhe familja e tij e të afërm në Hong Kong, kanë qenë objekt presioni dhe kërcënimesh nga një diplomat kinez i atashuar pranë Konsullatës kineze në Toronto. Ndërkohë po dje, The Canadian Press ka bërë të ditur se qeveria federale kanadeze është duke vlerësuar se deri në ç’shkallë mund të arrijë hakmarrja e Kinës ndaj Kanadasë, nëse kjo e fundit vendos të dëbojë diplomatë kinezë, përfshirë dhe atë që akuzohet se ka shënjestruar deputetin në fjalë.

Deputeti konservator Michael Chong

Skandali i kërcënimit të deputetit konservator nuk është rast i freskët. Sipas vetë deputetit Chong, Shërbimi Sekret i Kanadasë, nuk ka komunikuar asnjëherë me të drejpërdrejt, por ka informuar vetëm këshilltarin e kryeministrit për Sigurinë Kombëtare qysh në vitin 2021 mbi informacionin rreth kërcënimeve ndaj tij dhe familjarëve të tij në Hong Kong, për shkak të kritikave që ai ka bërë publikisht ndaj shkeljes së të të drejtave të njeriut në Kinë. Tentativat për presion kanë nisur menjëherë pasi ai paraqiti në Dhomën e Komunave mocionin që kërkonte denoncimin nga ana e Kanadasë të asaj që ai e konsideronte si genocid ndaj popullsisë ujgure. Kjo deklaratë hedh poshtë versionin e kryeministrit Justin Trudeau, i cili ka pohuar këto ditë se Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë (CSIS) pat vendosur të mos e ndante këtë informacion me askënd.

Ministrja e Jashtme Mélanie Joly

Nga ana e saj, gjatë debatit në Parlament, Ministrja e Punëve të Jashtme Mélanie Joly deklaroi se i kishte kërkuar zëvendësministrit të saj që të thërriste ambasadorin kinez në Kanada për rastin e sipërpërmendur, duke shtuar se dëbimi i drejtpërdrejtë i diplomatëve mbetet një opsion. Por nga ana tjetër, në një këmbim të tendosur replikash me deputetin Michael Chong, ministrja shtoi se qeveria ende nuk ishte e sigurt për të marrë vendimin e shpalljes “non grata” të diplomatit në fjalë, siç kërkon opozita konservatore. “Jemi duke vlerësuar pasojat me të cilat do të përballeshim në rastin e dëbimit, sepse mund të preken interesat ekonomike, konsullore, por edhe ato diplomatike”, ka theksuar ajo. Joly kujtoi, ndër të tjera, arrestimin në vitin 2018 nga Kina të dy kanadezëve Michael Kovrig dhe Michael Spavor, që u konsiderua si kundërpërgjigje ndaj arrestimit në Vancouver me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të drejtoreshës së kompanisë kineze Huawei, Meng Wanzhou. Më pas Pekini kufizoi gjithashtu disa importe kanadeze, të tilla si kanola dhe mishi i derrit.

Ambasadori kinez në Ottawa Cong Peiwu

Ndërkohë, në një deklaratë si përgjigje ndaj thirrjes së ambasadorit kinez, Cong Peiwu, për tu paraqitur në Ministrinë e Jashtme të Kanadasë, Ambasada Kineze në Ottawa është shprehur se “ambasadori Cong proteston fuqishëm kundër kërcënimit të Kanadasë për të dëbuar diplomatë kinezë bazuar në thashethemet e mediave”. Ambasada ka akuzuar gjithashtu që disa politikanë kanadezë po synojnë të fitojnë pikë në opinion duke sulmuar Kinën. “Kina i kërkon Kanadasë që të ndalojë menjëherë këtë farsë politike. Nëse provokimet e Kanadasë vazhdojnë, Kina do t'i përgjigjet çdo etape, deri në fund”, përfundon deklarata e ambasadës.

Ambasada kineze në Ottawa

Deputeti 52 vjeçar i Partisë Konservatore Kanadeze Michael David Chong, me baba nga Hong Kongu dhe nënë nga Holanda, nga viti 2004 është përfaqësues i zonës elektorale Wellington-Halton Hills (Ontario) në Dhomën e Komunave. Në vitin 2006, në kabinetin e Kryeministrit Stephen Harper ai ka ushtruar funksionet e Ministrit të Çështjeve Ndërqeveritare, Ministrit të Sportit si dhe Presidentit të Queen's Privy Council for Canada. Chong njihet gjithashtu për pikëpamjet e tij Red Tory dhe ka kandiduar për postin e kryetarit të Partisë Konservatore në vitin 2017, duke u renditur në vendin e pestë nga katërmbëdhjetë kandidatë.

© Flasshqip me informacion nga The Canadian Press

Fotot: The Canadin Press/Justin Tang