Kanada - Në Alberta evakuohen mbi 20 mijë vetë prej zjarreve në pyje
- Published in Kanada

Me ardhjen e stinës së ngrohtë, në provincën Alberta janë rishfaqur zjarret në pyje. Në kontenë Yellowhead, zonë që përfshin edhe qytetin Edson dhe që kufizohet nga superstrada 550 në veri dhe ajo 520 në jug është dhënë dje (05.04) urdhëri i evakuimit. E njëjta situate edhe në kontenë Brazeau, në hapësirën e Dayton Valley, në Grande Prairie, Sturgeon Lake, Sandy Bay Cree Nation, Whitefish River dhe d’Atikameg.
Mediat kanë raportuar që numri i të evakuuarve në gjithë provincën e ka kaluar shifrën 20,000 dhe në respekt të direktivave të dhëna nga autoritetet përkatëse, ata janë vendosur në zona të sigurta, bazuar në afërsinë gjeografike. Sipas zjarrfikësve, në disa zona të caktuara zjarret janë jashtë kontrollit, por prioritet numër një është siguria e njerëzve, pastaj stabilizimi i zjarreve dhe mbrojtja e ndërtesave.
Po dje, kryeministrja në detyrë Danielle Smith, e cila synon të rimandatohet në zgjedhjet e 29 majit, vuri në lëvizje Grupin e menaxhimit të emergjencave pranë kabinetit të saj. Në Twitter, duke e vënë theksin te siguria e qytetarëve, ajo gjithashtu u bëri thirrje banorëve që janë subjekt i një urdhri evakuimi ose që janë në periferi të një zone evakuimi të largohen sapo të marrin një urdhër të tillë.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Foto: Alberta Wildfire