Java Kanadeze - Lajme shkurt 7 maj 2023
- Published in Kanada
-British Colombia, qyteti Surrey në listën e destinacioneve kulinare me famë botërore
-Alberta, gjëndje emergjence për shkak të mbi 100 zjarreve në pyje
-Québec, qeveria investon 223 milionë dollarë shtesë për fuqizimin e industrisë turistike
-Newfoundland, lideri i opozitës Pierre Poilievre viziton për të katërtën herë provincën
-Ontario, publiku i jep lamtumirën këngëtarit-legjendë Gordon Lightfoot
British Columbia - Sipas revistës amerikane Food&Wine, Surrey është një ndër qytetet në botë ku kultura e kuzhinës po lulëzon, më saktë një nga 7 qytetet në botë që dallohen për sektorin e tyre gastronomik në zhvillim. Aktualisht, është dhe i vetmi qytet kanadez pjesë e kësaj liste, e hartuar nga një duzinë kritikësh të fushës së kulinarisë. Surrey, që ndodhet në territorin e Metropolitan Vancouver, renditet së bashku me qytetet europiane si Marseja, Venecia, apo edhe Puebla, në Meksikë dhe Kanazawa, në Japoni. Për shumë degustatorë në Vancouver, ishte koha që qyteti të njihej për talentet e tij gastronomike. “Unë e kam kërkuar këtë sistematikisht. E kam shprehur prej vitesh që Surrey ka stilin më të mirë të ushqimit”, ka pohuar për Radio-Canada stilistja digjitale Raj Thandhi. Sipas saj, qyteti dikur i dalluar për kuzhinën me origjinë nga veriu i Indisë, është bërë edhe më i larmishëm në dekadën e fundit. Tani ka një horizont të pafund të universeve të kuzhinës. Prania e emigrantëve nga e gjithë Azia ka qenë terren pjellor edhe për shefin e kuzhinës Vikram Vij. Ishte ky diversitet që e shtyu atë të hapte restorantin e tij, My Shanti në Surrey, në vitin 2014. “Jam i nderuar të shoh këtë renditje, sepse 10 vjet më parë rrezikova jo pak duke investuar këtu”, është shprehur ai.
Vikram Vij
Alberta - Numri i njerëzve që duhej të evakuoheshin për shkak të zjarreve në pyje dhe zona me shkurre, u rrit sot (07.05.) në mbrëmje duke kapur shifrën 29,000. Ndërsa rreth njëzet komunitete kanë mirëpritur mijëra të evakuuarit, autoritetet i kanë përqendruar përpjekjet e tyre në katër zjarre të mëdhenj. Zjarrfikësit aktualisht janë duke u dhënë përparësi zjarreve që ndodhen pranë Edson, High Prairie, Fox Lake dhe komunitetit Métis të East Prairie. Përveç komuniteteve të evakuuara tashmë, provinca u ka kërkuar edhe banorëve të Clearhills, pranë Rivière-la-Paix dhe High Prairie, të jenë gati të evakuohen menjëherë nëse marrin një urdhër të tillë. Sipërfaqja e pyjeve dhe shkurreve të djegura që nga fillimi i vitit në Alberta tani ka arritur në 3,900 kilometra katrorë. Që nga ora 17:00 e ditës së sotme, 107 zjarre pyjesh dhe shkurresh ishin ende aktivë në Alberta. Prej tyre, 61 ishin nën kontroll, 18 u kontrolluan dhe 28 nuk ishin ende nën kontroll nga zjarrfikësit. Sipas Christie Tucker nga Alberta Wildfire, reshjet në Alberta-n jugore dhe qendrore i ndihmuan jo pak zjarrfikësit. Ndërkohë dje (06.05.), qeveria e Danielle Smith shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në gjithë provincën, që i lejon asaj të ketë akses në fondet rezerve për raste të tilla. Megjithatë, provinca ende nuk ka kërkuar zyrtarisht ndihmë nga qeveria federale, e cila përmes Kabinetit të ministrit për Emergjencat Civile, Bill Blair, deklaroi se është e gatshme të mbështesë Alberta-n nëse nevojiten ndihma ose burime federale.
Québec - Qeveria provinciale e Québec do të investojë 214 milionë dollarë shtesë për të mbështetur rritjen e industrisë së turizmit gjatë vitit 2023 e më pas. Ministrja e Turizmit Caroline Proulx ua bëri njoftimin më shumë se 600 pjesëmarrësve që përfaqësojnë këtë sektor të mbledhur në takimin e tyre vjetor në Pallatin e Kongreseve në Montréal. Nga shuma, 210 milionë do të shpërndahen gjatë tre viteve për të vazhduar zhvillimin e atraksioneve të ndryshme turistike në provincë. Kjo përfshin rinovimin e Programit Mbështetës për Zhvillimin e Atraksioneve Turistike, ku 60 milionë dollarë do të jenë në dispozicion çdo vit në formën e kredive dhe garancive të kredisë. Gjatë pesë viteve të fundit, 146 projekte janë mbështetur nga ky program, në shumën prej 290 milionë dollarësh. Vitin e kaluar, industria e turizmit përfshiu afërsisht 23,500 biznese në Québec, shifër kjo që përfaqëson 9% të të gjitha bizneseve në provincë.
Newfoundland - Qindra mbështetës entuziastë u mblodhën në Qendrën Komunitare të qytetit Corner Brook të premten e kaluar (05.05.) për të takuar liderin konservator Pierre Poilievre, i cili zhvilloi vizitën e tij të katërt në provincën Newfoundland në 12 muajt e fundit, në një fushatë për të rritur numrin e mbështetësve që në zgjedhjet e ardhshme të bëhet kryeministër i Kanadasë. Në fjalimin e tij Poilievre preku tema si prodhimi i naftës dhe gazit, ligji federal për armët dhe inflacioni. Ai tha se inflacioni në të gjithë vendin është rezultat i shpenzimeve pa hesap të qeverisë dhe premtoi se një qeveri konservatore do të kufizojë shpenzimet dhe ekuilibrojë buxhetin. Pierre Poilievre shoqërohej nga deputeti i vetëm konservator i Newfoundland dhe Labrador, Clifford Small, i cili përfaqëson Bregun e Bays-Central-Notre Dame dhe dy ish-kryeministrat progresistë-konservatorë të provincës, Tom Rideout dhe Tom Marshall.
Ontario - Më shumë se 1000 fansa të kantautorit legjendar ontarian Gordon Lightfoot, u dyndën gjatë ditës së sotme (07.05.) në qytetin e tij të lindjes Orillia, rreth 100 milje në veri të Torontos, për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit. Trupi i artistit u ekspozuan publikisht në Kishën e Bashkuar të Shën Palit gjatë gjithë pasdites dhe admiruesve të tij iu desh të qëndronin në radhë në shi përpara se të bënin nderimet e fundit. Brenda kishës, vizitorët u mblodhën para arkivolit nën ritmin e këngëve të tij më të famshme. Mbrëmjen e së shtunës miq të vjetër, familjarë dhe adhurues të këngëtarit u mblodhën në Orillia për një koncert homazh për muzikantin. Ngjarja fillimisht ishte menduar të zhvillohej ndërsa artisti ishte ende gjallë, por më pas u kthye një aktivitet përkujtimor mbi jetën dhe karrierën e tij. Gordon Lightfoot vdiq më 1 maj në moshën 84-vjeçare. Ceremonia private e varrimit të tij do të zhvillohet disa ditë më vonë në Orillia dhe ai do të prehet pranë prindërve të tij.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada