“Afera Michael Chong”: Kanadaja shpall non grata diplomatin kinez Zhao Wei
- Published in Kanada
Michael Chong
Ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly vendosi sot (08.01) shpalljen persona non grata dhe dëbimin nga Kanadaja të diplomatin kinez Zhao Wei, i cili dyshohet se ka tentuar të frikësojë familjen në Hong Kong të deputetit konservator Michael Chong, njëherazi dhe ministri i Jashtëm i qeverisë në hije të Partisë Konservatore Kanadeze. Njoftimi u bë i ditur përmes një deklarate për shtyp nga Global Affairs Canada.
“Kam qenë shumë e qartë: ne nuk do të tolerojmë asnjë formë të ndërhyrjes së huaj në punët tona të brendshme…Ky vendim është marrë duke analizuar me kujdes të gjithë faktorët e përfshirë”, ka deklaruar shefja e Diplomacisë kanadeze, e cila të enjten e kaluar (04.05.) i kishte kërkuar zëvendësministrit të saj të thërriste ambasadorin kinez në Kanada, Cong Peiwu, për rastin në fjalë, duke specifikuar se dëbimi i drejtpërdrejtë ishte një opsion.
Sipas The Globe and Mail, që i referohej një informacioni nga Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë (CSIS), deputeti Michael Chong, dyshohet se ka qenë shënjestër e një përpjekje për ta frikësuar dhe për t’i bërë presion atij, pasi ai inicioi në Dhomën e Komunave në vitin 2021 një mocion që dënonte qëndrimin e Pekinit ndaj ujgurëve duke e cilësuar atë genocid. Ndërkohë, deputeti konservator i Ontarios pat pohuar se shërbimet inteligjente nuk e kishin informuar kurrë për kërcënimet ndaj tij dhe të afërmve të tij.
Mélanie Joly
Po sot, pas shpalljes së dëbimit të diplomatit kinez, Michael Chong ka deklaruar se shpreson që ky vendim do t'i bëjë të qartë Kinës dhe shteteve të tjera që kanë përfaqësues diplomatikë në Kanada se ndërhyrja në punët e brendshme kanadeze është e papranueshme. “Kjo është një fitore jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë kanadezët që kanë qenë viktima të ndërhyrjeve të huaja, qoftë nga Irani apo Kina”, ka përfunduar ai
Ndërkohë, me një deklaratë ka reaguar dhe zëdhënësi i ambasadorit kinez në Ottawa Cong Peiwu, duke u shprehur se Kina “e dënon me forcë dëbimin e diplomatit Zhao Wei dhe paralajmëron se do të kundërveprojë”. Sipas zëdhënësit, akuzat për ndërhyrje kineze bazohen në gënjeshtra të shprehura nga politikanë dhe nga mediat. Ai e konsideroi dëbimin e urdhëruar nga Ottawa si “shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjeve dypalëshe mes dy vendeve”.
Cong Peiwu
Paralelisht me vendimin e ministres së Puneve të Jashtme, një mocion i paraqitur nga Partia Konservatore e Kanadasë që kërkonte më shumë masa ndaj Kinës u miratua sot në Dhomën e Komunave, me mbështetjen e të gjitha partive opozitare.
Në tekstin e mocionit thuhej se “nisur nga fakti që Republika Popullore e Kinës po përdor taktika intimiduese ndaj shumë kanadezëve me origjinë kineze në komunitetet e diasporës kineze anembanë Kanadasë, deputetët Konservatorë, Blloku, Neodemokratët dhe të Gjelbërit i bëjnë thirrje qeverisë:
1) të krijojë një regjistër të agjentëve të huaj siç veprojnë Australia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës; 2) të miratojë një hetim publik kombëtar për çështjen e ndërhyrjes së huaj në zgjedhje; 3) të mbyllë “zyrat policore” klandestine të krijuara nga Pekini dhe që operojnë në mënyrë të paligjshme në territorin kanadez; 4) të dëbojë të gjithë diplomatët nga Republika Popullore e Kinës të implikuar në këto sulme ndaj demokracisë kanadeze.
Çfarë thotë neni 9 i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike:
1. Shteti pritës mundet, në çdo kohë dhe pa pasur nevojë të japë arsye për vendimin e tij, të informojë shtetin dërgues se kreu ose çdo anëtar tjetër i personelit diplomatik të misionit është persona non grata ose se çdo anëtar tjetër i personelit i misionit nuk është i pranueshëm. Shteti dërgues do të tërheqë më pas personin në fjalë ose do të përfundojë funksionet e tij me misionin, sipas rastit. Një person mund të shpallet non grata ose i papranueshëm përpara se të mbërrijë në territorin e shtetit pritës.
2. Nëse shteti dërgues refuzon të kryejë, ose nuk kryen brenda një kohe të arsyeshme, detyrimet që i takojnë atij sipas paragrafit 1 të këtij neni, shteti pritës mund të refuzojë ta njohë personin në fjalë si anëtar të misionit.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada