Reforma zgjedhore – Trudeau i hapur për amendamentet e opozitës e cila ka hedhur akuza në adresë të tij
- Published in Kanada
Ottawa - Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka deklaruar se i pret me krahëhapur amendamentet e opozitës mbi Projekt-ligjin C-76 të përgatitur nga Qeveria Liberale, që synon të reformojë zgjedhjet dhe praktikat e formacioneve politike.
Konservatorët i kanë kërkuar shumicës që të kufizojë me ligj publicitetin qeveritar dhe shpenzimet e ministrave si dhe të ndalojë çdo udhëtim qeveritar në një periudhë tre mujore para shpalljes zyrtare të zgjedhjeve.
Justin Trudeau e përcolli mesazhin e tij dje gjatë seancës në Parlament, menjëherë pasi lideri konservator Andrew Scheer shprehu keqardhjen për faktin që projekti nuk u ndalon grupeve të militantëve partiakë përdorimin e burimeve të huaja me qëllim influencimin e zgjedhësve. Scheer nga ana e tij, e ka vënë në dyshim sinqeritetin e Kryeministrit, pasi sipas tij, ky i fundit kishte “urdhëruar” Élections Canada të vinte në zbatim disa modifikime që parashikon projekti ende pa filluar debati rreth tij. Kjo sipas liderit Konservator është “trukim i rregullave” në favor të qeverisë.
Edhe deputeti Neo-Demokrat Nathan Cullen, i ka tërhequr vëmendjen qeverisë dhe e akuzuar se po ben “presion” ndaj opozitës duke lënë përshtypjen se do t’i bjerë shkurt debatit për projekt-ligjin në fjalë.
Projekt-ligji C-76, synon të anullojë shumë nga reformat e miratuara nën Qeverinë Konservatore të Stephen Harper, ndër të cilat edhe ligjin kontravers mbi integritetin e zgjedhjeve. Reforma liberale synon kufizimin e shpenzimeve të partive politike dhe grupeve militante gjatë tre muajve që i paraprijnë hapjes së fushatës zgjedhore. Por, nëqoftese nuk ndalohen paralelisht edhe publiciteti apo udhëtimet qeveritare, kjo favorizon Liberalët në pushtet, sipas Andrew Scheer.
Kryeministri Trudeau është përgjigjur duke sulmuar qeverinë e dikurshme të Stephen Harper, e cila sipas tij, pat imponuar reforma megjithë kundërshtimet e partive opozitare, të shumicës së ekspertëve dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjedhjeve. “Ne do të veprojmë ndryshe sepse jemi të hapur ndaj propozimeve që përmirësojnë demokracinë kanadeze”, - ka thënë Kryeministri.
Megjithatë, sipas NDP, qëndrimi i Trudeau nuk ndryshon shumë me atë të Harper dikur, sepse liberalët kanë bërë presion, duke deklaruar se do kufizojnë në kohë debatin dhe nuk kanë konsultuar partitë opozitare as për përmbajtjen e projektit, as për emërimin rishtaz të Stéphane Perrault në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjedhjeve. “Në vend të na bëjnë presion, Liberalët duhet të bashkëpunojnë me ne”, - është shprehur deputeti i NDP Nathan Cullen.
Burimi: Radio-Canada
Photo credit: La Presse Canadienne/Sean Kilpatrick