Kanada

Kanada - Së shpejti në qarkullim një model i ri pasaporte më i sigurt dhe më modern

  • Published in Kanada

 

Të mërkurën e kësaj jave (10.05.) qeveria kanadeze prezantoi në Ottawa pasaportën e re që do të jetë në qarkullim së shpejti. Dokumenti i ri zyrtar u bë publik gjatë një konference shtypi në ambientet e aeroportit të kryeqytetit federal nga ministri i Imigracionit dhe Shtetësisë Sean Fraser dhe ministrja e Familjes, Fëmijëve dhe Zhvillimit Social, Karina Gould.

Ky version i ri i pasaportës, që ka nisur të konceptohet prej vitit 2013, do të ketë një dizajn të ri, më modern dhe me më shumë elementë sigurie të lartë, bazuar në teknologjinë më të fundit në këtë fushë, elementë që e bëjnë akoma më të vështirë falsifikimin. Dizajni i faqes së kopertinës do të jetë ndryshe nga modeli aktual. Kjo është hera e parë prej disa dekadash që Kanadaja ndryshon faqen e kopertinës së pasaportës, ndërsa faqja e informacionit personal të mbajtësit tani do të jetë prej polikarbonati, i njëjti material që përdoret për të prodhuar kartëmonedhat dhe patentën e drejtuesve të automjeteve. Gjithashtu, informacioni në këtë faqe nuk do të printohet më, por do të gdhendet me lazer.

Modeli i ri - si i vjetri - do të pajiset me një çip elektronik, kësaj radhe të futur në një dritare transparente në faqen e polikarbonatit për të zbuluar më lehtë përpjekjet për falsifikim. Po për këtë qëllim, në faqen e informacionit personal, fotos kryesore do t’i shtohet një kinegram, së bashku me një dritare tjetër transparente që do të ketë një foto të dytë të mbajtësit të pasaportës, e gjitha e shoqëruar nga një imazh lazer i ndryshueshëm dhe karaktere të printuara me bojë të ndjeshme ndaj temperaturës. Ndërkohë, faqet e brendshme të pasaportës janë rinovuar të gjitha dhe do të ndryshojnë pamjen e tyre nën rrezet ultravioletë. Aty shihen kafshë dhe skena jete që simbolizojnë trashëgiminë dhe identitetin e Kanadasë gjatë katër stinëve të vitit.

Pasaporta e re do të fillojë të shpërndahet gjatë verës, ndërsa pasaportat aktuale mbeten ende të sigurta dhe të vlefshme deri në skadimin e tyre. Duke filluar nga vjeshta, rinovimi do mund të bëhet gjithashtu përmes një aplikacioni në internet në faqen Web të qeverisë kanadeze, që do t'u mundesojë atyre që preferojnë këtë formë, të plotësojnë të gjitha dokumentet, të shkarkojnë foton e tyre të re të pasaportës dhe të paguajnë direkt tarifën.

Aplikacioni online do mund të përdoret vetëm për të rinovuar një pasaportë tashmë të lëshuar dhe jo për të bërë një aplikim të ri për herë të parë. Rinovimi i pasaportës për fëmijët nën 18 vjeç gjithashtu nuk do të jetë i mundur online.

Bazuar në një kontratë 14 vjeçare të firmosur në vitin 2019, Ottawa ia ka besuar konceptimin dhe prodhimin e modelit të ri të pasaportës Kompanisë Kanadeze të Kartmonedhave (Canadian Bank Note Company Limited) e cila operon nën mbikëqyrjen e Bankës së Kanadasë.

https://www.canada.ca/en/immigration-refugees-citizenship/services/canadian-passports/new-passport-features.html

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Canadian Government