Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 14 maj 2023

  • Published in Kanada

Scarborough Bluffs - Toronto

 

-British Columbia, investohen 2,2 milionë dollarë për rigjallërimin e Chinatown në Vancouver

-Alberta, vazhdojnë zjarret në pyje dhe paralajmërohen temperatura të larta në Veri të provincës

-Saskatchewan, mbyllet java e festimeve për kurorëzimin e Mbretit Charles III

-Québec, votëbesim me 98,61% në kongresin e CAQ për kryeministrin Legault

-Prince Edward Island, mbillen mijëra pemë në Parkun Kombëtar për të rritur rezistencën ndaj uraganeve

-Ontario, 102 kandidatë në garën për kryetar bashkie në Toronto

British Columbia - Qeveria provinciale e British Columbia akordoi të premten (12.05.) një fond prej 2,2 milionë dollarë për rigjallërimin e lagjes së komunitetit kinez që përndryshe njihet me emrin Chinatown. Sipas kryeministrit David Eby, përmes këtij financimi do restaurohen të gjitha fasadat e dyqaneve për të ruajtur karakterin e tyre historik. Gjithashtu do të modernizohet edhe Qendra Kulturore Kineze bashkë me infrastrukturën dhe ndriçimin përreth. Prej disa muajsh tashmë Chinatown i ka shpeshtuar iniciativat e rigjallërimit si për shembull me aprovimin e tarifës fikse 2 dollarë ora për parkim, apo me vendosjen brenda territorit të bizneseve nga komunitete të tjerë. Synimi i këtyre iniciativave mbetet ruajtja e karakterit unikal të kësaj zone. Financimi i qeverisë do të derdhet në llogarinë e Vancouver Chinatown Foundation që mbështet projekte të cilët përmirësojnë funksionimin e sipërmarrjeve, ndërtesave dhe respektojnë trashëgiminë kulturore.

Alberta - Environement Canada, agjencia federale që mbulon dhe shërbimin metereologjik, ka emetuar dje (13.05.) një paralajmërim për temperatura të larta në pjesën veriore të provincës Alberta, ku ende numërohen 87 zjarre aktivë në pyje, një e treta e të cilëve janë ende jashtë kontrollit. Agjencia federale ka publikuar edhe disa njoftime të posaçme paralajmëruese për cilësinë e ajrit, për shkak të përhapjes së tymit të zjarreve që mund të kufizojnë dhe vizibilitetin në zonat në jugperëndim të Edmontonit dhe më tej në Veri. Aktualisht në provincë janë në fuqi tetë urdhëra evakuimi dhe katër gjendje alarmi. Sipas ligjit, nëse marrin një urdhër evakuimi, të gjithë banorët duhet të përgatiten të lirojnë vendbanimin e tyre brenda një ore.

Saskatchewan - Në Selinë e Qeverisë (Governement House) në Regina të Saskatchewan u organizua dje (13.05.) një aktivitet i veçantë që shënoi dhe mbylljen e festimeve në kuadrin e kurorëzimit të mbretit Charles III një javë më parë në Westminster Abbey në Londër. Gjatë gjithë javës së kaluar, në provincë u organizuan një numër aktivitetesh, veçanërisht në Battleford dhe në Kishën Knox-Metropolitan United në Regina. Në fjalën e tij, Lejtënant-Guvernatori i Saskatchewan Russ Mirasty, i cili përfaqëson kurorën britanike në provincë, e quajti ditën e kurorëzimit një ditë historike. Po dje u hap për publikun edhe një ekspozitë kushtuar simboleve të Kurorës e organizuar nga disa sipërmarrje artizanale.

Russ Mirasty (djathtas)

Québec - Kryeministri i Québec ka marrë mbështetjen e 98,61% të delegatëve në kongresin dy ditor të Koalicionit Avenir Québec (CAQ) që u zhvillua në Sherbrooke. “Faleminderit për besimin tuaj, që më jep kaq shumë energji”, ka deklaruar François Legault para rreth një mijë mbështetësve të tij. Në vitin 2014, ai ishte votëbesuar me një rezultat prej 97.2%. “Kongresi është një moment i mirë për të kujtuar se kush jemi ne, një parti nacionaliste e fokusuar te ekonomia”, konkludoi ai në mbyllje të punimeve. E themeluar në vitin 2011, partia Coalition Avenir Québec erdhi në pushtet më 2018 dhe më pas i fitoi sërish zgjedhjet në vitin 2022 duke siguruar dy të tretat e vendeve në Parlamentin provincial.

Prince Edward Island - Uragani Fiona rrëzoi mijëra pemë në Parkun Kombëtar të provincës Prince Edward Island vjeshtën e kaluar dhe institucionet e përfshirë në ripyllëzimin e tij besojnë se kjo është një mundësi e artë për ta bërë atë më rezistent ndaj stuhive. Nën drejtimin e Parcs Canada, projekti ka nisur që nga viti 2019 dhe përfshin gjithashtu restaurimin e zonave të dëmtuara nga uragani Dorian si dhe përmirësimin e biodiversitetit në përgjithësi. Raportohet se qysh nga viti 2019 e deri tani në park janë mbjellë më shumë se 20,000 pemë, ndërsa 4,000 të tjera do vazhdojnë të mbillen këtë vit. Dorian dhe Fiona shkaktuan dëme të mëdha në pyjet e provincës ishullore. Parcs Canada vlerëson se afërsisht 80% e pemëve në zonën Cavendish u rrëzuan vetëm nga uragani Dorian më 2019, por pavarësisht gjithë këtij dëmtimi, restaurimi është i mundur. Mbjellja e pemëve në vendet e shkatërruara nga këto stuhi është objektivi kryesor i punës në vazhdim dhe është një mundësi për të diversifikuar pyllin e Parkut Kombëtar.

Ontario - Pas dorëheqjes së John Tory shkurtin e kaluar, më shumë se 100 kandidatë janë regjistruar në garën për kryetar bashkie të Torontos për zgjedhjet e parakohshme të 26 qershorit. Dorëzimi i regjistrimeve u mbyll të premten (12.05.) ora 14:00. Radio-Canada ka njoftuar se do konkurrojnë gjithsej 102 kandidatë, ndërsa sipas nënkryetares të Bashkisë së Torontos, Jennifer McKelvie, këto do jenë zgjedhjet më të mëdha të parakohshme në historinë e vendit. Aktualisht Queen City ka më shumë se tre milionë banorë. Ndër kandidatët kryesorë për drejtimin e qytetit të katërt më të madh në Amerikën e Veriut janë ish-deputetja e NDP Olivia Chow, këshilltarët bashkiakë Josh Matlow dhe Brad Bradford, ish-këshilltarja bashkiake Ana Bailão, ish-deputetja Liberale Mitzie Hunter dhe ish-shefi i policisë së Torontos Mark Saunders. “Mendoj se shumica dërrmuese e kandidatëve e dinë se ata nuk janë vërtet lojtarë seriozë. Vetëm gjashtë kandidatë kanë një farë shkalle të profilit publik, një sasi fondesh dhe një ekip që mund t'i çojë ata në vijën e finishit”, ka deklaruar ish-këshilltari bashkiak i qytetit Joe Mihevc,  cituar nga Radio-Canada.  Sipas tij, Ana Bailão, Brad Bradford, Olivia Chow, Mitzie Hunter, Josh Matlow dhe Mark Saunders janë pretendentët më seriozë për momentin.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada