Kanada

Kanada - Dhoma e deputetëve miraton ligjin e ri për gjuhët zyrtare

  • Published in Kanada

Të hënën e kësaj jave (15.05.), deputetët kanadezë kanë miratuar thuajse unanimisht projekt-ligjin C-13, i njohur ndryshe si reforma e Ligjit mbi gjuhët zyrtare. Sipas rezultatit të deklaruar zyrtarisht, 300 syresh kanë votuat pro. Vetëm një deputet ka votuar kundër dhe një tjetër ka abstenuar. Të dy nga kampi i mazhorancës liberale. I pari deputeti i Mont-Royal, Anthony Housefather, që u shpreh kundër gjatë gjithë fazave të diskutimit të projektit, ndërsa e dyta, deputetja e Longueuil-Charles-Lemoyne, Sherry Romanado. Ndërsa 30 deputetë të tjerë kanë preferuar të mos marrin pjesë në votim.

Ministrja e Gjuhëve Zyrtare, Ginette Petitpas Taylor e ka konsideruar votimin historik, duke u deklaruar mediave që Ligji C-13 plotëson dy objektiva: frenimin e rënies së përdorimit të gjuhës frënge dhe mbështetjen e komuniteteve, gjuha zyrtare e të cilëve është në situatë minorance, në provinca të caktuara.

Ginette Petitpas Taylor

Projektligji i miratuar garanton një të drejtë të re për të punuar dhe për t'u shërbyer në frëngjisht në Québec dhe në rajone me një prani të fortë frankofone në provincat e tjera, veçanërisht në bizneset private nën juridiksionin federal, si bankat, linjat ajrore dhe kompanitë hekurudhore. Pas amendimeve të bëra gjatë diskutimeve në komisionin përkatës, teksti u përafrua me Kartën e gjuhës frënge të Québec. C-13 gjithashtu i jep Komisionerit të Gjuhëve Zyrtare kompetencën për të urdhëruar institucionet federale dhe krijon një regjim sanksionesh. Përveç kësaj, ai detyron emërimin e gjyqtarëve dygjuhësh në Gjykatën e Lartë të Kanadasë.

Në një deklaratë me shkrim dërguar The Canadian Press, deputeti Housefather shpjegoi se është pikërisht prania në projektligj e referencave tek ligji 96 i Québec që shpjegon vendimin e tij. “Ndjeva se kolegëve të mi deputetë dhe kanadezëve u duhej kujtuar se preokupimi i komunitetit anglishtfolës në Québec është i pazgjidhur.”

Anthony Housfather

Konservatorët, Neodemokratët dhe sigurisht Blloku i Québec kanë votuar të gjithë në favor të ligjit C-13. Tashmë teksti do kalojë për miratim në Senat dhe më pas do marrë sanksionimin mbretëror me firmën e Guvernatores së Përgjithshme, Mary Simon. Liberalët synojnë që procesi të përfundojë para mbylljes së këtij sesioni parlamentar në muajin qershor.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada