Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 21 maj 2023

  • Published in Kanada

Kingston - Ontario

 

-Alberta, njoftimet për reshje rikthejnë shpresat për zjarrfikësit e pyjeve

-Saskatchewan, provinca më problematike për mungesën e kopshteve parashkollore

-Manitoba, protestë e komunitetit iranian kundër ekzekutimeve ndaj kundërshtarëve të regjimit në Iran

-New Brunswick, vizitë 4 ditore e Princeshës Anne me rastin e përvjetorit të Regjimentit 8 të blinduar

-Nova Scotia, ankohen të burgosurit për mungesë personeli në burgje

-Ontario, një shkollë në Toronto merr emrin e gjykatëses federale autoktone Michelle O’Bonsawin

 

Alberta - Në përballje me të nxehtin, motin e thatë dhe erën këtë fundjavë, zjarrfikësit e pyjeve në Alberta tashmë shpresojnë që do t’u vijë në ndihmë edhe shiu e moti i freskët që paralajmërohen për ditët e ardhshme. Environment Canada ka njoftuar reshje shiu dhe temperatura nën 20 gradë Celsius në disa rajone veriore të provincës deri të mërkurën. Sot (21.05.) në mëngjes në Alberta, 93 zjarre pyjesh e shkurresh ishin ende aktivë, ndërsa 23 ende jashtë kontrollit. Cilësia e ajrit gjithashtu mund të përmirësohet në ditët në vijim, sipas Environment Canada. Buletini i fundit i cilësisë së ajrit raportonte ende rreziqe shëndetësore të larta deri në shumë të larta në 14 zona, përfshi Edmonton dhe Calgary.

Saskatchewan - Sipas një raporti të publikuar në fillim të majit nga Qendra Kanadeze për Politikat Alternative, në provincën Saskatchewan, 92 për qind e parashkollorëve jetojnë në zona të konsideruara si “shkretëtira” për kujdesin ndaj fëmijëve, Një zonë “shkretëtirë” e kujdesit për fëmijët është një zonë - e përcaktuar me kod postar - ku ka më shumë se tre fëmijë të vegjël për një hapësirë ​​me kohë të plotë në një kopësht të liçensuar. Në këtë situatë ndodhen gjithsej 85.500 fëmijë në gjithë provincën, statistikë që e bën atë më problematiken në rang Kanadaje për akses në kujdesin e fëmijëve. Në Newfoundland kjo normë është 79%, në Manitoba 76%, në British Columbia 64%, në Alberta 61%, në Ontario 53%, në Nova Scotia 47%, në New Brunswick 29%, në Québec 11% dhe në Prince Edward Island 4%. Provinca Saskatchewan ishte provinca e tretë në mbarë vendin që nënshkroi programin federal të kujdesit për fëmijët 10 dollarë në ditë, duke përmbushur kësisoj objektivin tre vjet përpara afatit. Sipas njërit prej autorëve të studimit, ekonomistit David MacDonald, duhen marrë si shembull shkollat ​​publike për të përcaktuar se ku duhet të ngrihen qendrat e kujdesit për fëmijët.

Manitoba - Anëtarë të komunitetit iranian në provincën Manitoba kanë protestuar dje (20.05.) në sheshin para Muzeut Kanadez për të Drejtat e Njeriut, për të denoncuar ekzekutimet e fundit të tre të rinjve në Iran. Sipas një njoftimi të postuar në Twitter nga gjyqësori iranian, Majid Kazemi, Saleh Mirhashemi dhe Saeed Yaghoubi u ekzekutuan të premten (19.05.) në Isfahan. Ata u akuzuan për vrasjen e dy paraushtarakëve dhe një polici pro regjimit gjatë protestave nëntorin e kaluar. Grupet e të drejtave të njeriut kanë pohuar se tre të rinjtë u torturuan, u detyruan të pranonin publikisht aktin e tyre dhe iu mohua një gjykim i drejtë. Një nga pjesëmarrësit në manifestimin e Winnipeg, Kourosh Doustshenas, i deklaroi Radio-Canada se këto ekzekutime janë pjesë e një serie të gjatë rastesh brutaliteti nga ana e regjimit. Ky i fundit humbi të fejuarën e tij në tragjedinë e fluturimit PS752 të Ukraina International Airlines. Ky aeroplan u rrëzua nga një raketë iraniane tokë-ajër pak minuta pasi u ngrit nga Teherani në vitin 2020 dhe në këtë incident humbën jetën 176 persona, mes të cilëve 55 shtetas kanadezë dhe 30 rezidentë të përhershëm.

New Brunswick - Princeshës Anne, vajza e vetme e Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II, po zhvillon një vizitë 4 ditore në provincën New Brunswick. Prezenca e saj në Moncton mbylli trafikun në Main Street dhe ajo u përshëndet me një breshëri të shtënash topi. Arsyeja e vizitës së saj është kremtimi i 175 vjetorin të Regjimentit të 8-të të blinduar Hussar të Forcave të Armatosura Kanadeze në Moncton dhe Sussex, regjiment që ajo e komandon prej 50 vjetësh. Të premten (19.05) Princesha vendosi një kurorë tek memoriali kushtuar tre policëve që ranë në krye të detyrës në qershor 2014 në Moncton si dhe u takua me familjarët e tyre. Ajo gjithashtu ndoqi një koncert të Orkestrës Rinore të New Brunswick si dhe mori pjesë dje (20.05.) në paradën e Regjimentit të 8-të.

Nova Scotia - Tashmë ka një arsye për të cilën të burgosurit dhe gardianët e burgjeve në provincën Nova Scotia mund të bien dakord: probleme serioze shëndetësore dhe sigurie për shkak të mungesës së stafit të mjaftueshëm në burgje. Çështja është bërë aq serioze sa të burgosurit i janë drejtuar gjykatës për të kërkuara respektimin e të drejtave që u garantohen nga Karta Kanadeze e të Drejtave dhe Lirive. Disa pohojnë se të drejtat e tyre janë shkelur për shkak se janë mbajtur në qeli për një kohë të gjatë. “Ne jemi shumë të shqetësuar për sigurinë e tyre kur ka mungesë stafi. Ata nuk janë në gjendje t'i nxjerrin të burgosurit ashtu siç dëshirojnë, ndaj dhe janë në kushte të vështira pune”, i ka deklaruar Radio-Canada Sandra Mullen, presidente e Sindikatës së Punonjësve të Qeverisë së Nova Scotia, e cila përfaqëson dhe personelin e burgjeve. Avokatja nga Halifax Hanna Garson, gjithashtu ka pohuar se kohët e fundit ka pasur një rritje të ankesave për izolim për shkak të mungesës së stafit në burgje.

Ontario - Komisioni Shkollor frankofon Viamonde në Toronto njoftoi të premten (19.05.) emrin zyrtar të shkollës së re të mesme në Toronto East, që do quhet “Shkolla e Mesme Michelle O'Bonsawin”. Ky vendim u mor “pas një procesi rigoroz” më 18 maj, thuhet në një deklaratë zyrtare të komisionit, sipas të cilit, “duke zgjedhur emrin e këtij institucioni të ri që ndodhet në distriktin Greenwood, ne vlerësojmë ndikimin e gjyqtares O'Bonsawin në Ontario, veçanërisht për sa i përket drejtësisë, të drejtave të autoktonëve dhe edukimit ligjor. Michelle O’Bonsawin është një model frymëzues frëngjisht-folëse, e specializuar në fushat e të Drejtës së punës dhe punësimit, të drejtave të njeriut dhe ligjit të privatësisë”. Gjyqtarja Michelle O'Bonsawin është një franko-ontariane e lindur në Ontario-n Veriore me origjinë nga komuniteti autokton Odanak në Québec. Në shtator 2022, ajo ishte e para grua autoktone që emërohet anëtare e Gjykatës së Lartë të Kanadasë. Shkolla e re e mesme Michelle O'Bonsawin do të hapet në shtator 2023.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Adrian Wyld

Foto kryesore lart: Justin Trudeau dhe Volodimir Zelensky takohen në Hiroshima gjatë Samitit të G7.