Kanada - Céline Dion anulon të gjitha shfaqjet e planifikuara deri në prill 2024
- Published in Kanada
Mediat kanadeze kanë raportuar dje (26.05.) që këngëtarja më famë botërore Céline Dion, i ka anuluar të gjitha shfaqjet e saj të planifikuara deri në prill 2024 për shkak të stiff person syndrome nga e cila vuan, një sëmundje e rrallë neurologjike. Më konkretisht është anuluar vazhdimi i turneut botëror Courage, i parashikuar të rifillonte gushtin e ardhshëm në Amsterdam dhe që do të vazhdonte deri në prill 2024 në Londër.

Ekipi i Céline Dion ka shpjeguar përmes një deklarate për mediat se diva kanadeze po vazhdon të trajtohet për sëmundjen në fjalë, që e pengon atë të performojë. “Edhe pse ajo po punon intensivisht për rikuperimin e saj, aktualisht është e pamundur që të përgatitet siç duhet për të realizuar turneun. Shpresojmë që një ditë së shpejti, Céline do të performojë në skenë para fansave të saj në të gjithë qytetet europiane që përfshinte lista e turneut”, thuhej në deklaratë.
Këngëtarja me origjinë nga Charlemagne, Québec, ka shprehur keqardhjen që po i zhgënjen sërish admiruesit e saj. “Jam duke punuar shumë për të rifituar forcën time, por turnetë e këtyre përmasave janë të vështirë për t’u përballuar edhe kur je 100% në formë nga ana shëndetësore. Me zemër të thyer vendosa të anuloj gjithçka tani, derisa të jem vërtet gati të rikthehem në skenë”, është shprehur ajo.

Céline Dion i pat përfunduar 52 shfaqjet e para të Courage World Tour në Amerikën e Veriut përpara shpërthimit të pandemisë dhe e ndërpreu turneun në mars 2020. Në fillim të vitit 2021, ndërsa industria e argëtimit ishte ende nën kufizime të rrepta për shkak të COVID-19, ajo xhiroi filmin e saj të parë, Love Again, me protagonistë Priyanka Chopra Jonas dhe Sam Heughan. Prej atij momenti ajo u diagnostikua me një sëmundje të rrallë, stiff person syndrome, që shkakton spazma të rënda dhe të vazhdueshme të muskujve, situatë që po e pengon atë të rikthehet para publikut. Ndërkohë, bëhet e ditur se biletat e blera për 42 shfaqjet e anuluara do t’u rimbursohen blerësve pranë pikave të shitjes përmes të cilave ishin rezervuar dhe paguar.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: Getty/Pascal Le Segretain












