Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 28 maj 2023

  • Published in Kanada

Lunenburg - Nova Scotia

 

-British Columbia, kryeministri David Eby në turneun aziatik dy javor shmang Kinën

-Alberta, rikthimi i motit të thatë mund të nxisë sërish përhapjen e zjarreve në pyje

-New Brunswick, kryeministri Higgs deklaron se politikat LGBTQ duhet të respektojnë të drejtat e prindërve

-Québec, manifestim kundër profilizimit racial nga policia në Montréal

-Ontario, nis fushata për zgjedhjen e kreut të Partisë Liberale të provincës

 

British Columbia - Kryeministri i British Columbia David Eby është nisur sot drejt Azisë për një mision ekonomik dy javor, gjatë të cilit është planifikuar të vizitojë Japoninë, Korenë, Singaporin, Vietnamin, por jo Kinën. Synimi i vizitës së tij do jetë forcimi i lidhjeve ekonomike të provincës me partnerët e saj në rajonin Indo-Paqësor, që aktualisht po përjeton rritje të shpejtë ekonomike. “E dimë se tregtia mund të ndikohet nga ngjarjet botërore”, deklaroi Eby në një konferencë për shtyp dje (27.05). “Nëse ka një ndërprerje në marrëdhëniet tregtare me një vend, marrëdhëniet tona me vendet e tjera mund ta kompensojnë”, shtoi tha ai. Bashkë me David Eby në këtë udhëtim janë Ministrja e Energjisë Josie Osborne, Ministrja e Zhvillimit Ekonomik Brenda Bailey, si dhe Ministri i Shtetit për Tregtinë Jagrup Brar. Delegacioni do të takohet me aktorë të rëndësishëm të ekonomisë aziatike për të diskutuar investimet dhe partneritetet në fusha të ndryshme, duke përfshirë teknologjitë e gjelbra, minierat dhe teknologjitë e komunikimit dhe do të kthehet në Kanada në datën 7 qershor.

Alberta - Ndërkohë që shumë persona të evakuuar nga zjarret janë lejuar të kthehen në shtëpitë tyre në provincën Alberta, autoritetet përgjegjëse për emergjencat i kanë paralajmëruar qytetarët në zonat përkatëse se kushtet e motit të nxehtë dhe të thatë janë rikthyer këtë fundjavë. Mëngjesin e sotëm (28.05.) janë aktivë gjithsej 53 zjarre pyjorë, ndër të cilët 14 ende jashtë kontrollit. Numri i personave që janë të evakuuar aktualisht është rreth 5250. Sipas Environment Canada, rreziku i shkaktuar nga cilësia e dobët e ajrit për shkak të zjarreve mbetet i ulët deri në nivelin mesatar, në shumicën e territorit të Alberta-s. Megjithatë, ky rrezik mund të jetë i lartë aty ku tymi vazhdon të përhapet, veçanërisht në afërsi të Fort Chipewyan në veri të provincës.

New Brunswick - Kryeministri i New Brunswick ka bërë thirrje për një debat të qetë, ndërkohë që qeveria e tij ka nisur rishikimin e kontestuar të një politike që synon të mbrojë të rinjtë LGBTQ+ që ndjekin shkollat ​​publike në të gjithë provincën. Një letër e hapur e nënshkruar nga Blaine Higgs u publikua të premten (27.05) në website-in e Telegraph-Journal. Letra titullohej “Politika 713 është e rëndësishme, ndaj le të flasim”. “Dua t’ua bëj të qartë të gjithë qytetarëve të New Brunswick se ne nuk e kemi menduar dhe nuk e kemi konsideruar kurrë heqjen e kësaj politike. Në vend të kësaj, ne po punojmë për të rishikuar tre seksione që shkaktojnë konfuzion dhe keqkuptim”, thuhet në letrën e Blaine Higgs. Sipas kryeministrit Progresist-Konservator, një seksion që duhet rishikuar ka të bëjë me faktin se fëmijët nën moshën 16 vjeç mund të ndryshojnë emrin e tyre pa informuar prindërit ose pa marrë pëlqimin e tyre. Në fakt, personat nën moshën 16 vjeç duhet të kenë lejen e prindërve të tyre për të ndryshuar ligjërisht emrin në New Brunswick dhe politika 713 nuk mund ta ndryshojë këtë. Politika, megjithatë, parashikon se nëse një nxënës dëshiron të përdorë një emër ose mbiemër alternativ për shkak të identitetit të tij gjinor, shkolla nuk mund t’i raportojë prindërve kundër dëshirës së tij. “Kjo është konfuze për prindërit”, ka argumentuar Blaine Higgs, duke theksuar se “mbrojtja e të drejtave të njeriut është një parim i panegociueshëm për qeverinë, që respekton të gjitha palët, ndaj dhe duhet gjetur një mënyrë për t'i mbrojtur këto të drejta duke respektuar edhe rolin e prindërve”.

Québec - Disa qindra vetë, një pjesë të ardhur nga Quebec City, janë mbledhur dje (27.05) në qendër të Montréal për të denoncuar profilizimin racor nga policia dhe për të përkujtuar gjithashtu vdekjen e afro-amerikanit George Floyd, pas një arrestimi nga policia në SHBA, më 25 maj 2020. Manifestimi nisi në orën 13:00 në Sheshin Émilie-Gamelin dhe u organizua nga disa shoqata të komunitetit, duke përfshirë Hoodstock, Kolektivin për Luftën dhe Veprimin Kundër Racizmit si dhe seksionin e Québec të Lidhjes për të Drejtat dhe Liritë. Pjesëmarrësve në manifestim iu shpërndanë flamuj të bardhë mbi të cilët lexohej fjala dinjitet. Grupi i organizatave bëri thirrje sërish për pranimin e racizmit sistemik nga qeveria e Québec. “Ne do të donim që Quebéc thjesht të zbatojë “Vendimin Yergeau” dhe t’i përshtasë ligjet dhe rregulloret me këtë jurisprudencë”, është shprehur një zëdhënës i manifestuesve. Ky vendim, i dhënë në tetor 2022 nga gjyqtari Michel Yergeau, ndalon kontrollin e automjeteve nga policia pa arsye të vlefshme. Vendimi është ankimuar nga provinca nëntorin e kaluar dhe aktualisht po shqyrtohet në Gjykatën e Apelit. Gjykata do duhet të përcaktojë nëse është e mundur t'i jepet fund profilizimit racor pa e ndaluar policinë të kryejë kontrolle të rastësishme.

Ontario - Deputeti provincial i Kingston dhe Ishujve, Ted Hsu, filloi zyrtarisht fushatën sot (28.05.) për t'u bërë lideri i ardhshëm i Partisë Liberale të Ontarios. Deklarata zyrtare njofton se kandidati përfaqëson një energji të re për partinë dhe se ai ka vizituar gjatë muajve të fundit 70 zona elektorale për të takuar sa më shumë qytetarë. Sipas Hsu, “banorët e Ontarios po përballen me shumë probleme si kostoja e jetesës, strehimi, kujdesi shëndetësor, shëndeti mendor dhe varësitë, kujdesi për të moshuarit, reduktimet e fondeve në arsim, mungesa e fuqisë punëtore, borxhi dhe ndryshimet klimatike. Një ekonomi e fortë është e nevojshme për të kapërcyer këto sfida, por së pari Partia Liberale duhet të rifitojë besimin e zgjedhësve”, ka theksuar ai. Ted Hsu është kandidati i dytë zyrtar që pretendon të sfidojë kryeministrin Doug Ford në zgjedhjet e vitit 2026. I pari kandidat i deklaruar është deputeti federal Liberal, Nate Erskine-Smith, deputet i zonës Beaches-East York në Toronto prej vitit 2015, zonë ku jetojnë një numër jo i vogël shqiptaro-kanadezësh. Ndërkohë edhe kryetarja e Bashkisë Mississauga, Bonnie Crombie, ka deklaruar se po mendon seriozisht të hyjë në garë. Po ashtu edhe ish-ministri provincial, Yasir Naqvi. Kjo garë për drejtimin e Partisë Liberale zhvillohet pas dorëheqjes së Steven Del Duca, i larguar nga posti pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar ku rezultati i Liberalëve ishte katastrofik. Del Duca kandidoi dhe u zgjodh më pas në vjeshtë kryetar i Bashkisë Vaughan.  Partia Liberale e Ontarios do të shpallë liderin e saj të ri më 2 dhjetor.

Nat Erskine Smith (majtas) dhe Ted Hsu (djathtas)

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada