Hokej - Kanadaja mund Gjermaninë dhe fiton për të 28-tën herë Kampionatin Botëror
- Published in Kanada
Kanadaja ka mundur dje (28.05) Gjermaninë 5-2 në finalen e Kampionatit Botëror të Hokejit mbi akull për meshkuj, që u zhvillua në Helsinki të Finlandës, duke fituar njëherazi dhe medaljet e arta.
Samuel Blais shënoi dy herë, përfshi dhe golin e avantazhit pas barazimin 2-2 në periudhën e tretë. Sulmuesi i lindur në Montmagny të Québec, u shpall gjithashtu lojtari më i mirë i ndeshjes. Ndërkohë, ish-lojtari i Canadiens të Montréal, Tyler Toffoli shënoi golin e sigurisë po në periudhën e tretë, ndërsa në fund të ndeshjes, Scott Laughton shënoi të pestin në portën e zbrazët. Para portës kanadeze, portieri i Canadiens të Montréal, Samuel Montembeault arriti të ndalojë 21 goditje duke kontribuar kësisoj në fitoren e ekipit.

Samuel Blais
Kjo është hera e 28-të që Kanadaja fiton titullin botëror për meshkuj. Është gjithashtu podiumi i katërt radhazi për Kanadanë, që e humbi finalen e vitit të kaluar kundër Finlandës.
Ky kampionat shënoi dhe një arritje historike për Letoninë, që fitoi medaljen e parë në një Kampionat Botëror të Hokejit. Ekipi letonez arriti të mundë Shtetet e Bashkuara 4-3 në kohën shtesë. Deri më sot, renditja me e mirë e Letonisë ka qenë vendi i 7-të, ndërsa amerikanët e humbën medaljen e bronztë për të dytin vit radhazi. Formacioni amerikan ishte treguar i papërballueshëm duke fituar tetë takimet e para të turneut përpara se të humbiste ndeshjen gjysmëfinale të së shtunës, me rezultatin 4-3, gjithashtu në kohën shtesë, kundër Gjermanisë.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: AFP/Jonathan Nackstrand; Hockey Canada












