Kanada

Kanada - Deputetja federale Jenny Kwan deklaron se është objekt i ndërhyrjes kineze

  • Published in Kanada

Nga British Columbia, deputetja e NDP (New Democratic Party) në zonën Vancouver East, Jenny Kwan, ka deklaruar dje (29.05.) se Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë (Canadian Security Intelligence Service) e ka njoftuar zyrtarisht të premten e kaluar (26.05.) se ajo ishte dhe vazhdon të jetë në shënjestrën dhe vëzhgimin e qeverisë kineze. Sipas saj, CSIS i ka konfirmuar, se ajo ishte identifikuar nga Kina qysh në zgjedhjet federale të vitit 2019 dhe mbeti një objektiv për shkak të kritikave të saj ndaj qeverisë së Pekinit.

Jenny Kwan, edhe pse pohoi në një deklaratë se është e pamundur për të të japë më shumë detaje pa shkelur ligjet e sigurisë, theksoi se do të vazhdojë të flasë në emër të imigrantëve të sapoardhur, apo të diasporës si dhe do denoncojë shkeljet e të drejtave të njeriut në Hong Kong, prej nga është dhe në rajonin Xinjiang të Kinës, duke shprehur njëkohësisht shqetësimin pse deputetët nuk kishin marrë asnjë informacion për kërcënime të mundshme ndaj tyre prej vitesh.

Përfaqësuesja e NDP është deputetja e fundit që deklaron se ka marrë informacion nga shërbimet sekrete kanadeze lidhur me këtë temë delikate, që ka zënë një vend parësor në debatin politik parlamentar në Ottawa.

Nga ana e saj, New Democratic Party e Jagmeet Singh, ka deklaruar se masat e marra nga qeveria federale ndaj ndërhyrjes së Kinës në punët e brendshme të Kanadasë nuk janë të mjaftueshme, duke përsëritur sërish kërkesën për një hetim publik. NDP ka kërkuar gjithashtu dorëheqjen e raportuesit special David Johnston nga kjo dosje pasi sipas saj, ai nuk gëzon besimin e plotë të opozitës. Një mocion i depozituar për këtë çështje pritet të debatohet sot (30.05.) në Dhomën e Deputetëve.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: CBC