Kanada

Kanada - Partia e Bashkuar Konservatore e Danielle Smith fiton zgjedhjet në Alberta

  • Published in Kanada

Me rreth 52,6% të votave të vlefshme dhe 49 deputetë të zgjedhur nga 87 gjithsej, Partia e Bashkuar Konservatore (The United Conservative Party) e kryeministres Danielle Smith, ka arritur të sigurojë mbrëmë (29.05.) mandatin e dytë radhazi për të qeverisur provincën Alberta. 38 vendet e tjera në Parlament i ka fituar New Democratic Party e Rashel Notley, që pati rritje sidomos në Calgary dhe Edmonton, qytet ku i fitoi të gjitha zonat, madje për shkak të këtij fakti, 3 ish-ministra të qeverisë Smith e humbën mandatin e deputetit.

Për kryeministren Danielle Smith, kjo është fitorja e parë qysh nga zgjedhja e saj në krye të Konservatorëve të Alberta-s, pas dorëheqjes së Jason Keney. Smith rimori gjithashtu mandatin si deputete e zonës elektorale Brooks-Medicine Hat. Pasi vlerësoi përkushtimin e Rachel Notley, gjatë fjalimit të saj ajo u zotua t'u shërbejë të gjithë qytetarëve, pavarësisht se për kë votuan. “Është koha për të kapërcyer partizanërinëë dhe sulmet”, theksoi ajo, duke premtuar sërish uljen e taksave dhe rezistencë ndaj Ottawa, veçanërisht në drejtim të tranzicionit energjetik.

Premtimet kryesore të Danielle Smith dhe Partisë Konservatore ishin: Taksimi deri në 8% për 60,000 dollarët e parë të të ardhurave; mosrritja e taksave personale dhe korporatave; miratimi i një ligji që ia nënshtron çdo rritje taksash referendumit; trajtimi i detyrueshëm në rast nevoje i të varurve nga droga; rritja e investimeve në fushën e sigurisë publike.

Kush është Danielle Smith?

Emri i plotë i kryeministres së rizgjedhur të Albert-as është Marlaina Danielle Smith. Ajo ka lindur në 1 prill të vitit 1971 në Calgary. Gjyshi i saj nga ana e babait ishte një imigrant ukrainas, i quajtur Philipus Kolodnicki. Pas ardhjes në Kanada në vitin 1915, ai vendosi ta aglicizojë emrin dhe u quajt Philippe Smith. Danielle Smith është diplomuar në letërsi angleze, shkenca politike dhe ekonomi në Universitetin e Calgary. Ajo qysh në moshë të re u angazhua me Progresistët Konservatorë, bashkë me Jason Kenney dhe mentori i saj ka qenë Tom Flanagan, ish-këshilltar i kryeministrit Stephen Harper. Në vitet 2012-2015, ajo ishte deputete provinciale e zonës elektorale Highwood.

Smith ka qenë kryetare e Partisë Wildrose (me orientim konservator) nga viti 2009 dhe lidere e opozitës nga viti 2012, deri në dorëheqjen e saj, për t’iu bashkuar më pas Konservatorëve Progresistë të kryeministrit Jim Prentice në dhjetor 2014. Përpara se të zgjidhej kryetare e Partisë Wildrose, Danielle Smith ka punuar fillimisht pranë Institutit Fraser e më vonë drejtoreshë për provincën Alberta e Federatës Kanadeze të Biznesit të Pavarur. Ajo gjithashtu ka punuar si gazetare në shtyp, radio dhe televizion dhe për disa kohe edhe administratore e Calgary Board of Education.

Idhulli i Danielle Smith mbetet ish-kryeministrja britanike Margaret Thatcher, të cilën ajo e pat takuar gjatë kohës së qëndrimit pranë Institutit Fraser, një think tank me orientim konservator. Ashtu si Thatcher, Danielle Smith e identifikon veten si libertariane dhe mbështetëse e një roli sa më të reduktuar të shtetit mbi jetën e qytetarëve. Smith është e martuar me biznesmenin David Moretta, me rreth 25 vjet karrierë në fushën e mediave, ku ndër të tjera ai ka ushtruar dhe detyrën e kryeredaktorit të Global News Calgary. Moretta dhe Smith janë gjithashtu pronarë të restorantit The Dining Car në High River.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Postmedia/Azin Ghaffari; Radio-Canada/Jocelyn Boissonneault