Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 4 qershor 2023

  • Published in Kanada

Torngat Mountains National Park Labrador

 

-British Columbia, tregues në rritje për tregun e banesave në Greater Vancouver

-Alberta, mbaron afati i gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të zjarreve

-Saskatchewan, zhvillohet në Saskatoon festivali provincial i fëmijëve

-Nova Scotia, rreshjet e shiut zbusin situatën e rënduar nga zjarret në pyje

-Newfoundland, kompania norvegjeze e naftës Equinor shtyn projektin North Bay

-Ontario, mungesë personeli në sektorin e administrimit të godinave kondominium

 

British Columbia - Sipas Bordit të Pasurive të Paluajtshme të Metropolitan Vancouver, shitjet e shtëpive dhe apartamenteve të banimit në Greater Vancouver u rritën 15.7 për qind në maj 2023, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Tregu i banesave po tregon shenja “ringrohjeje” me afrimin e verës”, deklaroi institucioni në fjalë, “ndërsa çmimet u rritën për të gjashtin muaj radhazi”. Megjithatë, mumri i listimeve të reja për shitje në maj arriti në 5661, një rënie kjo prej 11.5% krahasuar gjithashtu me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa çmimi mesatar i referencës për një pronë është llogaritur 1 milionë e 188 mijë dollarë. Kjo është një rritje prej 1.3% krahasuar me muajin prill. Sipas drejtorit të ekonomisë dhe analizës së të dhënave të Bordit të Pasurive të Paluajtshme, Andrew Lis, çmimet janë rritur sepse ka më shumë blerës sesa shitës në treg. Nga ana tjetër, shitjet për muajin maj janë llogaritur në 3,411, ose 1,4% më pak se mesatarja sezonale në 10 vjet, e cila është 3,458 njësi. Andrew Lis pohoi gjithashtu për Radio-Canada se rritja e shitjeve të muajit maj, afër mesatareve historike, “ishte një kthesë e paparashikuar në një mjedis me norma më të larta interesi dhe ngadalësim të listimeve të reja”.

Alberta - Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur më 6 maj për shkak të zjarreve në provincën Alberta ka përfunduar mbrëmë (03.06.) në orën 23:59. Lajmin e bëri të ditur ministri provincial i Sigurisë Publike Mike Ellis. “Kjo nuk do të thotë se puna për shuarjen e zjarreve dhe mbrojtjen e komuniteteve ka përfunduar”, ka deklaruar ai në konferencë shtypi, duke shtuar se situata e zjarreve mbetet serioze, por është përmirësuar. Në javët e fundit, më shumë se 38,000 personave në Alberta u është dashur të lënë shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve, ndërsa aktualisht janë vetëm 4200 të tillë ende të evakuuar. Ministri Ellis siguroi gjithashtu se heqja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk do të çojë në një reduktim të burimeve të dedikuara për frenimin e zjarreve në pyje, me të cilat ende po përballen rreth 2600 zjarrfikës. Urdhrat e evakuimit janë ende në fuqi për Fort Chipewyan, Mikisew First Nation, Fort Chipewyan Métis Nation dhe Athabasca Chipewyan First Nation. Pasditen e djeshme (03.06.), 57 zjarre pyjesh ishin ende aktivë në Alberta, duke përfshirë 15 që nuk janë akoma nën kontroll. Sipas Environment Canada, cilësia e dobët e ajrit e shkaktuar kryesisht nga tymi paraqet një rrezik të ulët deri në mesatar për shëndetin në shumicën e zonave të prekura nga zjarret.

Saskatchewan - Më shumë se 10,000 vetë kanë qenë prezent këtë fundjavë në Saskatoon me rastin e Festivalit të Fëmijëve të Saskatchewan, organizuar nga kompania e madhe kanadeze e fertilizuesve Nutrien, e cila operon në këtë provincë. Ështe hera e dytë radhazi që po zhvillohet ky aktivitet që nga pandemia COVID-19. Gjatë tri ditëve në Kinsmen Park ishin planifikuar shfaqje muzikore, shfaqje teatrale dhe aktivitete të tjera të të gjitha llojeve, përfshi dhe lojëra zbavitëse. Sipas drejtoreshës së festivalit, Darcy Young, gjithëpërfshirja është vlera më e rëndësishme që synohet të promovohet në këtë event. Festivali inkurajon gjithashtu pjesëmarrjen e fëmijëve në panele diskutimi apo dhe daljen në skenë me uniforma nga periudhat e kaluara historike të shekujve 18 et 19.

Nova Scotia - Përballja me zjarret në pyje ka vazhduar dhe sot (04.06) në provincën  Nova Scotia. Një rreze shprese për të gjithë parashikohen të jenë rreth 80 mm reshje shiu të parashikuara që kanë nisur e  vazhdojnë të bien. Sipas Environment Canada, shirat do të vazhdojnë të paktën deri të martën, gjë që mund të ndihmojë shumë në vënien nën kontroll të zjarreve. Megjithatë, cilësia e ajrit mbetet e dobët dhe tymi nga zjarri pranë liqenit Barrington në rajonin Shelburne mund të vazhdojë të zvogëlojë vizibilitetin. Për shkak të këtij zjarri janë mbyllur disa rrugë. Pjestarë të Forcave të Armatosura Kanadeze si dhe zjarrfikës amerikanë ndodhen aktualisht në Nova Scotia për t’u dhënë ndihmë strukturave lokale dhe provinciale. Një kontingjent prej 17 zjarrfikësish nga New Hampshire, Maine, Connecticut dhe New York zbarkuan në Shubenacadie dje (03.06.) në mbrëmje. Ndërkohë, pesë zjarre janë ende aktivë në provincë dhe sot (04.06.) në orën 8 të mëngjesit, zona e zjarrit në Liqenin Barrington, rajoni Shelburne, u vlerësua të jetë deri 24,890 hektarë. Këto zjarre, janë zjarret pyjorë më të mëdhenj në historinë e Nova Scotia.

Newfoundland - Në fillim të javës që po mbyllet, kompania norvegjeze Equinor njoftoi shtyrjen për një periudhë deri në tre vjet të megaprojektit të nxjerrjes së naftës North Bay në provincën Newfoundland & Labrador. Drejtori përgjegjës për Kanadanë, Tore Loseth, pohoi për mediat që Equinor po e rishqyrton planin, por nuk e ka hedhur poshtë projektin. Shkaku sipas tij është rritja e shumë kostove të përllogaritura më parë dhe kushtet e paqëndrueshme të tregut gjatë muajve të fundit. Projekti fillimisht ishte vlerësuar në 16 miliardë dollarë dhe Equinor parashikohet se do marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij rreth vjeshtës së vitit 2024. Njoftimi shkaktoi jo pak tronditje në radhët e industrisë së naftës të Newfoundland dhe Labrador, sektor që u mblodh këtë javë në kongresit vjetor të Energy NL. “Ky është një lajm jashtëzakonisht zhgënjyes për të gjithë, për industrinë dhe për provincën”, deklaroi Charlene Johnson, presidente dhe CEO e Energy NL. Analisti Rob Strong pohoi për Radio-Canada se North Bay është projekti i tretë i shtyrë ose anuluar nga Equinor në dy muajt e fundit. Sipas tij, disa faktorë mund të shpjegojnë vendimin: kostoja e lartë e prodhimit në det të hapur, kërkesat e qeverisë provinciale për ndërtimet lokale dhe vendet e punës si dhe detyrimet ndërkombëtare që duhen paguar, sepse zona e projektit ndodhet më shumë se 200 milje detare nga bregu.

Ontario - Administratorët e godinave në bashkëpronësi (kondominium) në të gjithë Ontarion kanë shprehur disa shqetësime së fundi ndërkohë që autoritetet provinciale kanë shpallur synimin për nxitjen e ndërtimit të më shumë godinave të tilla. Ata theksojnë se nuk do të ketë staf të mjaftueshëm për të menaxhuar këto ndërtesa në të ardhmen. Sipas të dhënave nga provinca dhe Autoriteti Rregullator i Menaxhimit të Godinave Kondominium, aktualisht ekzistojnë 2,500 menaxherë të çertifikuar në Ontario për t'u kujdesur për 950,000 apartamente, por situata mund të bëhet problematike veçanërisht me daljen në pension të disa prej tyre në vitet në vijim, pa përmendur edhe rritjen e numrit të banesave që do të menaxhohen në të ardhmen. Sipas hulumtimve të firmës së konsulencës së pasurive të paluajtshme Urbanation, 25,000 apartamente pritet të ndërtohen vetëm këtë vit. Menaxherët e godinave në bashkëpronësi janë përgjegjës për funksionimin e përditshëm dhe mirëmbajtjen e ndërtesave të bashkëpronësisë, si financiarisht ashtu edhe ligjërisht. Sipas ACMO (Association of Condominium Managers of Ontario), pa këta menaxherë, ndërtesat rrezikojnë të neglizhohen. Kjo situatë mund të sjellë pasoja negative afatgjata për banorët në nivel ligjor, financiar dhe në mirëmbajtjen e përgjithshme të objekteve. ACMO i ka bërë thirrje qeverisë së Ontario-s të hartojë një plan rekrutimi të menaxherëve si dhe një strategji masash që i nxit ata të punojnë sa më gjatë në këtë sektor . Sipas ACMO paga mesatare për një menaxher varet nga madhësia e objektit për të cilin ata janë përgjegjës, por fillon me një mesatare prej rreth 70,000 dollarë në vit.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada