Kanada

Kanada, mbi 3 milionë hektarë pyje janë djegur gjatë javëve të fundit

  • Published in Kanada

Nga njeri oqean në tjetrin, nga British Columbia në Nova Scotia, zjarret në pyjet e Kanadasë janë shumëfishuar javët e fundit dhe kanë djegur tashmë miliona hektarë, përveçse kanë detyruar evakuimin e mijëra banorëve në zonat e prekura. Me rreth 362 milionë hektarë, Kanadaja renditet e treta në botë për nga madhësia e sipërfaqes pyjore. Prej dje (05.06), numri i zjarreve aktivë në vend e kaloi shifrën 400, nga të cilët afro 250 janë ende jashtë kontrollit.

Sipas qeverisë federale kanadeze, në total 2214 zjarre kanë dëmtuar deri tani rreth 3.3 milionë hektarë pyje, rreth 13 herë më shumë se mesatarja e 10 viteve të fundit. Gjithsej 120,000 banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe 26,200 të tjerë janë ende duke u evakuuar.

Gjatë një konferencë për shtyp, drejtori i përgjithshëm i Qendrës Veriore të Pyjeve në Ministrinë e Burimeve Natyrore të Kanadasë, Mike Norton, theksoi se situata është e pazakontë. Asnjeherë më parë nuk kanë rënë kaq shumë zjarre për një kohë kaq të shkurtër, menjëherë pas fillimit të sezonit të ngrohtë. Për më tepër, parashikimet për muajt e ardhshëm paralajmërojnë një aktivitet të zjarreve në pyje mbi normalen e viteve të fundit.

Sezoni i zjarreve nisi më herët se zakonisht në perëndim të vendit, diku në fillim të majit. Në Alberta, autoriteteve u është dashur të përballen me rreth 580 zjarre këtë vit, duke përfshirë më shumë se 300 të shkaktuara nga dora e njeriut. Deri më tani, valet e flakëve kanë detyruar 38,000 banorë të kësaj province të evakuojnë shtëpitë e tyre, si dhe kanë rrafshuar më shumë se një milion hektarë pyje dhe shkurre. Në historinë e Alberta-s, sipërfaqja më e madhe e tokës së djegur daton në vitin 1981, kur 1.3 milionë hektarë u dogjën gjatë një sezoni të vetëm. Edhe pse gjendja e jashtëzakonshme provinciale e shpallur më 6 maj përfundoi më 3 qershor, në Alberta ka ende më shumë se 60 zjarre aktivë.

Provinca fqinje British Columbia po përballet me rreth 80 zjarre, duke përfshirë zjarrin masiv në Donnie Creek, i cili aktualisht mbulon 240,480 hektarë. Ky zjarr, është një nga më të mëdhenjtë në historinë e saj. Në të njëjtën kohë, një zjarr i madh që ka djegur tashmë më shumë se 200,000 hektarë në Northwest Territories ka vënë në vështirësi komunitetin Sambaa K'e.

Në anën tjetër të vendit, ndër provincat atlantike, Nova Scotia po përjeton një nga sezonet e saj më të vështirë. Në jugperëndim të saj, zjarri pranë liqenit Barrington në rajonin Shelburne, i cili ka nisur që nga 27 maji, nuk është ende nën kontroll. Ky zjarr, që aktualisht ka nën pushtetin e tij 24,980 hektarë, është më i madhi në historinë e provincës. Për gati një javë aty janë shkatërruar nga flakët 26,680 hektarë. Më shumë se 20,000 njerëz u desh të evakuoheshin dhe 200 banesa u dogjën tërësisht. Kryeministri i Nova Scotia, Tim Houston deklaroi se provinca nuk ka mobilizuar kurrë kaq shumë burime për të luftuar zjarret, të cilët janë të paprecedentë. Megjithatë, shiu i ditëve të fundit e lehtësoi disi punën e zjarrfikësve, të cilët arritën të frenojnë zjarret në qytetin Shelburne, në fshatin Pubnico dhe në Halifax.

E papërfshirë vitin e kaluar nga sezoni i zjarreve në pyje, provincës Québec i mungon sivjet fuqia punëtore e mjaftueshme për të përballuar zjarret e shumtë që kanë shpërthyer në territorin e saj. Çuditërisht ky territor përjetoi një fillim shumë të qetë të sezonit për shkak të temperaturave nën normalen dhe rënies së shiut të ngrirë. Në fillim të muajit maj, në Québec numëroheshin vetëm 18 zjarre, që kishin prekur rreth 5.2 hektarë pyje, ndërsa që nga 5 qershori, autoritetet përgjegjëse po përpiqen të kontrollojnë më shumë se 150 të tillë. Që nga fillimi i sezonit, janë regjistruar 417 zjarre që kanë prekur më shumë se 159,000 hektarë. Kjo shifër është shumë mbi mesataren e dhjetë viteve të fundit në të njëjtën datë, e cila llogaritet në 199 zjarre për 247.3 hektarë të prekur.

Rajonet Sept-Îles në Bregun Verior dhe sektori Chute-des-Passes në Saguenay–Lac-Saint-Jean, janë veçanërisht të prekur. E njëjta situatë paraqitet edhe në afërsi të Lebel-sur-Quévillon, ku zjarret 344 dhe 312 kombinojnë një total prej më shumë se 27,900 hektarësh të djegur. Sipas autoriteteve, rrufeja është shkaku i pjesës më të madhe të zjarreve.

Qeveria federale, e cila ka dërguar ushtrinë në ndihmë të provincave të prekura, parashikon një situatë të vështirë gjatë gjithë kësaj vere dhe ka paralajmëruar se moti i nxehtë dhe i thatë mund të kontribuojë në rritjen e numrit të zjarreve në pyje, në një pjesë të madhe të territorit të Kanadasë.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; Natural Resources Canada