Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 11 qershor 2023

  • Published in Kanada

St. John's, capital of Newfoundland and Labrador

 

-British Columbia, 15 mijë dollarë bonus për mësuesit që pranojnë kontratë në distriktin rural 74

-Alberta, kryeministrja Danielle Smith njofton nisjen e hetimeve mbi shkaqet e zjarreve në pyje

-Saskatchewan, testamenti i një fermeri i shkruar mbi parafangon e një traktori hyn në histori

-Nova Scotia, 139 zjarrfikës kanadezë dhe amerikanë po luftojnë ende me zjarrin pranë liqenit Barrington

-Québec, bilanci 2022 i Policisë së Montréal konfirmon rritjen e dhunës në metropol

-Ontario, 12 vjeçarja Anthaea-Grace Patricia Dennis diplomohet në Universitetin e Ottawa

 

British Columbia - Sipas Radio Canada, një donator anonim ka deklaruar që ofron 10,000 dollarë bonus për çdo mësues që pranon të punojë në shkollat ​​lokale të një distrikti shkollor rural në brendësi të provincës British Columbia. Ndërsa për ata që zgjedhin të punojnë në Lytton, fshati që u shkatërrua nga zjarri dy vjet më parë, oferta është 15,000 dollarë. Kjo fushatë e Distriktit Shkollor 74 është pjesë e një programi të quajtur “Mirësevini në zonë”, fondet për të cilin shpërndahen nëpërmjet një organizate të komunitetit lokal, Community Futures Sun Country. Distrikti shkollor 74 mbulon komunitetet më të vogla në perëndim të Kamloops. Bonusi synon të inkurajojë mësuesit që të vijnë të vendosen në rajon, për të punuar në shkollat ​​e Ashcroft, Lillooet dhe Lytton, të cilat kanë më pak se 300 nxënës. Sipas Linsie Lachapelle, drejtore ekzekutive e Community Futures Sun Country, në total, 25 pozicione mësimdhënie janë vakante në këto shkolla. Shuma e premtuar parashikohet të jepet në disa këste. Ajo gjithashtu shoqërohet edhe me një kompensim prej 7,500 dollarësh për shpenzimet e transferimit. Mësuesve që do pranojnë të japin mësim në Ashcroft ose Lytton do t’u vihen gjithashtu në dispozicion edhe nga një automjet dhe do t'u ofrohen karta të parapaguara karburanti. Ky program inkurajues për të plotësuar pozicionet vakante është nxitur nga fakti që shumë shkolla në British Columbia përballen me mungesë personeli. Kjo situatë i ka detyruar disa distrikte shkollore të punësojnë mësues të paçertifikuar për shkak të mungesës së mësuesve të kualifikuar.

Alberta - Kryeministrja e provincës Alberta, Danielle Smith, njoftoi të enjten e kaluar (08.06) se qeveria e saj po përgatitet të nisë një hetim për të hedhur dritë mbi shkaqet e disa prej zjarreve në pyje që vazhdojnë të jenë aktivë. Moti i nxehtë dhe i thatë sivjet provokoi një sezon të paprecedent zjarresh në Alberta. Smith pohoi se qeveria e saj ka angazhuar hetues të specializuar nga jashtë provincës për zjarrvëniet, sepse sipas saj, për afro 175 zjarre, nuk dihet për momentin cili është shkaku. Njoftimi i kryeministres u bë gjatë një emisioni televiziv ku prezantuesja pyeti se si planifikon t’i përputhë ajo politikat energjetike të qeverisë së saj me lidhjen shkak-pasojë që ekspertët kanë bërë midis sezonit ekstrem të zjarreve të këtij viti dhe ndryshimeve klimatike. Danielle Smith u përgjigj që ka dyshime se pas disa prej zjarreve mund të qëndrojnë akte të qëllimshme kriminale duke shtuar se qeveria e Alberta-s duhet të punojë për krijimin e zonave mbrojtëse nga zjarri rreth komuniteteve. “Duhet të sigurohemi që kur shpërthen një zjarr në pyll, ai të mos përhapet në një zonë të banuar, sepse pikërisht ky është momenti më i rrezikshëm”, u shpreh Smith. Të mërkurën (07.06.) sipërfaqja pyjore e djegur në Kanada e tejkaloi shifrën katër milionë hektarë, duke e bërë sezonin e zjarreve të këtij viti, të katërtin më të keq në raport me rekordet e mëparshme në vend. Vetëm në Alberta, flakët kanë djegur më shumë se 1.3 milionë hektarë, sipërfaqe kjo e barabartë me madhësinë e një vendi si Libani.

Saskatchewan - Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, një testament i shkruar mbi parafangon e një traktori nga një fermer në pjesën perëndimore të Saskatchewan hyri në analet bujqësore dhe ligjore të provincës. Në qershor 1948, fermeri britanik që kish imigruar në Saskatchewan, Cecil George Harris, po udhëtonte me traktorin e tij drejt fermës së familjes në distriktin McGee, pranë Komunës Rurale Pleasant Valley, për të pluguar një sipërfaqe toke, por ajo që duhet të ishte një ditë e zakonshme pune mori një kthesë tragjike. Teksa 56-vjeçari ndodhej poshtë traktorit, ai mbeti i bllokuar nën njerën nga rrotat e pasme dhe këmba e tij e majtë u dëmtua rëndë. Detajet e sakta të aksidentit mbetën të paqarta, por sipas gazetës lokale, The Rosetown Eagle, babai i dy fëmijëve, në momentin e aksidentit, mund të ketë qenë duke u përpjekur të riparonte diçka midis traktorit dhe parmendës. I bllokuar nën traktor dhe duke kuptuar se mund të mos mbijetonte, Cecil Harris nxori thikën e xhepit dhe filloi të gdhendte testamentin e tij mbi sipërfaqen e parafangos. “Në rast se vdes nga kjo fatkeqësi, gjithçka ia lë gruas sime”, shkroi ai. Cecil George Harris ishte gjallë për më shumë se 10 orë përpara se të gjendej nga gruaja e tij, Bessie May. Fermeri u dërgua në spitalin Rosetown, ende i vetëdijshëm, por për shkak të gjakderdhjes së madhe nga plagët e rënda nuk mbijetoi. Disa javë pas vdekjes së Cecil George Harris, parafangoja e traktorit u përdor si provë në gjykatë. Kështu, Bessie May Harris mori të gjithë pasurinë e saj, në përputhje me dëshirën e fundit të bashkëshortit. Parafangoja e traktorit dhe thika e fermerit janë tani pjesë e koleksionit të muzeut të Fakultetit Juridik të Saskatchewan University.

Nova Scotia - Zjarrfikës nga tri provinca, Shtetet e Bashkuara dhe Ministria e Mbrojtjes kanadeze, po operojnë ende në jugperëndim të Nova Scotia ku prej ditësh ka rënë zjarri më i madh në historinë e kësaj province. Sipas qeverisë, 139 zjarrfikës, duke përfshirë pesë nga Prince Edward Island dhe 14 nga Newfoundland dhe Labrador, janë duke luftuar zjarrin gjigantesk pranë liqenit Barrington. Shtatëmbëdhjetë zjarrfikës janë nga Shtetet e Bashkuara dhe 33 nga Departamenti i Mbrojtjes Kombëtare, ndërsa anëtarët e ekipeve lokale vullnetare dhe bashkiake të mbrojtjes nga zjarri po qëndrojnë në gatishmëri. Zjarri i liqenit Barrington në qarkun Shelburne qysh prej dates 27 maj kur filloi është rritur në rreth 235 kilometra katrorë. Autoritetet provinciale kanë deklaruar se zjarri ende nuk është nën kontroll, por tashmë ka ndaluar përhapja e tij. Kjo fatkeqësi natyrore ka detyruar më shumë se 6,000 banorë të zonës të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe ka shkatërruar deri tani 60 shtëpi si dhe 150 struktura të tjera.

Québec - Raporti vjetor 2022 i Shërbimit të Policisë së Bashkisë Montréal (SPVM) i publikuar ditët e fundit, ka përshkruar një portret të zymtë të gjendjes së krimit në metropolin frankofon. Mësohet se krimet kundër personit, të cilat përfshijnë vrasje, agresion, agresion seksual dhe grabitje, janë rritur me 21.6% në raport me mesataren e pesë viteve të fundit. Duke u rezervuar të paraqesë hipoteza për të shpjeguar këtë rritje të krimit, raporti i SPVM megjithatë përmend pasojat e lock down të përjetuara gjatë pandemisë, izolimin dhe erozionin e strukturave sociale si faktorë që mund të merren parasysh. Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar në territorin e Montréal janë vrarë 41 persona, çka përbën një rritje prej 43,4% krahasuar me mesataren nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe 10,8% që nga viti 2021. Raporti nënvizon gjithashtu praninë në rritje të armëve të zjarrit dhe faktin që të shtënat me armë zjarri janë dëgjuar gjithnjë e më shumë nëpër rrugët e qytetit vitet e fundit. Në vitin 2017, u regjistruan 37 të shtëna armësh, ndërsa në vitin 2021, kjo shifër pothuajse u katërfishua me 144 të shtëna dhe në vitin 2022 ra në 128. Raporti i aktivitetit të SPVM për vitin 2022 përmend edhe një statistikë trishtuese: 23.3% e krimeve kundër personit të listuar në metropol kanë të bëjnë me raste të dhunës në familje dhe Shërbimi 911 ka marrë më shumë se 13,400 thirrje për këtë motiv gjatë vitit 2022. Raporti nënvizon gjithashtu se ka ende 436 vende vakante në strukturat e Policisë, çka përfaqëson afërsisht 10% të efektivit total. Ndërkohë, shërbimi arriti të punësojë vetëm 207 oficerë të rinj policie vitin e kaluar, një numër që nuk mjafton për të plotësuar 242 pozicionet e lëna bosh nga daljet në pension dhe dorëheqjet.

Ontario - 12-vjeçarja Anthaea-Grace Patricia Dennis nuk është një fëmijë i zakonshëm, por një gjeni dhe qysh nga dita e djeshme (10.06.), është kanadezja më e re që ka marrë një diplomë universitare. Ajo u laureua Bachelor në shkencat biomjekësore nga Universiteti i Ottawa. Programin e studimeve në këtë nivel e nisi kur ishte nëntë vjeç dhe mbështetësja e saj më e madhe ka qenë nëna, Johanna Dennis. Ajo e pat kuptuar që vajza e saj ishte një fëmijë jo i zakonshëm kur Anthaea-Grace ishte rreth dy vjeç e gjysmë. Zonja Dennis, nënë e pamartuar e ka zhvilluar e vetme karrierën e saj akademike dhe pasi ka marrë disa diploma tani është profesoreshë e Drejtësisë. Anthaea-Grace Patricia Dennis ka deklaruar për mediat se nëna e saj është njëriu më i rëndësishëm për të. Pjesa kulmore e studimeve të saj është shkrimi i një teze prej 40 faqesh mbi marrëdhënien midis dorës dhe aktivitetit funksional të trurit të vogël, pjesë e trurit përgjegjëse për koordinimin e ekuilibrit dhe lëvizjeve. Punimi i saj arriti në përfundimin se lidhja midis trurit dhe dorës është dukshëm e ndryshme tek njerëzit që përdorin dorën e djathtë në raport me mëngjarashët. Hulumtimet rreth temës zgjatën afërsisht një vit dhe Anthaea-Grace Patricia Dennis i paraqiti konkluzionet e saj në Simpoziumin e Institutit të Biologjisë Ottawa-Carleton. Pas pushimeve të verës, ajo do të vazhdojë studimet pasuniversitare. Tre universitetet që i janë ofruar janë McGill, Universiteti i Torontos dhe Instituti i Teknologjisë i Illinois. Anthaea-Grace synon të vazhdojë kërkimet e saj mbi aktivitetin funksional të trurit të vogël.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada