Java Kanadeze - Lajme shkurt 18 qershor 2023
- Published in Kanada

Cap Breton Island - Nova Scotia
-British Columbia, zhvillohet Festivali Veror Frankofon i Vancouver
-Alberta, rinumërohen votat në dy zona pas zgjedhjeve të përgjithshme provinciale
-Saskatchewan, vazhdojnë zjarret në pyje nga të cilët 7 ende jashtë kontrollit
-Manitoba, aksident i rëndë rrugor me 15 të vdekur e 10 të plagosur rëndë
-New Brunswick, kryeministri Blaine Higgs i gatshëm t’i nënshtrohet votëbesimit
-Québec, rikthehen në Montréal pas restaurimit në Francë këmbanat e Oratorit Saint-Joseph
-Ontario, qeveria provinciale shton kompetencat e kryetarëve në 26 bashki
British Columbia - Emrat më të famshëm të afishuar në programin e Festivalit Veror Frankofon të Vancouver, Isabelle Boulay dhe Corneille, kënduan mbrëmë (17.06.) përpara një turme entuziaste, që përfaqësonte një përzierje të komuniteteve anglofone dhe frankofone dhe që i bashkon dashuria për muzikën. Festivali, tashmë në edicionin e tij të 34-të, ka një traditë të gjatë. Kësisoj, në mesin e 7th Avenue, e mbyllur për trafikun, që aty të ngrihet një skenë, krijohet një ishull i vogël shumëgjuhësh. Ndërkohë, edhe pse ishin mbledhur disa qindra njerëz, mbrëmë ra në sy një rënie e numrit të spektatorëve në krahasim me vitet e kaluara. Drejtori i përgjithshëm artistik Pierre Rivard ia ka atribuar rënien e pjesëmarrjes motit relativisht të freskët duke kujtuar gjithashtu se festivali po zhvillohet në një kontekst post pandemik ku inflacioni përbën një sfidë për gjithkënd. Kostot e prodhimit janë rritur në tre vite nga 30 deri në 40%, ka deklaruar Rivard për Radio-Canada, duke u shprehur i kënaqur që ka arritur të sjellë në skenën kryesore të festivalit të mirënjohurit Corneille dhe Isabelle Boulay. “Është një moment kulmor për komunitetin frankofon, por është gjithashtu një moment i rëndësishëm edhe për qytetarët e Vancouver, që vijnë dhe shijojnë një event të bukur të kulturës frankofone në qytetin tone më të madh të bregut perëndimor”, ka pohuar ai. Festivali veror do të vazhdojë deri fundjavën e ardhshme dhe do të mbyllet më 25 qershor me një performancë të korit të të rinjve nga Trois-Rivières.

Corneille
Alberta - Elections Alberta njoftoi të premten (16.06.) rinumërimin e votave për zonat elektorale Calgary-Acadia dhe Calgary-Glenmore me kërkesë të Partisë së Bashkuar Konservatore të kryeministres së rizgjedhur Danielle Smith. Procedura e rinumërimit do të zhvillohen përkatësisht nesër (e hënë 19.06.) dhe të enjten e ardhshme (22.06.). Sipas shifrave përfundimtare të zgjedhjeve provinciale të 29 majit 2023, rezultati u vendos me më pak se 50 vota në këto dy zona zgjedhore. Në një deklaratë të Partisë Konservatore lexohet se kandidati i saj në Calgary-Acadia, Tyler Shandro dhe kandidati në Calgary-Glenmore, Whitney Issik, kanë paraqitur të dy kërkesën për një rinumërim gjyqësor. Rezultatet zyrtare pas numërimit fillestar treguan se ish-ministri i drejtësisë Tyler Shandro humbi me 25 vota përballë Diana Batten të NDP, ndërsa Whitney Issik humbi me 42 vota përballë Nagwan Al-Guneid, gjithashtu përfaqësues i NDP.

Saskatchewan - Sipas Saskatchewan Public Safety Agency (SPSA), deri ditën e djeshme (17.06.) 38 zjarre ishin ende aktivë në pyjet e provincës, duke përfshirë 7 të pakontrolluar. Ndër ta, zjarri pranë Buffalo Narrows dhe Île-à-la-Crosse, në veriperëndim, ende mban të mobilizuar disa ekipe zjarrfikësish. SPSA ka theksuar se ata po përpiqen veçanërisht të shuajnë zjarret në sektorët që po digjen më shumë. Pranë liqenit Pinehouse, një tjetër zjarr i pakontrolluar po mban të angazhuar gjithashtu ekipe zjarrfikësish që po punojnë veçanërisht përgjatë autostradës 165. Agjencia ka shtuar se zjarrfikësit janë ende në përballje me zjarrin në afërsi të Dillon, ndërhyrje në të cilën po operojnë dhe dy helikopterë. SPSA gjithashtu ka vënë në dukje se disa nga ekipet e saj aktualisht janë dërguar për ndihmë në Alberta, British Columbia dhe Québec. Sipas statistikave të deritanishme, 231 zjarre pyjore kanë shpërthyer këtë vit në Saskatchewan, ndërsa mesatarja vjetore është 150.

Manitoba - Sipas njoftimeve nga RCMP (Policia Federale Kanadeze) 15 persona vdiqën dhe 10 të tjerë u plagosën në një aksident rrugor që ndodhi të enjten (15.06.) në autrostradën transkanadeze në pjesën jugperëndimore të provincës Manitoba, pas përplasjes mes një kamioni gjysmë-rimorkio dhe një mini-autobusi për transportin e adaptuar me 25 pasagjerë. Fillimisht RCMP njoftoi në Twitter se përplasja ndodhi në kryqëzimin e autostradës Trans-Canada me Rrugën Provinciale 5 pranë qytetit Carberry, rreth dy orë larg nga Winnipeg. Policia federale konfirmoi gjithashtu se mini-autobusi transportonte rreth 25 persona të moshuar që po udhëtonin drejt kazinos Sand Hills, që ndodhet rreth njëzet kilometra larg vendit të aksidentit. Pas tragjedisë u angazhuan menjëherë shume mjete tokësore dhe ajrore në ndihmë të të plagosurve. Në një deklaratë për mediat, kryeministrja e Manitoba, Heather Stefanson, njoftoi se flamujt në ndërtesën e Parlamentit provincial u ulën në gjysëm shtizë si shenjë respekti për viktimat e aksidentit.

New Brunswick - Kryeministri i provincës New Brunswick, Blaine Higgs ka deklaruar se është gati t’i nënshtrohet një votëbesimi në partinë e tij nëse është e nevojshme, pa qartësuar megjithatë nëse do vendosë apo jo edhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme provinciale. Higgs po përballet me një valë në rritje mospajtimi brenda grupit të tij parlamentar, lidhur me stilin e tij të drejtimit dhe ndryshimet ligjore të qeverisë së tij në politikën e provincës për orientimin seksual në shkolla. Dorothy Shephard dha dorëheqjen si Ministre e Zhvillimit Social të enjten (15.06.) pasi votoi me opozitën një mocion që i bënte thirrje Avokatit për Fëmijët dhe Rininë të New Brunswick të rishikonte ndryshimet në politikën LGBTQ. Ndryshimet e fundit parashikojnë që mësuesit të marrin pëlqimin prindëror përpara se të përdorin përemrat dhe emrat e preferuar të nxënësve transgjinorë dhe jobinarë nën 16 vjeç. Kryeministri Higgs e ritheksoi rëndësinë e këtyre ndryshimeve, duke deklaruar se ato mbrojnë prindërit dhe nëse për këtë qëndrim kërkohet një votëbesim, ai është i gatshëm. Mandati i qeverisë së tij përfundon në tetor 2024.

Blaine Higgs
Québec - Janë rikthyer në Montréal këmbanat e carillon (instrument perkusioni me këmbana) të Oratorit Saint-Joseph, që ndodhet në Mont Royal. Ato u bekuan dje në mëngjes (17.06.) gjatë një ceremonie fetare. Këmbanat ishin dërguar në Francë për restaurim dhe pas kthimit janë vendosur fillimisht para kriptës së Oratorit ku kanë qendruar edhe sot, në mënyrë që publiku t'i shihte dhe t'i admironte. Nesër ato do të vendosen në kambanore. Në vitin 2019, 56 këmbana u dërguan në fonderinë Paccard, në Francë, atje ku ishin prodhuar. Krahas restaurimit të kambanave që kishin marrë një ngjyrë të gjelbër për shkak të oksidimit, u prodhuan dhe gjashtë këmbana të reja që iu dhuruan Oratorit. Carillon i Oratorit Saint-Joseph është i vetmi i këtij lloji i klasit botëror në Québec. Një carillon luhet me një pedal dhe një tastierë, e ngjashme me atë të pianos, e përbërë nga shkopinj druri të lidhur me këmbanat me një tel. Tastiera dhe telat janë restauruar gjithashtu. Po përse u deshën kaq shumë vite për të përfunduar restaurimin e instrumentit? Së pari sepse kambanat ishin shumë të oksiduara. Për më tepër, derdhja e gjashtë këmbanave të reja është një punë e gjatë dhe temperimi i tingullit të tyre kërkon gjithashtu kohë. Nga Franca në Portin e Montrealit ato u transportuan me anije. Një vinç special ishte gjithashtu i nevojshëm për t’i vendosur ato brenda saj. 62 këmbanat peshojnë gjithsej 19 tonë. Kambana më e madhe e carillon, e quajtur droni, peshon 3600 kilogramë (3.6 ton), ndërsa më e vogla peshon vetëm 5 kilogramë. Carillon i Oratorit Saint-Joseph ishte menduar fillimisht për Kullën Eifel, por iu huazua institucionit të famshëm fetar me rastin e 50 vjetorit të ndërtimit, më 1955. Më pas disa donatorë paguan që ai të mbetej përfundimisht në Montréal.

Ontario - Kryebashkiakët e 26 qyteteve në Ontario, si Brampton apo Mississauga në zonën e GTA (Greater Toronto Area), por edhe ata të Kingston, Windsor dhe Hamilton, së shpejti do të bëhen “superkryetarë” me kompetenca të shtuara, njëlloj si ata të Ottawa dhe Toronto. Objektivi i qeverisë së Doug Ford është të ndërtohen më shumë banesa për të zbutur krizën e strehimit. Ndër këto kompetenca: e drejta e vetos për vendime të caktuara që kanë të bëjnë me strehimin dhe emërimin e drejtorit të përgjithshëm të qytetit. Kryetari mund të përdorë gjithashtu një buxhet të miratuar me mbështetjen e vetëm një të tretës së këshilltarëve bashkiakë. Këto kompetenca të reja do të hyjnë në fuqi më 1 korrik 2023, njoftoi të premten (16.06.) Ministri i Pushtetit Lokal dhe Strehimit, Steve Clark, gjatë takimit të grupit të kryebashkiakëve të qyteteve të mëdha të Ontarios. Provinca u kishte dhënë tashmë kompetenca të shtuara kryebashkiakëve të Torontos dhe Ottawa vitin e kaluar, një vendim ky i kritikuar nga shumë zyrtarë të zgjedhur. Për ministrin Clark, qëllimi është arritja e objektivit provincial prej 1.5 milionë njësi të reja banimi deri në vitin 2031. Clark ka shpjeguar se qytetet e zgjedhura kanë një popullsi prej të paktën 100,000 banorë ose do e arrijnë këtë prag në vitit 2031, duke shtuar se ishte i hapur për mundësinë e shtimit në listë të qyteteve të tjera.

Steve Clark
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; Getty Images/Jared C. Tilton












