Kanada

Formula 1 - Max Verstappen triumfon sërish në Canadian Grand Prix Montréal

  • Published in Kanada

Holandezi Max Verstappen (Red Bull) e dominoi sot (18.06.) nga fillimi në fund Canadian Grand Prix të F1 në pistën Gilles-Villeneuve të parkut Jean-Drapeau në Montréal, duke realizuar fitoren e tij të katërt radhazi dhe të gjashtën në tetë gara gjatë këtij sezoni. Fitorja e holandezit është e 100-ta e Red Bull në Formula 1. Ndërkohë, për vendin e dytë u zhvillua një garë e fortë dhe në fund ishte spanjolli Fernando Alonso (Aston Martin) që mundi britanikun Lewis Hamilton (Mercedes). Pas tyre, pilotët e Ferrarit, Charles Leclerc dhe Carlos Sainz Jr. zunë vendin e 4-t dhe të 5-të. Kolegu i skuadrës së Verstappen Red Bull, Sergio Pérez, përfundoi i 6-ti.

“Jam shumë i lumtur. Nuk ishte një garë aq e lehtë për shkak të gomave. Ishte vërtet më ftohtë në krahasim me të premten dhe terreni më shumë i rrëshqitshëm. Por ne ia dolëm. Të fitosh një Grand Prix për të 100-tën herë për ekipin është vërtet e pabesueshme”, deklaroi pas garës Verstappen.

Duke u nisur nga vendi i 16-të, kanadezi Lance Stroll (Aston Martin) pati një fillim relativisht inkurajues në garë, duke u ngjitur dy vende, përpara se të zbriste në pozicionin e tij fillestar. Stroll e përfundoi garën në vendin e 10-të, duke kaluar në vijën e finishit finlandezin Valtteri Bottas (Alfa Romeo-Ferrari) dhe një penalitet për Lando Norris (McLaren-Mercedes) e ngjiti atë në vendin e 9-të. Kësisoj Stroll barazoi rezultatin e tij më të mirë të arritur në Canadian Grand Prix, pasi ish renditur gjithashtu i 9-ti në vitet 2017 dhe 2019 dhe i 10-ti në vitin 2022.

Lance Stroll

Nga ana e tij Hamilton i dha gjallëri garës që në fillim. Shtatë herë kampioni i botës përfitoi nga fillimi i ngadaltë i Alonso-s për t'u futur mes tij dhe Verstappen, i cili e ruajti lehtësisht epërsinë. Alonso, sidoqoftë, vazhdoi të mposhtte rivalin e tij dhe arriti t'i rrëmbejë vendin e dytë në xhiron e 23-të. Përpara tyre, Verstappen pati një epërsi të ngushtë prej 4s, i sikletosur paksa nga aderenca jo e mjaftueshme e gomave. Epërsia e Verstappen u rrit përfundimisht në një të tretën e fundit të garës, ndërkohë që Alonso arriti ta mbante Hamiltonin pas vetes në 10 xhirot e fundit.

Me fitoren e sotme Verstappen konsolidon epërsinë e tij në renditjen e pilotëve me 195 pikë kundrejt 126 për kolegun e tij të skuadrës Pérez, i cili realizoi xhiron më të shpejtë me goma të buta në fund të garës. Alonso është i treti me 117 pikë, përpara Hamilton me 102. Kanadezi Stroll është i 8-ti me 37 pikë. Red Bull konsolidoi gjithashtu pozitën e vet në vendin e parë në kampionatin e konstruktorëve me 321 pikë. Skuadra e Mercedes është ende e dyta me 167 pikë, e ndjekur nga Aston Martin me 154 dhe Ferrari me 122 pikë.

Grand Prix i ardhshëm do të jetë ai i Austrisë, që do të zhvillohet në Red Bull Ring, në Spielberg, më 2 korrik 2023.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Reuters/Evan Buhler/Mathieu Bélanger