Kanada - Bordi i Sigurisë së Transporteve nis hetimet për aksidentin e nëndetëses Titan
- Published in Kanada

(Përditësuar 16:10, 24.06.2023)
Sipas The Canadian Press, Bordi i Sigurisë së Transporteve të Kanadasë (Transportation Safety Board of Canada) ka nisur dje (23.06.) një hetim për aksidentin e nëndetëses Titan të kompanisë OceanGate, hetim i cili implikon dhe anijen kanadeze Polar Prince. Ishte pikërisht kjo anije tregëtare që po siguronte mbështetjen mbi sipërfaqen e oqeanit Atlantik për pasagjerët e Titan dhe ajo ndodhej në hapësirën ujore ku u mbyt transoqeaniku Titanik më 15 prill 1912, afërsisht 600 km në Jug-Juglindje të provincës Newfoundland dhe Labrador. Para zhytjes së Titan, që rezultoi fatale, në bordin e Polar Prince ndodheshin gjithsej 17 anëtarë të ekuipazhit dhe 24 persona, ndër të cilët edhe 5 fatkeqët që humbën jetën pas shkatërimit të nëndetëses, mbetjet e së cilës u lokalizuan pranë rrënojave të Titanikut.
Transportation Safety Board of Canada (TSB) do të kryejë një hetim mbi respektimin e parametrave të sigurisë dhe mbi rrethanat e këtij operacioni të kryer nga anija që lundron me flamurin kanadez. Hetuesit e kanë nisur punën për të mbledhur informacionin e nevojshëm në St. John’s (kryqyteti i provincës), si dhe do të marrin në pyetje drejtuesit e Polar Prince, për të analizuar me detaje atë çka i parapriu aksidentit tragjik. TSB do të koordinohet edhe me institucione të tjera të interesuara.
Nga ana e tyre, autoritetet amerikane kanë nisur gjithashtu një hetim për ngjarjen dhe po dje (23.06.) Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit të SHBA publikoi një deklaratë, që konfirmonte se “Roja Bregdetare e SHBA e konsideron shkatërrimin e Titanit një aksident të rënde detar dhe për këtë arsye do të hetojë”.
Ndërkohë, pas përfundimit të operacioneve të kërkim shpëtimit, të gjitha anijet kanadeze të përfshira u larguan nga ujërat përgjatë brigjeve të Newfoundland. Qendra e Përbashkët Kanadeze e Koordinim-Shpëtimit (JRCC) ka pohuar se është në diskutim “shkalla e përfshirjes së ndihmës kanadeze” për përpjekjet e mundshme të rikuperimit të mbetjeve të Titan nga kompania private OceanGate.
Polar Prince
“Të gjitha asetet e shpëtimit të Joint Rescue Coordination Centre do të kthehen në bazë për të rigjeneruar aftësinë e kërkim-shpëtimit dhe për t'u përgatitur për operacione të tjera në të ardhmen”, thuhej në deklaratën e këtij institucion të enjten në mbrëmje (22.03.) ku theksohej gjithashtu se ky ishte “një përfundim shumë fatkeq i një bashkëpunimi dhe përpjekjesh të rëndësishme mes disa shteteve, forcave të armatosura dhe partnerëve”.
Anija Polar Prince, e cila i përket Miawpukek Horizon, një kompani e themeluar nga Mi'kmaw First Nation of Miawpukek, u kthye gjithashtu dje (23.06.) në portin e St. John’s të Newfoundland. Në bordin e saj ndodheshin dhe familjarët e viktimave të Titanit.
Roja Bregdetare e SHBA deklaroi se sipas të dhënave që dispononte, besohet se Titani shpërtheu gjatë zbritjes së tij në thellësitë e Atlantikut për shkak të presionit të ujit dhe pasagjerët e tij e kanë humbur jetën në një fraksion sekonde. Mbetjet e nëndetëses mendohet se ndodhen rreth rreth 200 metra larg nga rrënojat e Titanikut.
Hetuesit e TSB duke hyrë në anijen Polar Prince (24.06.2023)
Transportation Safety Board është një agjenci federale e pavarur, mandati i së cilës është të garantojë dhe rrisë sigurinë në katër llojet transportit të rregulluara me legjislacion federal në Kanada: transporti ajror, detar, me tubacione dhe ai hekurudhor.
Hetimet e TSB synojnë të kuptojnë shkaqet e aksidenteve në mënyrë që të merren masa për të zvogëluar rrezikun e aksidenteve të tjera të ngjashme. Roli i kësaj agjencie nuk është asnjëherë të përcaktojë përgjegjësinë civile apo penale.
“Ky hetim është i nevojshëm sepse pesë persona hipën në Polar Prince disa ditë më parë dhe nuk u kthyen më. Këta pesë persona janë ata që hynë brenda nëndetëses Titan”, ka deklaruar sot (24.06.) Clifford Harvey, Drejtor i Seksionit të hetimeve detare në TSB. “Hetimet nga Bordi i Sigurisë së Transporteve në Kanada në përgjithësi zgjasin 18 deri në 24 muaj”, pohoi gjithashtu kryetarja e bordit Kathy Fox.
Polar Prince në portin e St. John's - NL (24.06.2023)
Edhe pse TSB do të bashkëpunojë me një institucion të ngjashëm në Shtetet e Bashkuara, agjencia kanadeze po kryen hetimin e saj, i cili është i ndarë nga ai që sapo ka ndërmarrë Policia Federale Kanadeze (RCMP). Sot pasdite (24.06.), Superintendenti Kent Osmond i RCMP në Newfoundland dhe Labrador, konfirmoi se një ekip hetuesish ishte formuar nga ky institucion dhe ata filluan të marrin në pyetje dëshmitarët. “Puna e nisur sot është një hetim paraprak. Ajo do të përcaktojë nëse është i nevojshëm një hetim më i plotë, por ende nuk e dimë se sa kohë do të zgjasë ky proces” tha ai. Gjithnjë sipas tij, nisja e një hetimi nga Policia Federale nuk do të thotë se ka pasur shkelje të ligjeve.
© Flasshqip.ca me informacion nga The Candian Press
Fotot: CBC/Kenneth Sharpe; The Canadian Press/Adrian Wyld; Reuters;