Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 25 qershor 2023

  • Published in Kanada

 

Yukon

 

-British Columbia, NDP rifiton dy zona elektorale në zgjedhjet e pjesshme provinciale

-Alberta, 120 piktorë nga Amerika e Veriut realizojnë së bashku “Dog Mural Mosaic” në Edmonton

-New Brunswick, një 19 vjeçar me probleme shëndeti do tentojë të përshkojë Kanadanë me biçikletë

-Nova Scotia, mosmarrëveshje mes kryeministrit Huston dhe Ottawa për projektin Atlantic Loop

-Québec, zjarret në pyje kanë përkeqësuar sërish cilësinë e ajrit në disa rajone

-Ontario, zhvillohet në një kontekst të dyfishtë elektoral “Ford Fest” në Toronto

 

British Columbia - Sipas rezultateve paraprake nga Elections British Columbia, Demokratët e Rinj (NDP) të kryeministrit David Eby, i fituan zgjedhjet e pjesshme që zhvilluan dje (24.06.) në zonat Langford-Juan de Fuca dhe Vancouver-Mount Pleasant. Në garën e Langford-Juan de Fuca, Ravi Parmar (NDP) fitoi 53.35% me 7224 vota të vlefshme. Më pas pasuan Mike Harris (Partia Konservatore) me 19.86% (2689 vota) dhe Camille Currie (Partia e Gjelbër) me 17.62% (2386 vota). Në këtë zonë deri më 14 qershor ishin të regjistruar 51.588 zgjedhës, por dje votuan vetëm 13.542 (26.25%). Në zonën Vancouver-Mount Pleasant, Joan Philippe (NDP) fitoi 67.68% me 5,404 vota të vlefshme. Ndjekësit e tij më të afërt, Jackie Lee (BC United) dhe Wendy Hayko (Partia e Gjelbër), morën respektivisht 13.77% dhe 11.41% të votave. Nga 45.265 të regjistruar në listat zgjedhore, të drejtën e votës në këtë zonë e ushtruan gjithsej 7964 vetë (17,59%). Rezultatet zyrtare të votimit do të publikohen pas numërimit përfundimtar, të mërkurën më 28 qershor. Dy vende në Asamblenë Legjislative të British Columbia patën mbetur vakante që nga dorëheqja e ish-kryeministrit John Horgan dhe ish-ministres Melanie Mark në fund të marsit 2023. John Horgan shërbeu si deputet i Langford-Juan de Fuca që nga viti 2005, ndërsa Melanie Mark si deputete e Vancouver-Mount Pleasant që nga viti 2016.

Alberta - Në qendrën tregtare Bonnie Doon në Edmonton të provincës Alberta, u zbulua dje (24.06.) nje mural mozaik me portrete qensh të pikturuar nga 120 artistë nga Amerika e Veriut. Versioni përfundimtar, që bashkon të gjitha pikturat, përfaqëson një ujk. “Ideja më lindi gjatë pandemisë. U dërgova telajo artistëve të ndryshëm në Amerikën e Veriut, duke u kërkuar atyre të pikturonin figurën e një qeni. Ata duhej të përdornin ngjyra dhe forma të caktuara në pikturë në mënyrë që një imazh më i madh të mund të realizohej”, i shpjegoi Radio-Canada koordinatori i projektit Phil Alain. Pasi pikturuan portretin e tyre, artistët ia dërguan tablonë z. Alain dhe ekipit të tij, të cilët duke i mbledhur të gjitha veprat bashkë krijuan një portret mural ujku të përbërë nga 216 portrete qensh. “Ne nuk e dinim se si do të dukej deri në momentin e zbulimit. Të gjithëve na u kërkua të pikturojmë në një stil të caktuar dhe me një ton të caktuar ngjyrash. Kështu bëmë dhe shpresonim se do të dilte diçka e bukur”, u shpreh artistja Jori Warren. Ky projekt synonte të bashkonte komunitetin dhe sipas Phil Alain, pandemia ishte një periudhë stresuese për artistët. Ata nuk kishin ku të ekspozonin punimet e tyre, nuk kishin thuajse asnjë mënyrë për të tërhequr vëmendjen e publikut, ndaj dhe ky mural ishte një mundësi për të bashkuar shumë artistë njëherësh, përmes një projekti që u mundësonte atyre të punonin së bashku pa qenë afër e afër.

New Brunswick - Nicholas Boudreau, një i ri nga provinca New Brunswick, i ka vendosur vetes një objektiv paksa të çmendur: të përshkojë me biçikletë 6000 kilometra nëpër Kanada. Nisja e tij është planifikuar më 1 korrik nga plazhi Beresford. Nëse basti është i vështirë për njerëzit e zakonshëm, aq më tepër ai është i tillë për 19-vjeçarin me origjinë nga Robertville, afër Bathurst. Nicholas Boudreau vuan nga sëmundja Scheuermann, e cila i shkakton atij dhimbje të vazhdueshme të shpinës dhe është i vetëdijshëm se ky udhëtim fizikisht i vështirë mund të jetë akoma më i vështirë për atë vetë, “por unë duhet të jetoj me të”, është shprehur ai. Nicholas e mori vendimin për këtë udhëtim vetëm pak javë më parë, pasi pa një dokumentar në platformën Netflix, i cili fliste për udhëtimin e dy personave që përshkuan 15 mijë km me biçikletë. Kjo nuk është aventura e tij e parë. Vitin e kaluar ai eci 180 km më këmbë gjatë nëntë ditëve. Me këtë udhëtim të ri, qëllimi i tij është të ketë sukses në frymëzimin e njerëzve për të kapërcyer sprovat e jetës dhe për të tejkaluar veten.

Nova Scotia - Kryeministri Justin Trudeau ka shprehur së fundi bindjen që projekti Atlantic Loop, do të jetë i suksessshëm dhe do të mundësojë transmetimin e energjisë hidroelektrike nga Québec në provincat Atlantike, çka do t'i lejojë ato t'i japin fund varësisë nga qymyri. Kjo ide është kritikuar nga kryeministri i Nova Scotia, Tim Houston, i cili pohoi se qeveria federale nuk ka investuar fonde të mjaftueshme për ta realizuar atë. Gjatë një fjalimi para pjesëmarrësve në Forumin Ekonomik të Atlantikut, Justin Trudeau foli për vendimin e Volkswagen për të ngritur një fabrikë të baterive të automjeteve elektrike në St. Thomas, Ontario, duke shtuar se kompania gjermane ishte e tërhequr nga disponueshmëria e energjisë elektrike me karbon të ulët. Pas takimit me Justin Trudeau dhe dëgjimit të fjalimit të tij, Tim Houston u shpreh se ofertat e qeverisë federale liberale nuk ishin të mjaftueshme. “Nuk e di se ku do të çojë kjo. Do të kemi një diskutim dhe do të vazhdojmë të shkëmbejmë informacione, por për momentin ajo për të cilën po flet qeveria federale, nuk është një projekt ekonomikisht i realizueshëm për qytetarët e Nova Scotia”, theksoi Houston. Disa dokumente zyrtare që u janë vënë në dispozicion CBC dhe The Canadian Press javën e kaluar, dëshmojnë se Ottawa ka synime ambicioze për të arritur një marrëveshje në parim mbi Atlantic Loop këtë verë dhe për ta përfunduar projektin deri në vitin 2030. Qeveria federale synon të investojë 4.5 miliardë dollarë për të mbështur projektin, por Kabineti i Tim Houston, ka deklaruar që propozimi federal bën fjalë për një hua afatgjatë, që do të përfshinte edhe klientët e Nova Scotia Power, të cilëve do t’u duhet të paguajnë për infrastrukturën në Québec.

Québec - Riaktivizimi i zjarreve në pyje gjatë ditëve të fundit, ka ndikuar ndjeshëm sot (25.06) në cilësinë e ajrit në disa rajone të provincës Québec. Sipas faqes së internetit të IQAir, Montréal ishte gjithashtu qyteti ku ajri ishte më i ndoturi në botë sot në mëngjes. Metropoli frankofon qëndronte në krye të listës, i ndjekur nga kryeqyteti i Kuvajtit, në Gadishullin Arabik dhe nga Teherani, në Iran. “Institucionet e Shëndetit Publik na ftojnë të jemi të kujdesshëm”, shkroi kryetarja e bashkisë së metropolit, Valérie Plante, në një postim në Twitter. Shëndeti Publik rekomandoi të mos bëhet aktivitet fizik jashtë, të mbyllen dritaret në shtëpi dhe të fiken qarkulluesit e ajrit. Qielli i Montréalit dhe rrethinave ishte i mbuluar nga smogu dhe era e tymit ndihej kudo. Kjo situatë pritet të përmirësohet nesër. Përveç Montréal-it metropolitan, paralajmërimet për smogun nga Environment Canada janë në fuqi veçanërisht në rajonet Abitibi, Beauce, Estrie, Gatineau, Mauricie, Saguenay–Lac-Saint-Jean dhe Laurentides. Environment Canada u rekomandoi qytetarëve, ndër të tjera, të zvogëlojnë nivelin e aktivitetit të tyre. “Njerëzit me sëmundje të mushkërive si astma ose sëmundjet e zemrës, të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe njerëzit që punojnë jashtë janë në rrezik më të madh nga efektet shëndetësore të tymit”, nënvizoi agjencia federale.

Ontario - Kryeministri i Ontarios Doug Ford u takua me mbështetësit e tij të premten (23.06.) gjatë eventit tradicional “Ford Fest” në Scarborough, në një kontekst të veçantë, tri ditë përpara zgjedhjeve të pjesshme bashkiake në Toronto. Disa ditë më pas, gjithashtu votuesit në Scarborough-Guildwood do duhet të votojnë për të zëvendësuar liberalen MPP Mitzie Hunter, e cila dha dorëheqjen për të kandiduar si kryetare e Bashkisë Toronto. Duke prekur këtë temë, në fjalën e tij, kryeministri u bëri thirrje mbështetësve të tij që të mbështesin Gary Crawford, sepse sipas tij, “askush nuk është më i kualifikuar se ai për t'u bashkuar me deputetët tanë në Queen's Park”. “Ford Fest” ishte edhe një mundësi për Mark Saunders, kandidat për kryetar bashkie në Toronto i mbështetur nga Doug Ford, për të bindur mbështetësit e kryeministrit që ta votojnë. Saunders për disa vjet ka qenë dhe kreu i Policisë së metropolit kanadez. Në mikrofonin e CBC, disa votues e kanë pranuar se qëndrimi i kryeministrit mund të ndikojë në votën e tyre, ndërsa të tjerë thanë se ky fakt nuk ka ndikim në vendimin e tyre. Nga ana e tij, Doug Ford theksoi që eventi nuk ngjan me asnjë festë tjetër në vend. “Familja ime ka më shumë se 25 vjet që e organizon këtë event. Është absolutisht e mahnitshme. Është shumë bukur të shohësh kaq shumë njerëz këtu”, theksoi ai. Kryeministri lavdëroi gjithashtu politikat e qeverisë së tij, duke thënë se ekonomia në provincë është e fortë dhe PBB-ja e Ontarios ka arritur mbi 1 trilion dollarë.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Chris Young