Kanada - Olivia Chow zgjidhet kryetare e Bashkisë Toronto
- Published in Kanada
Mediat kryesore kanadeze raportuan sonte (26.06.) në mbrëmje që Olivia Chow, ish-deputetja federale e NDP dhe e veja e Jack Layton, do jetë kryetarja e re e Bashkisë Toronto dhe e treta grua që ushtron këtë detyrë në historinë e metropolit kanadez me rreth 2.6 milionë banorë. “Transformimi i një qyteti të lënë pas dore për dekada nuk do të jetë i lehtë. Do të përballemi me pengesa, por e di që mund të kemi sukses në ndryshimin e Torontos duke u përkushtuar së bashku për të”, deklaroi ajo menjëherë pas fitores përpara mbështetësve të saj.
Kjo ishte hera e dytë që ajo garonte për postin e kreut të bashkisë më të madhe në vend. Në vitin 2014, kur John Torry u zgjodh për herë të parë ajo u rendit e treta. Kujtojmë që zgjedhjet e parakohëshme kësaj radhe erdhën si rezultat i dorëheqjes së John Torry në fillim të këtij viti, për shkak të një skandali të publikuar nga mediat mbi një lidhje jashtëmartesore të tij me një vartëse.

Sipas të dhenave paraprake nga Elections Toronto, në garën e sotme, mes 102 kandidatëve ku ka spikatur dhe pjesëmarrja e ulët e qytetarëve, Chow ka fituar rreth 37% të votave, e ndjekur nga kundështarja e saj kryesore, këshilltarja bashkiake Ana Bailão, që ka marrë rreth 32%. Ndërkohë, ish-kryepolici i Torontos, Mark Saunders, favoriti i kryeministrit të Ontarios Doug Ford, ka marrë rreth 9%. “Qyteti ynë po përballet me shumë sfida dhe unë dua t'ju uroj gjithë të mirat në detyrën që do kryeni”, e ka uruar Ana Bailão kryetaren e re të bashkisë.
Gjatë fushatës, kur u pa që Olivia Chow kryesonte sondazhet, kryeministri i Ontarios Doug Ford nuk e fshehu kundërshtimin e tij për mundësinë që ajo të zgjidhej kryetare bashkie, madje sipas deklaratës së tij të 21 qershorit, “zgjedhja e Chow do të ishte një fatkeqësi e plotë”. Ndërkohë, pas bërjes publike të rezultateve paraprake ai e uroi Olivia Chow për fitoren. “Edhe pse nuk biem dakord për gjithçka, të dy kemi dëshirë ta bëjmë Toronton një vend ku bizneset, familjet dhe banorët mund të prosperojnë”, u shpreh Doug Ford.
Para disa kohësh, qeveria Ford i akordoi me ligj kompetenca të veçanta kryebashkiakut të Torontos dhe sipas legjislacionit në fuqi, kryetarja e re e bashkisë mund të miratojë rregullore në lidhje me prioritetet e qeverisë, duke përfshirë ndërtimin e banesave, me mbështetjen e pak më shumë se një të tretës së këshilltarëve të bashkisë. Ajo gjithashtu mund të miratojë buxhetin, si dhe të emërojë dhe shkarkojë drejtuesit e administratës. Megjithatë, Olivia Chow deklaroi gjatë fushatës që nuk do t'i përdorë këto superkompetenca sepse beson se kjo do të ishte antidemokratike.

Olivia Chow premtoi gjithashtu që nëse zgjidhet do përgatisë kushtet që brenda 8 vjetëve të ndërtohen 25,000 apartamente me qira në metropol, premtoi forcimin e mekanizmave mbrojtës për qiramarrësit si dhe anulimin e reduktimit të shërbimeve që pat vendosur Komisioni i Transportit të Torontos (TTC). Ajo arriti gjithashtu të siguronte mbështetjen e disa sindikatave, duke përfshirë Unionin e Punonjësve të Shërbimit Publik të Ontarios, degën e Ontarios të Unionit Kanadez të Punonjësve Publikë dhe Unionin e Mësuesve të Arsimit Fillor të Torontos.
Olivia Chow ka lindur më 24 mars 1957 në Hong Kong. Në moshën 13 vjeçare ajo imigroi së bashku me prindërit në Kanada. Fillimisht ajo ishte nxënëse në Jarvis Collegiate Institute ndërsa më pas studioi artet e bukura në Ontario College of Art si dhe filozofi dhe fe në University of Toronto. Në vitin 1979, u diplomua Bachelor of Arts në Artet e Bukura pranë Guelph University. Pas diplomimit, ajo punoi si artiste dhe administroi studion e vet të skulpturës dhe pikturës. Më vonë gjatë pesë viteve dha mësim në George Brown College në Programin e Këshillimit dhe Avokimit për gratë dhe fëmijët e dhunuar.

Jack Layton dhe Olivia Chow
E njohur si politikane social-demokrate, Olivia Chow u zgjodh për herë të parë më 1985 si anëtare e Toronto School Board Trustee. Ajo kandidoi në Toronto në vitit 1991 dhe u zgjodh anëtare e këshillit bashkiak duke mbetur aktive në politikën lokale të metropolit deri në zgjedhjen e saj deputete e NDP në Dhomën e Komunave, në vitin 2006. Chow dha dorëheqjen si deputete në vitin 2014, për të kandiduar si kryetare bashkie e Torontos, duke u renditur e treta. Pas fushatës së saj të vitit 2014, ajo iu bashkua Ryerson University si lektore ndërsa në zgjedhjet federale të vitit 2015, nuk arriti të rizgjidhet si deputete në Spadina-Fort York.
Olivia Chow është e veja e Jack Layton, lider i Opozitës Zyrtare në vitin 2011 dhe lider i NDP nga 2003 deri në 2011. Ata u martuan në vitin 1988 dhe jetuan së bashku deri në vitin 2011, kur Layton pas një sëmundje të rëndë u nda nga jeta.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: The Canadian Press/Chris Young












